Ndërlidhjet

logo-print

Mërdok e Bruks kërkojnë falje

  • RFE /RL

Rupert Mërdok

Rupert Mërdok

Një protestues ka tentuar të sulmojë manjatin e mediave Rupert Mërdok, me atë që dukej të ishte shkumë rroje, gjatë një hetimi parlamentar britanik në lidhje me skandalin e përgjimit të News of the World.

Incidenti ndodhi dy orë pas dëshmisë së kreut 80-vjeçar të “News Corporation” dhe birit të tij, 38-vjeçarit, Xhejms Mërdok, të cilët iu përgjigjën pyetjeve të politikanëve, duke u përpjekur që t’i japin fund skandalit të korrupsionit masiv që ka gllabëruar perandorinë mediatike të Mërdokut në Britaninë e Madhe, Parlamentin britanik si dhe Skotland Jardin.

Incidenti gjatë hetimit parlamentar britanik në lidhje me skandalin e përgjimit të News of the World.

Gruaja 42-vjeçare e Mërdokut, Uendi Deng, e qëlloi protestuesin me shuplakë, para se policia t’ia vinte atij prangat. Më vonë, u zbulua se ai ishte komiku dhe aktivisti i quajtur Xhoni Marbles. Hetimi u pezullua për 10 minuta.

Fillimi i procedurës kishte momente dramatik, me një Mërdok të heshtur që u përgjigjej shkurt pyetjeve të shumta dhe që i referonte tjerat te biri i tij.

Dua ta them vetëm një fjali: kjo është dita më e vështirë e jetës sime”, tha Mërdok.

Më vonë gjatë hetimit, ai tha se “ishte shokuar, tmerruar dhe turpëruar” kur kishte mësuar dy javë më parë për aktivitetet ilegale të reporterëve dhe redaktorëve në tabloidin tashmë të mbyllur, News of the World.

Por, kur u pyet nëse e konsideronte veten personalisht përgjegjës për “këtë dështim”, ai u përgjigj thjesht: “Jo”.

Gjatë kohës sa qëllonte mbi tavolinën nga, si dukej, frustrimi i tij, Mërdok theksoi se News of The World përbënte më pak se një për qind në perandorinë e tij “News Corporation”.

Ai tha se pretendimet se personeli i tij ka përgjuar mesazhet me zë të mijëra njerëzve - ushtarëve të rënë, viktimave të terrorizmit dhe të krimit, anëtarëve të familjes mbretërore dhe politikanëve - ishin pjesë e një pune të brendshme, për të cilën ai nuk kishte fare njohuri.

Ai pohoi se përgjegjës ishin “njerëzit që ai u besoi udhëheqjen, e më pas ndoshta njerëzit që edhe ata iu besuan”.

Mërdok tha se ata janë sjellë në mënyrë “të turpshme dhe kanë tradhtuar kompaninë” dhe atë, por tha se “ai ishte personi më i duhur për të spastruar këtë”. Më vonë, duke lexuar një deklaratë të përgatitur më parë ai tha:

Do të dëshiroja, që të gjitha viktimave të përgjimit të telefonave t’u them se sa keqardhje të thellë ndjej. Kërkim-falja nuk mund ta zhbëjë atë që ka ndodhur, Megjithatë, dua t’ua bëj me dije se sa e thellë është keqardhja ime për këtë invazion të tmerrshëm në jetët e tyre. E kuptoj plotësisht se sa të zemëruar janë ata dhe kam ndërmend të punoj pa pushim për të merituar faljen e tyre”.

Afera bëri që Mërdok të heqë dorë nga marrja nën kontroll e “British Sky Broadcasting” dhe i dha një goditje ekonomike, por goditi edhe reputacionin e perandorisë së tij ndërkombëtare të mediave.

Edhe i biri i tij, Xhejmsi, që është zëvendësshef i “News Corporation”, kërkoi falje para komisionit britanik.

“Kodi i sjelljes i ‘News Corporation’, globalisht, për të punësuarit tanë, gazetarët, apo të tjerët është shumë i qartë: shkelja e ligjit është shumë, shumë çështje serioze dhe ata që shkelin atë duhet të mbajnë përgjegjësi. Dhe, sa i përket gjërave si përgjimi i telefonave, ose pagesa e policëve - ne mendojmë se për to nuk ka vend në biznesin tonë”, tha Xhejms Mërdok.

Disa njerëz janë larguar nga dhoma e mbushur plot e seancës dëgjimore, për shkak se mbanin afishe ku shkruhej “Mërdok, i kërkuar për krime të reja”. Edhe jashtë ndërtesës ka pasur protestues.

Rebeka Broks

Pas dëshmisë së dy Mërdokëve, një shef tjetër i "News Corporation" është përballur me komisionin. Ish-shefja ekzekutive e News International, 43-vjeçarja, Rebeka Brooks, që drejtoi News of The World në vitet, për të cilat ka më së shumti pretendime serioze të përgjimit, po ashtu, ka kërkuar falje.

"Dëshiroj që edhe unë t’ia shtoj kërkim-faljet e mia personale kërkim-faljeve të Xhejmsit dhe Rupert Mërdokut, që i bënë sot. Ajo që ka ndodhur në News of the World dhe pretendimet për përgjimin e mesazheve me zë të viktimave të krimit janë tmerruese”, u shpreh Bruks.

Ajo pranoi se tabloidi ka pasur hetues privatë për të spiunuar pjesëtarët e publikut në kërkim të informacioneve, por tha se secila gazetë në rrugën Fleet, ka bërë të njëjtën.

Por, Bruks, që u arrestua, u mor në pyetje dhe u lirua pa akuza në javën e kaluar, mohoi se ajo ka paguar apo ka autorizuar të paguhen policët britanikë në këmbim të informacionit.

Skandali ka përfshirë edhe policinë londineze, me pretendimet se ata kanë ndarë informacione për gazetarët në këmbim të pagesave apo favoreve.

Shefi i Skotland Yardit, Pol Stivenson, ka dhënë dorëheqje, pas zbulimit se kishte lidhje me ish-redaktorin e News of the World, Neil Uallis. Edhe asistenti i tij, Xhon Jets, që kishte refuzuar të hapte hetimet për skandalin e përgjimit në vitin 2009, ka dhënë dorëheqje, po ashtu.

Pol Stivenson ka thënë se 10 nga 45 gazetarët e sektorit të tij për media, kanë punuar më herët për tabloidin News of the World, por ka demantuar se ka pasur kontakte të palejuara.

Afera ka përfshirë edhe kryeministrin Dejvid Kamerun, i cili është kritikuar se kishte emëruar si shef për komunikime të kabinetit të tij, ish-redaktorin e News of the World, Andi Kulson.

Skandali tashmë ka kaluar Atlantikun dhe është bërë çështje e hetimeve të FBI-së në SHBA, ku kompania e Mërdokut ka në pronësi disa media, përfshirë Fox Broadcasting dhe The Wall Street Journal.

FBI-ja ka hapur hetimet për të parë nëse të punësuarit e “News Corporation” janë munduar që të përgjojnë mesazhet me zë të viktimave të sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001.

Mërdoku plak ka thënë se nuk ka dëshmi për skandalin e përgjimit në SHBA.

Megjithatë, Nju Jork Times raportoi se ai ka angazhuar “një nga avokatët më agresivë në vend, Brendan V. Sullivan Jr. nga Williams & Connolly, për ta përfaqësuar në rastin në fjalë.(a.i.)


XS
SM
MD
LG