Ndërlidhjet

logo-print
Qeveria e Kosovës deri më tani nuk ka treguar rezultate të mira në tërheqjen e fondeve të ndara nga mekanizmat ndërkombëtarë, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike.

Alban Hashani nga Instituti “Riinvest”, konsideron se absorbimi i fondeve është një çështje e rëndësishme në rrugën drejtë integrimit në BE.

Sipas tij, shumica e vendeve të cilat janë anëtare të Bashkimit Evropian, kanë investuar shumë në ngritjen e kapaciteteve për të marrë këto fonde, gjë që, siç thotë Hashani, Kosova nuk e ka bërë.

Në këtë kuadër mendoj se në Kosovë është bërë shumë pak që të krijohen kuadro të mjaftueshme për t’i tërhequr sa më shumë fondet e tilla. Unë konsideroj se edhe projektet e tilla brenda qeverisë që financohen nga buxheti i Kosovës, nuk kanë mekanizma të mjaftueshme, që do të siguronin që këto projekte do të realizohen ashtu siç është paraparë”, thotë Hashani.

Ndërkohë, zyrtarë të Komisionit Evropian kanë deklaruar se për t’i tërhequr 203 milion euro, Qeveria e Kosovës duhet të përpilojë projekte konkrete në fusha të caktuara.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë theksuar se këto fonde në periudhën 2011-2013, do të derdhen për vazhdimin e reformave në sektorin e gjyqësisë, administratën publike, për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Sidoqoftë, njohës të çështjeve ekonomike thonë se Kosova asnjëherë nuk është treguar serioze në tërheqjen e fondeve të cilat kanë ardhur nga mekanizma të ndryshëm financiarë ndërkombëtarë.

Agron Demi nga Instituti për Studime të Avancuara, GAP shprehet:

Në qershor të këtij viti ka përfunduar afati kohor preje tre viteve që nga konferenca e fundit e donatorëve, ku komuniteti ndërkombëtar i kishte premtuar Kosovës 1.3 miliardë euro donacione. Tash kanë kaluar tre vjet dhe nuk e dimë për çfarë janë shpenzuar ato mjete, a janë ardhur të gjitha, dhe në çfarë drejtimi kanë shkuar, kjo për faktin që Qeveria e Kosovës nuk ka një zyre që menaxhon donacionet”.

Moskrijimi i mekanizmave për tërheqjen e fondeve të ndërkombëtare, sipas ekspertëve të ekonomisë, ka bërë që Kosova të pësojë humbje të mëdha.

Agron Demi thotë se ka raste të shumta, ku Kosova ka humbur fondet që kanë qenë në dispozicion për të.

Mungesa e planifikimeve të mira nga Qeveria e Kosovës po bën që fondet ndërkombëtare të cilat janë të dedikuara për Kosovën, po vinë duke u zvogëluar prej vitit të vit, dhe kjo po bën që Kosova të humbas këto fonde, pasi që qeveria nuk ka një planifikim afatgjatë edhe korniza afatmesme e shpenzime e cila kurrë nuk zbatohet. E gjithë kjo po humb edhe besimin edhe tek organizatat e donatorëve”, shprehet Demi.

Edhe Alban Hashani, nga Instituti “Riinvest”, thekson se humbjet janë të mëdha si në aspektin ekonomik edhe në atë politik.

Ai thotë se qeveria duhet të krijojë mekanizma që do të punojnë në tërheqjen e këtyre fondeve.

Kosova humb shumë në tërheqjen e këtyre fondeve para anëtarësimit, për arsye se për këto fonde konkurrojnë edhe vendet tjera e që shumë prej tyre janë futur në garë shumë më herët se sa ne. Dhe rrjedhimisht ne duhet të përshpejtojmë hapat që të tërheqim fonde të tilla”, thekson ai.

Ndryshe, përveç ndihmës financiare nga Komisioni Evropian, pas ndërprerjes së marrëveshjes nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën, mbështetje materiale dhe teknike ka premtuar edhe Banka Botërore, por që ende nuk e ka saktësuar shumën e mjeteve.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG