Ndërlidhjet

logo-print

EULEX-i insiston për qartësim të imunitetit


Ligjvënësit kosovarë (Foto nga arkivi)

Ligjvënësit kosovarë (Foto nga arkivi)

Shefi i misionit të EULEX-it, Ksavier de Marnak, ka përsëritur kërkesën e tij drejtuar Kuvendit për qartësimin e imunitetit të deputetëve nën hetime. Ai ka thënë se ky qartësim është shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe sundimin e ligjit. Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, duke mos u pajtuar me kreun e EULEX-it, ka deklaruar sërish se çështja e imunitetit është shumë e qartë.


Misioni i EULEX-it ka vazhduar të insistojë dhe të kërkojë nga Kuvendi i Kosovës që ta qartësojë imunitetin e deputetëve.

Shefi i EULEX-it, Ksavier but de Marnak, ka thënë të martën se qartësimi nuk do të marrë edhe shumë kohë, por e ka ftuar Kuvendin e Kosovës që të veprojë konkretisht në këtë drejtim.
Ksavier bu de Marnak

“Ne kemi dashur që të kemi disa qartësime në lidhje me imunitetin e anëtarëve të Parlamentit dhe që kjo të kalojë në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Marnak, duke e vlerësuar të rëndësishme që ligjvënësit ta mbështesin këtë qartësim.

Këto komente ai i ka adresuar para mediave pas një vizite që i ka bërë Prokurorisë së Kosovës.

“Siç e dini, edhe Brukseli e ka përkrahur nevojën e qartësimit të kësaj çështjeje. Pra, ne po punojmë në këtë drejtim për të gjetur mënyrën më të mirë që të arrijmë te ky sqarim që besoj është i rëndësishëm për Kosovën dhe sundimin e ligjit”, është shprehur Marnak.

Ai nuk ka dashur të flasë se për cilin deputet konkretisht flitet, por ka vlerësuar se është në legjitimitetin e plotë të Kuvendit që të adresojë këtë çështje për shkak se ka të bëjë me deputetët.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka deklaruar sërish se Kuvendi e ka të qartë çështjen e imunitetit, kurse ata që kanë paqartësi, i ka këshilluar që t’i drejtohen vetë Gjykatës Kushtetuese.

Pavarësisht insistimeve të EULEX-it që Kuvendi të miratojë një rezolutë, me të cilën do ta ftonte Qeverinë që ta kërkojë edhe mendimin e Gjykatës Kushtetuese, kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se ia ka sqaruar EULEX-it se ka zgjidhje kushtetuese e ligjore, pa pasur nevojë që të shkohet, në rrugën që e ka paraparë ky mision.

Sa i përket Kuvendit, ai ka thënë se aty mund të iniciohen procedura, qoftë në amandamentimin e ligjit për deputetët, apo edhe procedura tjera që çojnë kah heqja e imunitetit.
Jakup Krasniqi

“Ka procedura, me anë të të cilave mund të zgjidhet kjo çështje, qoftë duke amandamentuar ligjin për deputetët, se në cilat raste deputeti i Parlamentit nuk do të ketë imunitet”.

“Mundësia tjetër është që prokurori i përgjithshëm të kërkojë heqjen e imunitetit për ndonjërin nga deputetët e Kuvendit apo ekstremi tjetër, një grup deputetësh apo grupet politike në Kuvend, të merren vesh për një rezolutë, me anë të së cilës heqin dorë vullnetarisht nga imuniteti që e kanë me ligj”
, ka sqaruar kryeparlamentari kosovar.

Por, zyrtarët evropianë kanë insistuar që Kuvendi ta thotë fjalën e vet kur bëhet fjalë për hetimet ndaj ligjvënësve.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, ka thënë se qëndrimet e saj për imunitetin e deputetëve do t’i bëjë publike të mërkurën, në ditën e tretë përmbyllëse të vizitës së saj në Kosovë.
Ulrike Lunacek

“Njëra prej arsyeve kryesore të vizitës sime këtu është pikërisht të informohem me çështjen e imunitetit të deputetëve".

"Konsultat me akterët e përfshirë në këtë çështje nuk kanë përfunduar. Prandaj, duroni deri nesër”
, ka thënë Lunacek.

Çështja e imunitetit të deputetëve është dramatizuar, por edhe është problematizuar pas pamundësisë së zbatimit të një fletë-arresti të lëshuar nga EULEX-i ndaj deputetit Fatmir Limaj për shkak të imunitetit që ai gëzon.

Pas paqartësive ligjore, EULEX-i ka paralajmëruar se do të ndërmarrë edhe planin B, por të cilin nuk e ka bërë publik ende.

Lexoni edhe këto:
Kushtetuta e qartë për imunitetin(!)
Ndërkombëtarët kërkojnë zgjidhjen e imunitetit
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG