Ndërlidhjet

logo-print

Probleme me arsim dhe punësim


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Në Kosovë, komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas, vazhdon të përballet me probleme të shumta në fushën e arsimit dhe punësimit, thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare të këtyre komuniteteve dhe përfaqësues institucional.

Pjesëtarët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas, që bashkërisht quhen si komuniteti RAE, po përballen me kushte të vështira, sidomos në fushën e arsimit dhe punësimit, bëjnë të ditur përfaqësues të shoqërisë civile dhe institucionale të këtij komuniteti.

Nexhip Menekshe, nga Qendra për Integrimin e Komuniteteve Etnike, thekson se ky komunitet përballet me kushte të vështira për jetë, për shkak të shkallës se ulët të punësimit të tyre.

Sa i përket punësimit gjendja e komunitetit RAE është shumë e vështirë, sikurse që është vështirë punësimi për të gjithë kosovarët. Por, posaçërisht, punësimi tek komuniteti RAE, nuk është nivelin e duhur. Janë bërë privatizimet, nëpër institucionet publike nuk punësohen për shkak se nuk kanë kapacitete apo nuk kanë shkollimin”, thotë Menekshe.

Sa i përket çështjes se arsimimit, Menekshe thotë se institucionet arsimore në Kosovë kanë lehtësuar procedurat për regjistrim në të gjitha nivelet arsimore për këtë komunitet, por pjesëmarrja e tyre, sidomos në nivelin e lartë është shumë e ulët.

Arsye e kësaj, sipas tij, janë kushtet e vështira socio-ekonomike.

Sa i përket vetëdijes, shumica e prindërve nuk punojnë me fëmijët fare, pasi ata ballafaqohen më kushte të vështira ekonomike dhe të gjithë shikojnë të punojnë, dhe të gjejnë para për bukë. Por, ne, shoqëria civile, angazhohemi dhe kemi zëvendësimin e prindërve, kështu që ne vetë angazhohemi. Kemi përkrahje të madhe, sa i përket Ministrisë së Arsimit, ajo çdo vit ka tolerime ndaj komunitetit, dhe lëshojnë një kuote për regjistrimin pa provim pranues”, thekson Menekshe.

Por, Xhevdet Neziraj, deputet në Kuvendin e Kosovës, nga komuniteti pakicë egjiptas, thotë se të drejtat themelore nuk respektohen njësoj ndaj të gjitha komuniteteve.

Sipas tij, në Kosovë respektohet vetëm pakica serbe.

Sidoqoftë, si problem kryesor të pakicës që përfaqëson, ai përmend arsimin e lartë në Universitetin e Prishtinës.

Problem për komunitetin egjiptas është arsimimi i lartë në Universitetin e Prishtinës, ose në universitete tjera publike, sepse shumë familje nuk kanë mjete të duhura financiare që duhet të investojnë dhe t’i dërgojnë nëpër universitete. Do të thotë, kjo është një problem socio-ekonomik, që ballafaqohet komuniteti egjiptas”, shprehet Neziraj.

Komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas (RAE), njihet zyrtarisht si komunitet i veçantë në Kosovë, dhe sipas Kushtetutës, gëzon të drejtat e barabarta me të gjitha komunitetet tjera.

Në Kosovë llogariten se jetojnë deri në 40 mijë romë, ashkali dhe egjiptas.

Qeveria e Kosovës, tashmë sa herë ka shprehur përkushtimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve.

Për këtë çështje, Kosova gjatë këtyre tri viteve të shtetet-formimit, ka arritur që përmes mekanizmave ligjorë të garantojë dhe të mbrojë të drejtat e të gjitha komuniteteve në vend.

Qeveria e Kosovës ka hartuar strategjinë për integrimin e komunitetit RAE, në dhjetor të vitit 2008, ndërsa plani i veprimit për realizimin e kësaj strategjie gjatë viteve 2009-2015, u miratua në dhjetor të vitit 2009.

Në të gjitha komunat tashmë funksionojnë zyrat për komunitete.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG