Ndërlidhjet

Beogradi distancohet nga strukturat në veri


Qeveria e Serbisë

Qeveria e Serbisë

Autoritetet në Serbi, edhe pse me kontradikta, gradualisht po distancohen nga liderët serbë ekstremë të veriut të Kosovës. Kjo reflektohet edhe nga replikat e fundit ndërmjet shefit të ekipit të Beogradit në dialogun me Prishtinën, Borislav Stefaniviq, dhe krerëve serbë të Mitrovicës. Këto replika u shkëmbyen pas marrëveshjeve të arritura me ekipin negociator nga Prishtina.


Përderisa ndërmjetësuesi nga Bashkimi Evropian në dialogun Kosovë - Serbi, Robert Kuper, po bisedon me nikoqirët e tij në Prishtinë dhe Beograd, në përpjekje për të inkurajuar arritjen e marrëveshjeve ndërmjet të dyja palëve, liderët serbë në veri të lumit Ibër, në vazhdimësi përsërisin akuzat, duke thënë se marrëveshjet e arritura janë tradhti nga qeveritarët në Beograd dhe hyrje në rrugën drejt pranimit të pavarësisë së Kosovës.

Një gjë të tillë e tha edhe Millan Ivanoviq, përfaqësues i të ashtuquajturës linjë e fortë në veriun e Kosovës dhe kryetar i Këshillit Kombëtar Serb, i cili i kundërshtoi bisedimet dhe marrëveshjet e arritura.

“Nuk është dashur që të arrihet deri te këto marrëveshje. Serbët nuk do të fitojnë asgjë nga to”, tha Ivanoviq.

Kërkesa ndaj Serbisë për ndërprerjen e dialogut me Kosovën u dëgjua edhe katër ditë më parë në Zveçan nga i ashtuquajturi Kuvend i Bashkësisë së Komunave Serbe të Kosovës.

Aty u deklarua se marrëveshjet e arritura paraqesin tradhti dhe se ato çojnë drejt pranimit të pavarësisë së Kosovës.

Por, Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë serbe, tha për Radion Evropa e Lirë se mesazhet e tilla vijnë kryesisht nga opozita politike, e cila po e keqpërdorë temën e Kosovës, për t’i pozicionuar më mirë subjektet e veta për zgjedhje.

Oliver Ivanoviq

Fushata e tyre ka filluar dhe të gjitha këto deklarata duhet parë në atë prizëm. Këto vijnë kryesisht nga Partia Demokratike e Serbisë, Partia Radikale Serbe dhe Partia përparimtare serbe, të cilat janë në opozitë. Ato po sulmojnë gjithçka që po bën koalicioni qeverisës, ndonëse mendoj dhe kam frikë së po e keqpërdorin shumë herë temën për Kosovën, në mënyrë që të kenë një pozicionim sa më të mirë parazgjedhor”, theksoi Ivanoviq.

Ai shtoi se në porositë e tilla nuk përmbajnë asnjë zgjidhje konstruktive, por vetëm qëndrime negative dhe akuza për ato që i bën koalicioni qeveritar në Serbi.

Faktin se Qeveria e Serbisë gradualisht po fillon të tregojë një nivel të zvogëluar të tolerancës ndaj qëndrimeve të grupit të liderëve serbë të veriut të Kosovës, e ilustron më së miri udhëheqësi i grupit negociator serb, Borisllav Stefanoviq, i cili replikoi ashpër në akuzat që i bën Millan Ivanoviq, për tradhti.

“Kjo është një politikë e parullave dhe ajo nuk ka zgjidhur asgjë tash e 20 vjet. Këto tash janë zgjidhjet e para pas 20 vjetëve. Kemi gjetur zgjidhje praktike, ndërkaq, sipas tyre, ato nuk vlejnë. Por, ato nuk vlejnë për ata, të cilëve më së paku ju përket. Zoti Ivanoviq e di këtë”, deklaroi Stefanoviq.

Ai gjithashtu u tregua i ashpër edhe në Kuvendin e Serbisë, ku deputetët e Koshtunicës dhe ata të Partisë Radikale e akuzuan për tradhti.

Borislav Stefanoviq

Kujt do t’i besojnë qytetarët? Ndoshta do t’iu besojnë atyre që pas 20 vjetëve kanë sjellë rezultate konkrete. E, ju pastaj po e përqeshni këtë dhe do të thoni se nuk janë kurrfarë rezultatesh. E cili duhet të jetë rezultati, sipas jush? Mos bëni asgjë, por rrini ulur aty ku jeni dhe vdisni prej asaj që jeni serbë. Nëse ky është rezultati, unë e refuzoj”, u shpreh Stefanoviq në Kuvendin e Serbisë.



Ndryshe, analisti i çështjeve politike, Dejan Vuk Stankoviq, i tha Radios Evropa e Lirë se ekzistojnë paralajmërime të qarta se Beogradi po distancohet nga serbët ekstremë të veriut të Kosovës.

Fundja, vetë procesi i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, gjegjësisht, deklarata paraprake për mirëkuptim ndërmjet Ketrin Eshton dhe Boris Tadiqit kanë paralajmëruar këtë. Mendoj se është bërë një shkëputje nga politika e kohës së Koshtunicës, madje deri diku edhe nga retorika, të cilën në mënyrë të fuqishme dhe shpesh herë edhe mjaft provokative, e ka prezantuar Vuk Jeremiq”.

“Kjo kthesë, gjegjësisht kjo kredo intelektuale e Stefanoviqit, paralajmëron se në Beograd megjithatë janë ulur njerëzit, të cilët janë të gatshëm të pranojnë se është e nevojshme zgjidhja e problemeve konkrete të përditshme në relacionin Kosovë - Serbi. Do të thotë, qëndrimi i Borko Stefanoviqit është një lëvizje pozitive në drejtim të mirëkuptimit dhe pozicionit të Serbisë ndaj Kosovës dhe gjithë atij procesi delikat të bisedimeve, i cili aspak nuk do të jetë i thjeshtë”,
vlerësoi Dejan Vuk Stankoviq.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG