Ndërlidhjet

Skandali vazhdon të tronditë Londrën


Rupert Murdok dhe Rebeka Bruks
Rupert Murdok dhe Rebeka Bruks
Rebeka Bruks, ish-shefe ekzekutive e kompanisë mediatike të Rupert Mërdokut, është liruar me kaucion nga burgu.

Ajo ishte arrestuar për shkak të përgjimit të telefonave nga ana e kompanisë, për të raportuar për politikanë, familjen mbretërore, viktimat e krimit dhe sulmet terroriste në Britani e SHBA.

Skandali në fjalë i ka kushtuar me vendin e punës edhe komisionarit të policisë në Londër, Pol Stefenson.

Ky i fundit ka thënë se nuk ka bërë asnjë gabim, por dorëheqjen e ka dhënë për shkak të pretendimeve dhe akuzave për ndërlidhje midis policisë londineze dhe tabloidit britanik të Rupert Murdokut.

Shembulli i fundit i heroizmit dhe guximit të pjesëtarëve të policisë në ndjekjen e të dyshuarve të armatosur, të përfshirë në plagosjen e një pjesëtari tjetër policie, është tipik, por ekziston rreziku që ata të vihen nën hijen e debatit të vazhdueshëm për marrëdhëniet midis zyrtarëve të lartë të policisë dhe medias. Kjo kurrë nuk mund të jetë e drejtë”, ka thënë Setfenson.

Kryeministri britanik, Dejvid Kameron, ka thënë se skandali ka prekur thellë besimin publik në polici. Ai ka folur sot një një konferencë për shtyp në Pretoria, së bashku me presidentin e Afrikës së Jugut, Xhejkob Zuma.

Situata në Shërbimin Policor Metropolitan është vërtet mjaft ndryshe me situatën në qeveri – jo pak për shkak të çështjeve që Shërbimi Policor po kërkon. Çështjet rreth tyre kanë pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në besimin e publikut, në hetimet e policisë në ‘News of the World’, e në fakt edhe në vetë policinë”, ka thënë Kameron.

Ai ka ndërprerë udhëtimin pesë-ditor në Afrikë, për shkak të kritikave për braktisje të Britanisë gjatë kohës së skandalit.

Kameron ka thënë se do të kërkojë nga Parlamenti, i cili kishte planifikuar të niste pushimet të martën, të mblidhet edhe një ditë, për të dëgjuar deklaratat e tij lidhur me çështjen.

Qeveria thotë se nuk i ka bërë presion Stefensonit për të dhënë dorëheqje.

Duke e falënderuar atë për punën e tij, Kameron i ka bërë thirrje policisë të bëjë gjithçka të mundur për të përfunduar hetimet.

Hetimet e Shërbimit Policor Metropolitan duhet të bëhen kudo që drejtojnë provat. Ata duhet të hetojnë pa frikë apo favorizim. Unë e kam thënë këtë në mënyrë të përsëritur”, u shpreh Kameron.

Murdokët pritet të paraqiten në dëgjime parlamentare të martën, së bashku me ish-shefen ekzekutive të “News International”, Rebeka Bruks.

Kjo e fundit është zyrtarja më e lartë që është arrestuar në lidhje me skandalin.

Ajo ishte redaktore e “News of the World” më 2002, kur gazeta kishte punësuar një hetues privat për të përgjuar telefonin mobil të nxënëses së vrarë Milli Doller, pasi ajo ishte zhdukur.

Ai po ashtu ishte urdhëruar të fshinte mesazhet e saj me zë.

Kreu i Partisë së Punës në opozitë, Ed Milliband, ka kërkuar shpërbërjen e kompanisë “News Corporation”, duke thënë se skandali është rezultat i “papërgjegjshmërisë”. (v.t.)
XS
SM
MD
LG