Ndërlidhjet

Anulohet ndalimi i Dacit për të ushtruar funksione publike


Një trup gjykues, i përzier me dy gjykatës kosovarë dhe një të EULEX-it në Gjykatën Supreme, në aktvendimin e tyre lidhur me ankesën e parashtruar, kryesisht e kanë konfirmuar, ndërsa e kanë ndryshuar pjesërisht vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë kundër Nexhat Dacit dhe Ahmet Alishanit.

Gjykata Supreme e vërtetoi dënimin e Nexhat Dacit për shpërdorim të detyrës si dhe dënimet e shqiptuara, ndërsa e anuloi ndalimin e tij për të ushtruar funksione publike, thuhet në komunikatën e EULEX-it.

Sipas së njëjtës, Gjykata Supreme e ka modifikuar aktgjykimin e shkallës së parë vetëm për arsye formale për sa i përket kontributit të Ahmet Alishanit, dhe i ka rishkruar pjesët përkatëse të dispozitivit, deri sa u vërtetua cilësimi i kontributit të Ahmet Alishanit si ndihmë në shpërdorim të detyrës së kryer nga Nexhat Daci.

Rasti kishte të bënte me blerje të pasurisë dhe shërbimeve me urdhër të Nexhat Dacit e që u paguan nga buxheti i Kuvendit të Kosovës, kurse u përdorën privatisht. Nexhat Daci në atë kohë ishte kryetar i Kuvendit, kurse Ahmet Alishani ishte këshilltar për siguri i kryetarit të Kuvendit.

Gjykata e Qarkut në vitin 2010 e shpalli Nexhat Dacin fajtor për shpërdorim të detyrës dhe e dënoi me një vit e 6 muaj burgim.

Ahmet Alishani kishte ndihmuar në këtë vepër penale dhe u dënua me 6 muaj burgim. Të dyja dënimet u patën pezulluar për një periudhë verifikimi prej 2 vjetësh.

Përveç kësaj, gjykata e kishte shqiptuar ndalimin e ushtrimit të funksionit publik për dy vjet pas vuajtjes së dënimit.
XS
SM
MD
LG