Ndërlidhjet

Dialogu do prekë dhe temat politike


Negociatorët e Kosovës dhe Serbisë

Negociatorët e Kosovës dhe Serbisë

Është hera e parë që një proces negociator, siç është procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përcillet me shumë kundërthënie, ku gjysma e deputetëve të Kuvendit të Kosovës shprehin kundërshtim ndaj këtij procesi, vlerësojnë analistët e çështjeve politike në Kosovë.

Ata theksojnë se hedhja poshtë nga Kuvendi i Kosovës e kërkesës së tri partive opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vetëvendosjes dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë, nga Qeveria e Kosovës mund të kuptohet si sinjal për vazhdimin e dialogut.

Por, në këtë rast, sipas tyre, Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e kujdesshme lidhur me zhvillimet në këtë proces.

Analisti Ismajl Hasani, profesor në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se debatet në Kosovë nuk do të ndikojnë në rrjedhën e procesit të dialogut.

Situata e krijuar dhe dhënia e legalitetit ekipit negociator për bisedimet, nuk e zhvendos agjendën e faktorit ndërkombëtar për bisedat. Kështu që, pritjet janë se diskutimet, përkatësisht bisedat e natyrës së nxehtë politike, janë të paevitueshme. Këtë edhe ekipi negociator e di prej fillimit. Këtë e din edhe Qeveria e Kosovës. Këtë e dinë edhe subjektet politike opozitare, të cilat, mbase do të thosha, pa ndonjë maturi të madhe kanë bërë përpjekje që ta kontestojnë legalitetin. Legaliteti i këtyre bisedimeve nuk është kërkuar nga Kuvendi, nuk është kërkuar nga qeveria”, vlerëson Hasani.

Por, analisti Ylli Hoxha nga Klubi për Politikë të Jashtme, vlerëson se jo çdo çështje legale është edhe legjitime.

Sipas tij, në një proces shtet-formues siç është Kosova, do të duhej të ruhej kohezioni shoqëror, sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me procese shtet-formuese, siç janë bisedimet për të ardhmen e vendit.

Në këtë drejtim, qeveria do të duhej të ishte e kujdesshme ashtu siç ishin edhe qeveritë paraprake, që në të përfshihet edhe opozita shumë më aktivisht dhe të mos ketë kundërshti të mëdha, çfarë i kemi pasur. Unë besoj që qeveria, me atë që ka treguar në tre muajt e fundit, do të vazhdojë me kokëfortësinë e vet, sepse nuk ka rrugë tjetër dalëse. Pra, do të vazhdojë në këtë rrugë, duke shënuar rezultate mediokre, të cilat do të mund të jenë bukur të dëmshme për rregullimin e brendshëm të Kosovës në të ardhmen”, thotë Hoxha.

Hoxha shton se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat siç thotë ai, po thuhet se po bëhen për çështje teknike, do të prekin edhe tema politike mjaft të nxehta.

Këtë sipas tij, e konfirmon edhe deklarata e përfaqësuesit civil ndërkombëtar Piter Feith, që siç thotë ai, ka paralajmëruar që veriu i Kosovës do të jetë një nga temat e dialogut.

Profesor Hasani vlerëson se temat, siç i quan ai, të nxehta politike, janë të pashmangshme.

Janë të pashmangshme. Kur thuhet ‘biseda të nxehta politike’ nënkuptohet gjithçka që është e mundshme, përjashto rastin e zhbërjes së Kosovës, sepse Kosova është realitet. Është njohur nga numri i konsiderueshëm i shteteve që kanë fuqi botërore, në të gjitha aspektet. Të tjera çështje, absolutisht, ekipi negociator i Kosovës është i vetëdijshëm se nuk mund t’i përjashtojë nga tryeza e bisedimeve. Edhe qeveria jonë është e vetëdijshme për këtë punë”, shpjegon Hasani.

Ndërkaq, analisti Hoxha vlerëson se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë absolutisht politike dhe deri më tash janë trajtuar çështjet e lehta në mënyrë që të shkohet drejt çështjeve të cilat janë probleme reale.

Problemi real, sipas tij, është futja e veriut të Kosovës nën kontroll dhe instalimi i rendit dhe ligjit në atë pjesë të vendit.

Kjo çështje, sipas të gjitha gjasave do të vihet në tavolinë. Po që se modeli i zgjidhjes së tri problemeve paraprake do të zbatohet në zgjidhjen e çështjes së veriut, atëherë do të jemi shumë larg nga premtimi që ka dhënë qeveria se do të kemi një sistem unik kushtetues, ligjor, në tërë territorin e vendit. Është shumë më i afërt një paralajmërim, që po e bëjnë ish-negociatorët e Kosovës apo njohës, ekspertë të lëmisë së dialogut, të cilët flasin për tejkalimin e të drejtave të ofruara përmes pakos së Ahtisarit”, thotë Hoxha.

Sidoqoftë, në bisedimet e zhvilluara deri më tash, Prishtina dhe Beogradi janë pajtuar për lirinë e lëvizjes, librat amzë dhe nostrifikimin e diplomave universitare.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG