Ndërlidhjet

Ndërkombëtarët kërkojnë zgjidhjen e imunitetit


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Edhe pse debatit medial për këtë çështje, përveç kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, dhe kryeministrit Hashim Thaçi, i janë bashkangjitur në ditët e fundit edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, dhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Feith, nuk është arritur të qartësohet se kush dhe si do t’i përgjigjet kërkesës së EULEX-it.


Në misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovës thanë se arsyeja se përse i është drejtuar kërkesa për heqjen e imunitetit të deputetëve kryetarit të Kuvendit të Kosovës, e jo ndonjë institucioni tjetër, janë pasojat eventuale, të cilat do të preknin vetë deputetët e Kuvendit.

Zëdhënësi i këtij misioni, Blerim Krasniqi, tha se meqë bëhet fjalë për deputetët kosovarë, kërkesës së tillë duhet t’i përgjigjet legjislativi i vendit.

“Arsye se përse i është dërguar Kuvendit të Kosovës është faktikisht kjo çështje: së pari ndikon drejtpërdrejt te deputetët, është çështje që ka të bëjë me imunitetin e deputetëve. I është kërkuar Kuvendit të nxjerrë një rezolutë ku kërkohet nga Qeveria e Kosovës ta referojë çështjen e imunitetit te Gjykata Kushtetuese”, u shpreh Krasniqi.


Mirëpo, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, duket se nuk e ka ndërmend të ndryshojë qëndrimin lidhur me kërkesën e EULEX-it që legjislativi i vendit të iniciojë procedurën për heqjen e imunitetit të ligjvënësve.

Pas kthimit nga vizita që zhvilloi në Bruksel, Krasniqi tha se duhet vepruar sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

“Çështja e imunitetit të deputetëve është e përcaktuar mirë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi dhe duhet të ndiqet ajo që e ka përcaktuar Kushtetuta dhe ligjet tona”, deklaroi Krasniqi.

Ligjvënësit kosovarë

Sipas nenit 75 të Kushtetutës së Kosovës “deputetët e Kuvendit gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi për veprimet dhe vendimet e tyre brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre si deputetë të Kuvendit”.

Imuniteti thuhet se nuk pengon ndjekjen penale të deputetëve të Kuvendit për veprimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive së tyre si deputetë të Kuvendit.

Mirëpo, theksohet po ashtu se “deputeti i Kuvendit nuk mund të arrestohet dhe as ndalohet përderisa është duke kryer detyrat e tij/saj si deputet i Kuvendit, pa pëlqimin e shumicës së të gjithë deputetëve të Kuvendit”.

Çështjen e heqjes së imunitetit të deputetëve e kanë komentuar dhe përfaqësuesit e mekanizmave ndërkombëtar në Kosovë.

Ambasadori amerikan, Kristofer Dell, përmendi ditë më parë, nenin 9 të Ligjit të për deputetë, duke theksuar rëndësinë që Gjykata Kushtetuese ta sqarojë këtë çështje.


Qartësi në debatin për heqjen e imunitetit të deputetëve nuk ka mundur të sjellë as Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë.

Zëdhënësi i ICO-së, Endi Mekgafi, përmes një deklarate me shkrim, i tha Radios Evropa e Lirë se, “ICO-ja po e përcjell këtë çështje nga afër dhe i inkurajon të gjitha palët e përfshira që të shikojnë përtej interesave politike dhe të marrin në konsideratë reputacionin e institucioneve të pavarura dhe reputacionin e vetë Kosovës, si dhe çështjen themelore të sundimit të ligjit”.
XS
SM
MD
LG