Ndërlidhjet

Raportet ndëretnike, si shufër e nxehtë


Shkup (Foto nga arkivi)
Shkup (Foto nga arkivi)
Tensionet e ngritura në Kuvend ndërmjet opozitës dhe shumicës parlamentare, gjatë debatit për gjuhën shqipe, rastet e Hagës dhe përdorimin e simboleve kombëtare, artificialisht rrisin tensionet ndëretnike, për të detyruar komunitetin ndërkombëtar që, përmes një dere anësore dhe pa përmbushjen e kritereve, të integrojë Maqedoninë në strukturat euroatlantike, thonë njohës të çështjeve politike në Maqedoni.


Maqedonia duhet sa më parë t’i mbyllë të gjitha problemet e hapura që prekin raportet ndëretnike për të ecur sigurt drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, thekson drejtuesi i organizatës qytetare “Iliricum Libertas”, nga Tetova, Valon Kurtishi.

Ai shfaq dyshimet se gjithnjë e më shumë raportet ndëretnike keqpërdoren nga politikë-bërësit për qëllime të caktuara, sa herë që institucionet nuk kanë vullnet dhe kapacitet të mjaftueshëm për t`i përmbushur kriteret e përcaktuara për vendet që aspirojnë të jenë pjesë e aleancës euroatlantike.

“Mbyllja e çështjeve të hapura me karakter politiko-etnik mes komuniteteve në vend, i kontribuon integrimit sa më të shpejtë të Maqedonisë në BE dhe NATO. Por, për momentin, nga ana e udhëheqësve polikë shihet një strategji e mbrapshtë, ajo e prodhimit artificial të situatave konfliktuoze të tensioneve ndëretnike, ndoshta duke shpresuar se BE-ja do ta pranojë Maqedoninë në gjirin e saj pa i plotësuar standardet e përcaktuara, të ashtuquajtura Kritere të Kopenhagës”, thotë Kurtishi.

Edhe Vlladimir Bozhinovski vlerëson se çështjet ndëretnike jo rrallëherë janë përdorur si shufër e nxehtë për të dëshmuar se Maqedonisë i nevojitet ndihmë sa i përket procesit integrues në funksion të ruajtjes së stabilitetit të vendit.

“Gjithmonë do të jetë cak i aktorëve politikë për përfitim personal ose të partisë që i përkasin, kur bëhet fjalë për ligje që tangojnë etnitetet, qoftë se njëra palë ka bërë lëshime të mëdha, ose pala tjetër, e cila konsideron se nuk realizohen në masë të konsiderueshme interesat e caktuara, kjo ndodh për arsye se politikanët e Maqedonisë nuk kanë kapacitet të ofrojnë zgjidhje për problemet e vërteta, me të cilat ballafaqohen qytetarët si mirëqenia sociale dhe zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë”, thekson politikologu Bozhinovski.

Ndryshe, të hënën mbrëma, Parlamenti republikan miratoi ndryshimet e Ligjit për përdorimin e flamujve të bashkësive në Republikën e Maqedonisë, me procedurë të shkurtuar, të parashtruar nga deputetët e BDI-së, me ç’rast në momentin e votimit në sallën e Parlamentit të Maqedonisë, nuk ishin të pranishëm deputetët e opozitës shqiptare nga Partia Demokratike Shqiptare dhe Rilindja Demokratike Kombëtare.

Mosprania e tyre në sallë, ishte për shkak se, siç thanë deputetë nga të dy partitë shqiptare të opozitës, ky ligj pamundëson përdorimin e flamurit shqiptar në ato komuna ku shqiptarët nuk janë mbi 50 për qind, si Kumanova e Kërçova, duke u shprehur se gjysma e popullatës shqiptare nuk ka të drejtë ta përdorë flamurin kombëtar.

Por, ndryshe nga opozita, deputetët e BDI-së, partisë shqiptare në Qeveri, vlerësojnë se me këto ndryshime të ligjit, plotësohen kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni.

Kurse, opozita maqedonase, LSDM, e cila nuk i mbështeti ndryshimet, thotë se përgjegjësia për këtë ligj, bie mbi partnerët e koalicionit, që konsiderojnë se çështjet si gjuha shqipe, rastet e Hagës dhe përdorimi i flamurit shqiptar, zgjerojnë Marrëveshjen kornizë të Ohrit, një pjesë e tyre prekin edhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.

Valon Kurtishi, nga organizata qytetare “Iliricum Libertas”, konsideron se është arritur një zgjidhje solomone për të kënaqur interesat e politikë-bërësve, por njëherësh zgjidhjet ligjore janë të pazbatueshme.

“Për më tepër, një ligj i këtillë i formuluar në këtë mënyrë absurde non-sens nuk njihet në praktikën evropiane. Ne kemi shtete multi-etnike të ngjashme me përbërje etnike të Maqedonisë, siç është Kosova, Bosnjë dhe Hercegovina, Zvicra, Belgjika, si dhe tri Shtetet Baltike. Në asnjërën nga to nuk është zgjidhur çështja e përdorimit të simboleve në mënyrë kaq absurde”, potencon Kurtishi.

Sipas Kurtishit, praktika e shteteve evropiane, veçanërisht në vendet e apostrofuara, në asnjë rast flamujt shtetërorë nuk kanë asgjë të përbashkët me simbolet etnike të grupeve etnike që i përbëjnë këto shtete.

Kurtishi thekson se zgjidhja e ofruar ligjore e përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar nuk është në frymën e Marrëveshjes së Ohrit.

Ndryshe, Ligji për përdorimin e flamurit shqiptarë, u abrogua në vitin 2007 nga Gjykata Kushtetuese.
XS
SM
MD
LG