Ndërlidhjet

Strategjia e “luftës” kibernetike

  • RFE /RL

Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Ushtria amerikane zbuloi një strategji të re ofensive për mbrojtjen e rrjeteve kompjuterike kundër sulmeve digjitale. Pentagoni bëri të ditur se në fillim të këtij viti kishte pësuar sulmin më të keq të hakerëve në historinë e tij.


Ushtria amerikane zbuloi një strategji të re për mbrojtjen e rrjeteve kompjuterike kundër sulmeve digjitale, duke njoftuar se në marsin e kaluar kishte pësuar njërin nga sulmet më të rënda nga hakerët në historinë e saj.

Ajo tha se thyerja kishte ndodhur kur një agjenci e huaj e zbulimit kishte depërtuar në sistemin kompjuterik të një korporate dhe kishte vjedhur 24 mijë dosje të Pentagonit në një sulm të vetëm.

Nuk u zbulua emri i agjencisë, që është kontraktuese e ushtrisë amerikane dhe as natyra e të dhënave të vjedhura.

Zëvendëssekretari amerikan i mbrojtjes, Uiliam Lin III, bëri të ditur për sulmin të enjten, ndërsa shpalosi strategjinë e re të mbrojtjes kibernetike, e cila do të lëvizë nga mbrojtja pasive e sistemeve kompjuterike të ushtrisë në atë, ku hapësira kibernetike shihet si një “domen operativ” dhe forcat amerikane do të mund të trajnohen kundër sulmeve.

Duke folur në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare, ai tha se Pentagoni duhet të përgatitet për të reaguar ndaj akteve armiqësore në hapësirën kibernetike, ashtu sikur në “tokë, ajr dhe det.”

“Shtetet e Bashkuara rezervojnë të drejtën, nën ligjet e konfliktit të armatosur, që të reagojnë ndaj sulmeve serioze kibernetike me një reagim proporcional dhe të justifikuar ushtarak në kohën dhe vendin që ato zgjedhin”, tha Lin.

Ai e quajti ndryshimin, një “lëvizje strategjike”, duke thënë se masat aktuale kanë dështuar të ndalojnë humbjen e informatave të ndjeshme.

Lin theksoi se “mbrojtja dinamike” do të kërkojë shkurajimin e sulmuesve potencialë, të cilët do të kërkojnë në internet, në vend se të presin për ndonjë sulm.

Ai tha se strategjia do të përgatisë ushtrinë për një kërcënim, në zhvillim e sipër, duke thënë se SHBA-të dëshirojnë të shmangin militarizimin e hapësirës kibernetike, por planifikojnë që të sigurojnë sisteme kompjuterike strategjike.

Kjo strategji ka të bëjë me atë, se qëndrimi ynë në hapësirën kibernetike duhet të pasqyrojë qëndrimin për ofrimin e sigurisë për tërë kombin. Kryesisht, qëllimi ynë i parë është që të pengohet lufta. Këtë po e bëjmë pjesërisht, duke u përgatitur”, theksoi Lin.

Sulmi i fundit në muajin mars ilustron vështirësitë, me të cilat po përballet Pentagoni në mbrojtjen e rrjeteve kompjuterike, përfshirë edhe ato private.
Lin tha se strategjia e re është nxitur nga shfaqja e mjeteve te reja që hakerët mund t’i përdorin për të shkatërruar “rrjetet e rëndësishme”.

"Si rezultat i këtij kërcënimi, një shtypje e tastit në një shtet mund të ketë ndikim në pjesën tjetër të globit, sa hap e mbyll sytë. Në shekullin XXI, bitët dhe bajtët mund të jenë kërcënues po aq sa edhe plumbat dhe bombat”, u shpreh Lin.

Strategjia e re është pjesa e fundit e shtyrë nga administrata Obama, që ka për qëllim mbrojtjen e sistemeve kompjuterike të qeverisë dhe kompanive private. Ajo bën thirrje për zgjerim të bashkëpunimit me agjencitë tjera qeveritare dhe aleatët e SHBA-ve jashtë vendit.

Ushtria amerikane operon me më shumë se 15 mijë rrjete kompjuterike dhe 7 milionë kompjuterë në tërë botën.

Lin tha se rrjetet janë sulmuar miliona herë brenda ditës dhe se të dhëna prej disa terabajtësh janë vjedhur nga rrjetet kompjuterike të ushtrisë dhe kompanive të mbrojtjes në dekadën e kaluar.

Vjedhjet përfshinin planet për sistemet raketore, teknologjinë përgjuese, sistemet satelitore të komunikimeve... Lin vlerësoi se humbja ekonomike nga këto vjedhje, arrin në 1 trilion dollarë.

Lin tha se vjedhjet në muajin mars kishin në shënjestër një kontraktues të zhvillimit të sistemeve të armatimit dhe se Pentagoni “e kishte idenë” se kush qëndronte pas. Për sulmet e mëhershme kibernetike qe fajësuar Rusia dhe Kina.(a.i.)
XS
SM
MD
LG