Ndërlidhjet

Mesiq: Serbia të mos pengojë bashkëpunimin

  • RFE /RL

Stjepan Mesiq

Stjepan Mesiq


Serbia nuk guxon të pengojë të tjerët që duan të bashkëpunojnë me Kosovën, ka thënë sot në Prishtinë, ish presidenti kroat, Stjepan Mesiq, pas takimit që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Zoti Mesiq, është takuar edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe zëvendëskryeministrin, Behxhet Pacolli, me ftesën e të cilit edhe është realizuar vizita e zotit Mesiq në Kosovë.

Ish presidenti kroat ka shfrytëzuar takimin e sotëm me zotin Thaçi për të bërë thirrje për bashkëpunim më të thellë rajonal.

Në këtë rajonin tonë, ne mund ta ndhmojmë njëri-tjetrin nëse bashkëpunojmë. Serbia mund të mos e njohë Kosovën, por nuk guxon të pengojë të tjerët që bashkëpunojnë me të
Në këtë rajonin tonë, ne mund ta ndhmojmë njëri-tjetrin nëse bashkëpunojmë. Serbia mund të mos e njohë Kosovën, por nuk guxon të pengojë të tjerët që bashkëpunojnë me të. As Gjermania Perëndimore nuk e ka njohur asnjëherë Gjermaninë Lindore, por Gjermania Perëndimore nuk i ka penguar asnjëherë asaj Lindore që të bashkëpunojë me vendet tjera”, ka thënë Mesiq, duke e vënë theksin tek bashkëpunimi ekonomik në radhë të parë, gjë që, sipas tij, do të mundësojë edhe bashkëpunimin në nivelet tjera.

Për këtë, kemi nevojë për ndihmën e Evropës dhe komunitetit ndërkombëtar, përfshirë këtu edhe Kombet e Bashkuara”, ka thënë Mesiq.

Nëse një popull dëshiron pavarësinë e vet, shtetin e vet, ai njëkohësisht dëshiron edhe të jetojë më mirë, në mënyrë më të kulturuar dhe më cilësore, por për këtë duhen mjetet. Prandaj, tani është e rëndësishme të zhvillohet ekonomia”, ka thënë ish presidenti kroat, duke bërë thirrje edhe për aktivizimin e resurseve që Kosova ka në këtë rrafsh.

Ai edhe me këtë rast ka rikujtuar se me zhbërjen e Jugosllavisë, elementet konstituive kanë pasur të drejtën për pavarësinë e tyre, përfshirë këtu edhe Kosovën, si një nga element konstituive të ish federatës.

Vizita e ish presidentit kroat për qëllim ka edhe promovimin e librit të tij “Si u shkatërrua Jugosllavia”.

Të mërkurën ndërkaq, ai do të nderohet me titulln “Doctor Honoris Causa” nga universiteti AAB-Riinvest.

Në vizitën e fundit në Kosovë, në janar të 2010-ës, Mesiq ishte dekoruar me “Medaljen e Artë të Pavarësisë” dhe ishte shpallur “Qytetar Nderi i Prishtinës”. (a.v.)
XS
SM
MD
LG