Ndërlidhjet

Miliona euro humbje


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Tani shtatë muaj Kosovës i mungojnë preferencat tregtare, të cilat i vendos Bashkimi Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Humbjet ekonomike, sipas përfaqësuesve të bizneseve janë disa milion euro. Ata kërkojnë masa urgjente nga institucionet e Kosovës.

Produktet kosovare që nga fillimi i këtij viti nuk mund të eksportohen në vendet e Bashkimit Evropian, pa iu nënshtruar tarifave doganore apo kufizimeve për sasitë.

Përfaqësues të bizneseve thonë se më ndërprerjen e preferencave tregtare, Kosova ka humbur milion euro eksport.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini thotë për Radio Evropa e Lirë se mungesa e preferencave ka bërë që shumë kompani të humbin një pjesë të madhe të tregjeve të eksportit.

Preferencat tregtare të cilat Kosova i ka gëzuar për më tepër se 10 vite, të cilat nuk janë vazhduar në fund të vitit të kaluar, në ekonominë kosovare, kanë pasur një ndikim negativ. Kjo ka bërë që Kosova të humb disa milionë euro eksport, ndërkaq disa kompani janë në një pozitë të palakmueshme, pasi që ato kanë pasur treg vetëm në vendet e Bashkimit Evropian”, thekson Shahini.

Përveç efekteve negative që janë shkaktuar në eksport, sipas Shahinit ndalimi i preferencave ka pasur ndikim edhe në efektin e punësimit, në pozitën konkurruese, si dhe në humbjen e partnerëve.

Ai thekson se institucionet vendore dhe ndërkombëtare, deri më tani nuk kanë bërë asgjë që këto preferenca të vazhdohen.

Mbetet që më tutje të bëhet presion nëpër institucionet ndërkombëtare për të vazhduar këto preferenca, pasi që këtë vit Kosovën po e përcjellin ngjarje jo të mira, raporte jo të mira, suspendimi nga programet financiare dhe të gjitha këto, bëjnë që Kosova edhe ekonomia e saj të jetë për çdo vit më e dobët”, shtoi ai .

Një ndër bizneset e shumta të cilat kanë pësuar nga mos vazhdimi i preferencave tregtare është Vreshtaria dhe Veraria “Stone Castle” në Rahovec.

Menaxheri i kësaj kompanie, Shani Mullabazi, thotë se humbjet në këtë kompani janë shumë të mëdha, pasi që me produktet e tyre, tani janë jo konkurrues.

Kështu jemi jo konkurrues edhe në rajon, pasi që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar marrëveshje të stabilizim asocimit, dhe si refleksion të kësaj, eksportojnë në Bashkimin Evropian me preferenca, pa pagur dogana. Ne jemi të vetmit që paguajmë taksë doganore dhe që blerësit tonë janë të detyruar të paguajnë 10 euro për litër të vërës”, tregon Mullabazi.

Hapat e marrë nga Qeveria e Kosovës për vazhdimin e këtyre preferencave tregtare, sipas Shani Mullabazit kanë qenë pa rezultate.

Rezultate konkrete nuk ka, duhet ndërmarrë sa më shumë aktivitete. Pasi që kemi prezencën e ndërkombëtareve, duhet përdor çdo mjet komunikimi, në mënyrë që të bindim dhe të na mundësojnë zhvillimin ekonomik, pasi që pa zhvillim ekonomik ky vend nuk ka të ardhme”, thotë ai.

Në anën tjetër, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë kohë më parë, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se institucionet e BE-së po mundohen që përmes Komisionit Evropian të arrijnë një konsensus, që në shtator të këtij viti, kjo çështje të zgjidhet.

Ndryshe, sipas deklaratave të zyrtarëve të qeverisë, Kosova nuk gëzon këto preferenca si rrjedhojë i një problemi politik, i cili është iniciuar prej vullnetit të mirë të Mbretërisë së Shteteve të Bashkuara, për të ndërruar denominimin e Kosovës, gjegjësisht jo të jetë e thirrur si Kosovë sipas rezolutës 12 44, por të jetë e thirrur si Kosovë pa ndonjë paragjykim ndaj statusit.
XS
SM
MD
LG