Ndërlidhjet

NYT: Tërheqja nga Iraku


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
"New York Times"

Presidenti Obama po e plotëson premtimin e tij për ta përfunduar luftën në Irak.

Kur ai e mori zyrën, në terren ishin afro 142 mijë ushtarë amerikanë, ndërsa tash atje janë 46 mijë.

Të gjithë ata supozohet se do të kthen deri më 31 dhjetor të këtij vit, sipas marrëveshjes ndërmjet Uashingtonit dhe Bagdadit, e arritur në vitin 2008.

Lufta, e cila kurrë nuk do të duhej të fillonte, tashmë ka kushtuar më tepër se 4450 ushtarë të vrarë amerikanë dhe qindra miliarda dollarë, gjatë tetë viteve të gjata.

Sikur shumica e amerikanëve, ne jemi të etur t’i shohim të gjitha trupat tona të kthyera në shtëpi dhe jashtë rrezikut.

Por, nëse Iraku kërkon, ekzistojnë arsye legjitime të mbahet një forcë e vogël ushtarake atje, nëse misioni parashihet me kujdes.

Irakut ende i duhet ndihmë në ndërtimin e ushtrisë së vet dhe për qetësimin e tensioneve ndërmjet arabëve dhe kurdëve në veri.

Një forcë e vogël amerikane, flitet për 8 000 - 15 000 trupa, do të shihej, po ashtu, si mesazh i madh për Irakun dhe të gjithë fqinjët e tij, se Uashingtoni nuk po e lë rajonin tek Irani.

Teherani, në muajt e fundit, e ka rritur përzierjen e tij.

Ekspertët thonë se shumica e fraksioneve irakiane dëshirojnë që amerikanët të mbesin pak më gjatë. Por, asnjë politikan irakian nuk ka pasur gatishmëri ta thotë këtë publikisht.

Administrata Obama, që kishte kërkuar përgjigje me muaj, është me arsye e frustruar.

Të hënën në Bagdad, sekretari amerikan i mbrojtjes, Leon Paneta, e shtroi pyetjen se a “dëshirojnë ata që ne të mbetemi, ose nuk dëshirojnë që ne të mbetemi” dhe kërkoi që irakianët “ta bëjnë vendimin”.

Logjistika e tërheqjes së mijëra trupave dhe të pajisjes së tyre është e ndërlikuar, por administrata është deklaruar fuqishëm.

Ky duhet të jetë një vendim i Irakut, dhe irakianët duhet të jetojnë me konsekuencat.

Nëse kryeministri i Irakut, Nuri al-Maliki, ose dikush nga liderët e tjerë, me të vërtetë dëshirojnë zgjatjen e marrëveshjes për tërheqje të vitit 2008, ata duhet të flasin qartazi dhe shpejt, dhe ata duhet tu thonë mbështetësve të tyre se përse kjo është gjë e mirë për vendin.

Duke arritur unitetin në çështjen e përbashkët është shpresa më e mirë për neutralizimin e klerikut Moktada al-Sadr, fraksioni pro-iranian i të cilit gjatë ka këmbëngulë, që të gjitha trupat amerikane duhet të largohen.

Nëse mbetet forca amerikane, mandati duhet të përcaktohet me kujdes: me mbledhjen e inteligjencës dhe, kur është e nevojshme, me mbështetjen e forcave irakiane në luftimin e kryengritjes, pastaj duke vazhduar stërvitjet ushtarake dhe mbajtja e patrullave të përbashkëta me arabët dhe kurdët, përgjatë kufirit kontestues të brendshëm.

Qeveria e Irakut duhet të përkushtohet për ndjekje agresive të grupeve militante shiite, që në mënyrë të shtuar i kanë marrë në shënjestër trupat amerikane.

Çfarëdo vendosjeje do të duhej të shqyrtohej periodikisht për të parë se a është ende e nevojshme dhe se a ka ende kuptim.

Presidenti Obama e ka përfunduar rolin luftarak amerikan në Irak dhe po e fillon tërheqjen në Afganistan.

Ai duhet të mbahet përgjegjës për premtimet e tij, por, po ashtu, të jetë i përgatitur ta modifikojë politikën e tij kur kjo gjë është e nevojshme.

Nëse Iraku kërkon, ne mendojmë se ne do të duhej të themi po. Por, vetëm nëse Iraku kërkon. (f. b.)
XS
SM
MD
LG