Ndërlidhjet

Një komb - një pasaportë, mision i pamundur


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Aleanca Kuq e Zi, që përfshin në vete aktivistë nga trojet etnike shqiptare në hapësirat e Ballkanit, ka hapur një debat publik duke kërkuar që të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, të kenë një pasaportë.

Por, ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Bajram Rexhepi, ka sqaruar se kjo nismë është e pamundur të realizohet.

Duke folur në emër të shtetit të Kosovës, Rexhepi ka rikujtuar se Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete të pavarura dhe, praktikisht, ideja një komb një pasaportë nuk ka të bëjë me politikat e të dyja vendeve.
Jemi dy shtete të pavarura me raporte shumë të mira dhe nuk i kemi në plane tona bashkimin kombëtar.



“Ne jemi dy shtete sovrane të pavarura dhe praktikisht është e pamundur, pra është një projekt i Aleancës Kuq e Zi, që është e drejtë e tyre të mendojnë, por praktikisht është e pamundur. Jemi dy shtete të pavarura me raporte shumë të mira dhe nuk i kemi në plane tona bashkimin kombëtar”, ka deklaruar Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, Kreshnik Spahiu, aktivist i Aleancës Kuq e Zi, thotë se politika shqiptare ka bërë që jo të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë të kenë një pasaportë.

“ ‘Ti Shqipëri më ep; nder më ep emrin shqiptar’ dhe unë do filloja këtë diskutim se Shqipëria vërtet na ka dhënë nder, por Shqipëria ende nuk ua ka dhënë emrin shqiptar. Në dilemën pse shqiptarët quhen kosovarë, tetovarë, shqiptarë, unë do t’ju jepja një përgjigje - sepse juridikisht shteti shqiptar nuk u jep bashkëkombësve të vet emrin shqiptar”, është shprehur Spahiu.

Çështja e pasaportave ndërlidhet edhe me izolimin e Kosovës në aspektin e lirisë së lëvizjes.
Pasaportat e Republikës së Kosovës

Jeton Sopaj, një qytetar nga komuna e Suharekës, ka treguar se ai tashmë është pajisur me pasaportë shqiptare. Ndonëse ka edhe pasaportën e Kosovës, për shkak të pamundësisë së lirisë lëvizjes, ai ka thënë se çmon më tepër pasaportën e Shqipërisë, me të cilën mund të lëvizë pa pengesa nëpër vende të ndryshme të Evropës.

“Qëllimi pse jam pajisur me pasaportë shqiptare, është lëvizja e lirë. E kam pasaportën kosovare, por nuk më kryen punë, gjithmonë jam shërbyer me pasaportë shqiptare. Është privilegj dhe përparësi karshi pasaportave të Kosovës”, ka treguar Jeton Sopaj.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë bërë me dije se Kosova ka mbetur e fundit në procesin e liberalizimit të vizave.

Arsyet janë teknike dhe politike, por përderisa këto arsye të mos sqarohen nga Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian, qytetarët mendojnë që të kërkojnë edhe alternativa tjera.
XS
SM
MD
LG