Ndërlidhjet

Kush po e fsheh vrasjen e Estemirovës?

  • RFE /RL

Natalia Estemirova

Grupet për të drejtat e njeriut pretendojnë se shërbimet e fshehta ruse po i mbrojnë ata që qëndrojnë pas vrasjes së Natalia Estemirovës, një aktiviste për të drejtat e njeriut në Kaukazin Verior. Estemirova qe rrëmbyer dhe vrarë më 15 korrik të vitit 2009 në Grozni. Në një raport të pavarur, që është zbuluar për media, grupi rus për të drejtat e njeriut “Memorial” dhe gazeta “Novaja gazeta”, paralajmëruan presidentin rus, Dimitrij Medvedev, se hetimet në lidhje me vrasjen, po shkonin në “drejtimin e gabuar” dhe se shërbimet e fshehta mund të kenë sajuar një version të rremë të ngjarjes me qëllim që të mbrojnë vrasësit e vërtetë.


Dy vjet më parë, aktivistja për të drejtat e njeriut, Natalia Estemirova, qe rrëmbyer jashtë shtëpisë së saj në Grozni dhe qe qëlluar për vdekje në kokë dhe gjoks.

Në dyvjetorin e vrasjes së saj, gazetarët dhe aktivistët për të drejtat e njeriut brenda dhe jashtë Rusisë thonë se është bërë pak përparim në zgjidhjen e vrasjes së saj dhe bëjnë thirrje për një hetim të pavarur.

Grupi rus për të drejtat e njeriut “Memorial” - punëdhënësi i Estemirovës në kohën kur u vra - ka bashkëpunuar me gazetën e pavarur “Novaja gazeta” dhe me Human Right Watch, për të kryer hetime të pavarura në lidhje me vrasjen e 50-vjeçares.

Gjetjet e tyre ia kanë paraqitur presidentit rus, Dimitrij Medvedev, në javën e kaluar dhe ato sugjerojnë që hetimet janë zhvilluar në drejtimin e gabuar dhe se shërbimet e fshehta kanë sajuar një version të rremë të ngjarjeve për të tërhequr vëmendjen nga vrasësit e vërtetë.

Në përkujtim të dyvjetorit të vrasjes së Natali Estemirova...
Friederike Behr, që punon në zyrën e Amnesty International në Moskë, thotë se raporti i ri nuk fajëson autoritetet specifike, por vë theksin te hendeqet thelbësore në hetimet - përfshirë edhe provat nga ADN-ja e gjetur në thonjtë dhe veshmbathjet e Estemirovës - që e bën të pamundur nxjerrjen e gjykimit se kush qëndron pas vrasjes.

“Nuk është dëshmuar të jetë bindëse teoria e publikuar nga komisioni hetues - se ajo është vrarë nga anëtarët e një grupi të armatosur. Por, edhe për teoritë tjera se ajo është vrarë nga anëtarët e agjencive për zbatim të ligjit, nuk ka prova të mjaftueshme”, thotë Behr.

Medvedvev pati shfrytëzuar përvjetorin e parë të vrasjes së Estemirovës për të njoftuar se autoritetet kishin zbuluar vrasësin dhe tani po shikonin se kush qëndronte pas sulmit.

Hetuesit qeveritarë pretendojnë se aktivistja është vrarë nga kryengritësit çeçen, si hakmarrje ndaj ekspozimit të disa krimeve të kryera nga ta.

Por, një raport i ri i pavarur, konteston këtë teori, duke thënë se rrethanat e vrasjes së Estemirovës drejtojnë kah përfshirja e mundshme e zyrtarëve publikë.

Autoritetet çeçene përfshirë, presidentin Ramzan Kadirov, kanë kritikuar publikisht Estemirovën për raportimin e saj për abuzimin e të drejtave të njeriut në Republikën e Kaukazit Verior, ku përfshiheshin ekzekutimet pa gjyq, zhdukjet dhe torturat nga ana e qeverisë çeçene.

Vetëm disa javë para vdekjes së saj, Estemirova ka ekspozuar një rast të vrasjes pa gjyq nga ana e policisë lokale. Hetuesit federalë, megjithatë, patën dështuar të gjurmojnë rolin e policisë në vrasjen e saj.

Estemirova shpesh herë është kërcënuar dhe sulmuar për shkak të punës së saj.

Rejçel Denber, që punon për Human Rights Watch në Nju Jork, tha se hetimet selektive të autoriteteve “ngrenë më shumë pikëpyetje, sesa zgjidhin ato”.

Ka pasur rrethana të fuqishme rreth vrasjes së Estemirovës që sugjerojnë se mund të ketë pasur përfshirje të zyrtarëve. E dini, kërcënimet që janë bërë kundër Estemirovës dhe të tjerëve sikur ajo, kërcënimet kundër Memorialit, koha e kërcënimeve, llojet e krimeve që Estemirova i ka hetuar - të gjitha këto drejtojnë kah interesimi i fuqishëm i zyrtarëve për t’i bërë dëm asaj”, thotë Denber.

Grupet për të drejtat e njeriut thanë se Qeveria ruse është e obliguar nën ligjet vendore dhe ndërkombëtare që të hetojë rastin e Estemirovës në mënyrë të duhur dhe të përndjekë të gjithë ata që janë përgjegjës, pa marrë parasysh pozitën e tyre.

Pa një përkushtim të tillë, thekson Denber, aktivistët sikur Estemirova do të vazhdojnë të punojnë në Kaukazin Verior nën “rrezik serioz”.

Grupet ruse për të drejtat e njeriut thonë se dëshmitë e ADN-së tregojnë se dy personat e akuzuar për vrasjen e koleges së tyre, nuk e kanë kryer krimin.
Natalia Estemirova, e cila mblidhte të dhëna për abuzimet me të drejtat e njeriut që bënin forcat e sigurisë në Çeçeni, qe rrëmbyer më 15 korrik të vitit 2009 në Grozni.
Lideri i "Memorial"-it, Oleg Orlov.

Trupi i saj, i qëlluar disa herë, është gjetur në provincën fqinje. Hetuesit rusë thanë se dy vëllezër, që i përkisnin një grupi militant islamik, e kishin vrarë Estemirovën. Njëri vëlla qe vrarë nga forcat e sigurisë. Tjetri, Anzor Bashajev, pati ikur në Francë, ku i ishte dhënë azil politik.

Grupi “Memorial” thotë se nga ADN-ja e Anzor Bashajevit është parë se as mostra e tij e as e vëllait të tij, nuk përputhen me djersën e gjetur në rrobat e Estemirovës.

Lideri i “Memorial-it”, Oleg Orlov, përsërit se lideri i Çeçenisë, Ramzan Kadirov, duhet të mbahet përgjegjës për vrasjen e Estemirovës. Orlov thekson se hetimet zyrtare kanë “marrë drejtimin e gabuar”.

Ndërkohë, disa organizata për të drejtat e njeriut, përfshirë Amnesty International dhe Human Rights Watch kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, ku thonë se autoritetet kanë dështuar, që të hetojnë në mënyrë të duhur vrasjen.(a.i.)
XS
SM
MD
LG