Ndërlidhjet

logo-print

Kushtetuta e qartë për imunitetin(!)


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Çështja e imunitetit të deputetëve nën hetime mbetet temë debati ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe misionit të EULEX-it.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, insiston që Kuvendi i Kosovës të nxjerrë një rezolutë me të cilën do t’i kërkonte qeverisë të kërkoj nga Gjykata Kushtetuese mendimin në lidhje me imunitetin.

Ndërsa nga EULEX-i, sot nuk janë prononcuar duke arsyetuar këtë se janë ende në shqyrtim të planit B.

Ekspertë të çështjeve penale juridike, thonë se çështja e hetimeve dhe imunitetit të deputetëve është politizuar pa nevojë, pasi që besojnë që Kushtetuta dhe ligjet në fuqi janë të qarta në këtë aspekt.

Profesori i të Drejtës Penale, Ismet Salihu thotë se deputeti gëzon imunitet vetëm për arrestim dhe ndalim për punën e tij si deputet, por jo edhe për hetime dhe procese tjera gjyqësore që zhvillohen nën dyshimet për aktivitete tjera kriminale.

Deputeti nuk mund të arrestohet e as të ndalet, nuk thotë (Kushtetuta dhe Kodi Penal) nuk mund të paraburgoset, nuk mund të ngritet akuza, nuk mund t’i vihen pranga. Vetëm nuk mund të ndalet 6 orë deri në 48 orë, kurse për veprimet që ai i ka kryer jashtë suazave, para se të bëhet deputet, gjatë mandatit ose pas mandatit, nuk ka imunitet”, thekson Salihu.

Misioni i EULEX-it nuk ka arritur të zbatojë një fletë arrestim ndaj deputetit të PDK-së Fatmir Limaj, për shkak të imunitetit të tij si deputet. Andaj, i është drejtuar kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit që të nxjerrin rezolutë me të cilën do t’i drejtoheshin qeverisë që kjo e dyta ta kërkojë mendimin e Gjykatës Kushtetuese për imunitetin.

Por, profesori Ismet Salihu, thotë se nuk e kupton pse EULEX-i ka ndjekur këtë rrugë dhe ka përfshi aty edhe Gjykatën Kushtetuese, kur heqjen e imunitetit mund ta kërkoj prokurori i lëndës.

Zhvillimet aktuale në lidhje me imunitetin dhe rastin e deputetit Fatmir Limaj, profesori Salihu e sheh si një tendencë më tepër për politizim të çështjes.

Politika ka interferuar. Është përzierë tash politika. Në këtë rast ose prokurori i EULEX-it, ose prokurori vendor kosovar kanë mundur drejtpërdrejtë të kërkojnë. Pastaj për këto vepra që pretendohet, dihet për kënd është fjala nuk ka imunitet. Përndryshe për hetime, ngritje të akuzës, caktim të paraburgimit nuk ka imunitet deputeti kosovar”, thotë Ismet Salihu.

Pas letrës së shefit të EULEX-it, drejtuar Kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit për çështjen e imunitetit, dhe përgjigjes së kryeparlamentarit Jakup Krasniqi se kjo nuk është përgjegjësi e Kuvendit, përderisa nuk iniciohet sipas procedurave ligjore, misioni i BE-së ka shqyrtuar edhe opsionin e adresimit të kësaj problematike përmes Kryesisë së Kuvendit dhe grupeve parlamentare.

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca thotë se imuniteti është çështje e institucioneve të vendit dhe nuk ka nevojë që të dramatizohet me letrat e EULEX-it.

Prokurori mund të nis hetime, të inicioj çështje dhe lëndë dhe nëse ka fakte të mjaftueshme për cilindo deputet atëherë mblidhet Kuvendi i Kosovës dhe ia heqim imunitetit filan deputetit dhe këtu s’ka çka përzihet EULEX-i fare”, thekson Konjufca.

Edhe deputeti Arsim Bajrami, një nga hartuesit e Kushtetutës dhe tani kryetar i Komisionit për amandamentim të Kushtetutës, ka vlerësuar se tek imuniteti nuk ka boshllëk juridik.

Procedura është jashtëzakonisht e qartë. Procesi iniciohet nga kryeprokurori i shtetit, procesi zhvillohet brenda Parlamentit të Kosovës. Ekziston Komisioni për imunitete dhe mandate, i cili brenda 30 ditëve duhet të shqyrtojë një kërkesë të tillë dhe një kërkesë e tillë duhet të diskutohet më pastaj në seancë plenare ku ekzistojnë procedurat e votimit. Vetëm nëse komisionet parlamentare kanë paqartësi mund të kërkojnë edhe sqarime apo interpretime të Gjykatës Kushtetuese”, sqaron Bajrami.

Ndërsa përplasjet ndërmjet EULEX-it dhe Kuvendit rreth imunitetit po vazhdojnë, pritet që misioni i BE-së megjithatë të dalë edhe me ide tjera se si do të veprohet për rastet e tilla të hetimeve ndaj deputetëve.

Kështu të paktën, kanë paralajmëruar vetë zyrtarët më të lartë të këtij misioni.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG