Ndërlidhjet

logo-print

(S)Forcohet roli i shqiptarëve në Qeverinë e re


Qeveria e Maqedonisë

Qeveria e Maqedonisë

Pas dorëzimit të programit qeveritar dhe emrave të ministrave të rinj nga mandatari për formimin e Qeverisë së re, Nikolla Gruevski, kryeparlamentari Trajko Veljanovski pritet të caktojë seancën parlamentare për zgjedhjen e Qeverisë së re, brenda 15 ditëve.

Analisti politik nga Tetova, Hasan Jashari, thekson se partia shqiptare, me gjithë faktin se do të drejtojë për herë të parë dy dikastere të rëndësishme siç është ajo për Euro-integrime dhe i Mbrojtjes, që do të drejtohet nga Fatmir Besimi, nuk ka arritur të marrë pjesën e merituar ose, siç shprehet ai, të dëshmojë se shqiptarët janë bashkëqeverisës dhe si të tillë të diktojnë edhe politikat që janë me prioritet për shqiptarët e Maqedonisë.


“Përderisa bisedon për raste, për fate personale, atë se çka do të bëhet me rastet e Hagës, atëherë çdo gjë tjetër bëhet dytësore, e tretë... Çështje dytë është kapaciteti profesional i vetë partisë shqiptare, e cila fitoi shumicën, por që nuk ka kapacitet intelektual edhe vizion për ndërtimin e së ardhmes”, thotë Jashari.

Ndërkaq, për Stevo Pendraovskin, nga Universiteti i Nju Jorkut në Shkup, përzgjedhja e Teuta Arifit, e cila emërohet zëvendëskryeministre për çështje të integrimeve, është shumë e qëlluar për shkak të bekgraundit të saj në këtë lëmi.

“Zonja Arifi, duhet pranuar se ka një rrugëtim të gjatë, por edhe të suksesshëm profesional edhe politik sa i përket angazhimit të saj në procesin e integrimit të vendit, andaj mund të presim edhe ofertë konkrete sa i përket zgjidhjes së sfidës më të vështirë, me të cilën përballet Maqedonia - e ajo është zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë, njëherësh, me këtë edhe zhbllokimi i procesit euro-integrues”, thekson Pendarovski.

Megjithatë, Pendarovski shton se ajo “kah do të ecë Maqedonia, shumë më shumë varet nga vendimet personale të kryeministrit dhe jo nga përzgjedhja e ekipit të kabinetit të tij qeveritar”.

Sa i përket përgatitjes profesionale të ministrave që do të jenë pjesë e qeverisë së re të kryeministrit Gruevski, edhe Hasan Jashari, ligjërues i Shkencave Politike në UEJL, në Tetovë, thotë se ka pak hapësirë për të shpresuar se do të bëhen ndryshime rrënjësore sa i përket orientimit politik të kryeministrit Gruevski, si në aspektin e marrëdhënieve ndëretnike, ashtu edhe procesin e integrimeve

Mungon kreativiteti për të ofruar zgjidhje konkrete për probleme të caktuara, me të cilat tashmë disa vjet përballet vendi, nuk ka qëndrim kritik për dështimet e së kaluarës. Gjithashtu, mungon dhe vizioni i qartë se kah duhet të ecë Maqedonia. Është e kotë të operohet me poste e ndarje të ministrive mes partnerëve të koalicionit qeveritar dhe me emra të njerëzve, sepse dështimi ka të bëjë me disa pikëpamje tjera, sidomos nga pikëpamja e ideologjisë, nga e cila udhëhiqet kryeministri Gruevski”, shton Jashari.

Ndryshe, shqiptarët do të udhëheqin edhe dikasterin e Ekologjisë, i cili do të drejtohet nga Abdulaqim Ademi, Valon Saraçini, ministër i Ekonomisë, kurse atë të Pushtetit Lokal do ta drejtojë Nevzat Bejta.


Ndërsa, Zoran Stavrevski dhe Vlladimir Peshevski i ruajnë vendet si zëvendëskryeminstra edhe në përbërjen e re qeveritare.

Gordana Jankullovska mbetet ministre e Punëve të Brendshme, si dhe Elizabeta Kancevska – Milevska, ministre e Kulturës.

Ministër i Punëve të Jashtme do të jetë Nikolla Popovski, ambasador i deritashëm në BE. Ministrinë e Shëndetësisë do ta udhëheqë Nikolla Todorov, ndërsa ministër i Arsimit do të jetë Pance Kralev.

Ministër i Transportit dhe lidhjeve do të mbetet Mile Janakievski. Ministra pa resor janë caktuar Nexhdet Mustafa dhe Hadi Neziri
XS
SM
MD
LG