Ndërlidhjet

Mërdok e Bruks kërkojnë falje


Shefi i News Corporation Rupert Mërdok dhe ish shefja për Britaninë e kësaj korporate, Rebeka Bruks kanë kërkuar falje para një paneli parlamentar britanik në lidhje me skandalin e përgjimit të telefonave.

Hetimi pason skandalin e përgjimit nga gazeta News of the World, e cila u mbyll pasi që u zbulua se kishte përgjuar mesazhet me zë të familjes mbretërore, të politikanëve, të të famshmëve, gazetarëve rivalë, familjeve të ushtarëve të vdekur dhe të një adoleshenteje të vrarë.

Mërdok, që u paraqit para panelit bashkë të birin, tha se është shokuar nga praktikat e “News of the World. Por, ai tha se nuk e ka ndërmend që të japë dorëheqje.

“Unë ndjej se njerëzit që u kam besuar- nuk them se kujt, nuk e di në cilin nivel- më kanë lënë në baltë dhe mendoj se janë sjellur në mënyrë të turpshme dhe më kanë tradhtuar mua dhe kompaninë, dhe ata duhet të paguajnë për këtë. Sinqerisht besoj se jam personi më i mirë, që mund ta spastrojë këtë”, ka thënë Mërdok.

Seanca dëgjimore është ndërprerë për pak çaste pasi një person sulmoi manjatin 80 vjeçar të mediave me atë që dukej si shkumë për rruarje.

Rebeka Bruks, ish redaktore e News of the World, po ashtu ka kërkuar falje për dëmet që janë shkaktuar nga përgjimet.

“Dëshiroj që edhe unë t’ia shtoj kërkimfaljet e mia personale kërkimfaljeve të Xhejmsit dhe Rupert Mërdokut, që i bënë sot. Ajo që ka ndodhur në News of the World dhe kur pretendimet për përgjimin e mesazheve me zë të viktimave të krimit- janë tmerruese”, tha Bruks.

Po sot, para panelit ka dëshmuar edhe shefi i Policisë së Londrës, Pol Stivenson, i cili dha dorëheqje të dielën, i cili ka thënë se 10 nga 45 gazetarët e sektorit të tij për media, kanë punuar më herët për tabloidin News of the World, por ka demantuar se ka pasur kontakte të palejuara.
XS
SM
MD
LG