Ndërlidhjet

Angazhim për komunën e re në veri të Mitrovicës


Veriu i Mitrovicës

Veriu i Mitrovicës

Zyra Civile Ndërkombëtare, Ministria e Pushtetit Lokal si dhe Minsitria e Punëve të Brendshme, u shprehën të përkushtuara për vazhdimin e angazhimit në krijimin e komunës së re në Mitrovicën Veriore.

Shefi i ICO-së Piter Feith, në takimin ndërministror për decentralizimin, kërkoi që të vazhdohet puna me agjendën e paraparë për këtë proces.

Piter Feith

Sipas zotit Feith, harmonizimi i ligjeve me paketën ligjore për vetëqeverisje lokale dhe përcaktimi i drejtë i kompetencave mes pushtetit qendror dhe atij lokal, mbetet një nga punët e rëndësishme për të ardhmen.

Puna më rëndësishme në agjendën e decentralizimit mbetet krijimi i komunës së re të Mitrovicës së Veriut. Ekipi përgatitor Komunal në Mitrovicën e Veriut ka më se një vit që po punon në këtë drejtim dhe hapja e zyrës në veri është një hap shumë i rëndësishëm”, tha Feith.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri dhe njëherit Ministri i Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq, tha se themelimi i komunës së re të Mitrovicës së veriut, do të jetë prioriteti i punës së dikasterit që ai udhëheq gjatë tre muajve të ardhshëm.

Me 25 maj të këtij viti, në Mitrovicën veriore është hapur edhe qendra për shërbime civile, ku do t’u ofrojë qytetarëve marrjen e letërnjoftimeve, regjistrimin e bizneseve, shtetësisë dhe çdo gjë tjetër që do të shërbejë komuna”, u shpreh Petroviq.

Bajram Rexhepi, Ministër i Punëve të Brendshme, tha se një pjesë e përgjegjësisë për krijimin e komunave të reja, që të bëjë transferin e kompetencave konfrom Pakos së Ahtisarit, i bie edhe ministrisë që ai udhëheq.

Ai përmendi stacionet policore dhe problemet në komunat në fjalë.

Bajram Rexhepi
Aspekti infrastruktural duke filluar nga Ranillugu dhe prona e cila i është ndarë policisë së Kosovës nga Kuvendi Komunal, është në proces gjyqësor në mes të komunës në fjalë dhe një personi fizik, dhe procesi gjyqësor ende nuk ka përfunduar”, tha Rexhepi.

Komuna e Mitrovicës së Veriut, e paraparë me pakon Ahtisarit, është e vetmja nga komunat e planifikuara serbe që nuk është formuar ende për shkak të kundërshtimit të serbëve.

Zyra Civile Ndërkombëtare, ditë më parë paralajmëroi vazhdimin e punës së zyrës rajonale në Mitrovicë, ndërsa ka vendosur të mbyllë zyrat tjera rajonale, pikërisht për shkak të angazhimit në krijimin e komunës së re.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG