Ndërlidhjet

logo-print

Arrestohet Goran Haxhiq

  • RFE /RL

Është arrestuar i akuzuari i Hagës për krime lufte, Goran Haxhiq.

Është arrestuar i akuzuari i Hagës për krime lufte, Goran Haxhiq.

Goran Haxhiq, ish-lideri i serbëve gjatë kohës së luftës në Kroaci dhe i kërkuari i Tribunalit të Kombeve të Bashkuara për Krime Lufte, është arrestuar.

Presidenti serb, Boris Tadiq, e ka konfirmuar lajmin në një konferencë të jashtëzakonshme për media në Beograd.

“Këtë mëngjes, në orën 8:24, Goran Haxhiq është arrestuar në rajonin e Frushka Gorës. Me këtë, Serbia u ka dhënë fund kapitujve më të vështirë në bashkëpunimin e saj me Tribunalin e Hagës”, ka thënë Tadiq.

Haxhiq së shpejti pritet të ekstradohet në Tibunalin e Kombeve të Bashkuara për Krime në ish-Jugosllavi.

Pesëdhjetedyvjeçari ndodhej në arrati që nga viti 2004, kur ndaj tij u ngritën 14 pika të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, që rrjedhin nga mizoritë e kryera në Kroaci, në periudhën 1991-‘95.

Manda Patko është aktiviste në Shoqatën e Nënave të Vukovarit, burri i së cilës është zhdukur gjatë masakrës. Ajo ka mirëpritur lajmin për arrestimin e Haxhiqit.

“Ishte koha për ta arrestuar. Ai duhej të sillej para drejtësisë. Ai është përgjegjës për krimet dhe abuzimet që janë kryer në Vukovar. Ndoshta ai nuk i ka kryer personalisht këto krime, por ai i ka urdhëruar ato”, është shprehur Patko.

Aktakuza përmend veçanërisht Masakrën e Vukovarit më 1991, në të cilën qenë vrarë 250 njerëz. Kjo ishte një nga krimet e para të konflikteve të përgjakshme në ish-Jugosllavi.

Mbi 10 mijë njerëz kanë humbur jetën gjatë luftës në Kroaci, e cila përfundoi kur forcat kroate rimorën territoret e kontrolluara nga serbët, më 1995.




Arrestimi i Haxhiqit vjen më pak se dy muaj pas kapjes së ish-komandantit të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq. Dy arrestimet kërkoheshin prej kohësh nga bashkësia ndërkombëtare dhe tani shihen si hapje e rrugës për integrimin e mëtejshëm të Serbisë në strukturat euro-atlantike.

Serbia shpreson të aplikojë për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian gjatë këtij viti.

Zyrtarët e BE-së e kanë përshëndetur arrestimin e Haxhiqit, duke e quajtur “një hap të rëndësishëm të Serbisë në realizimin e perspektivës evropiane”.

“Populli serb është në proces të përballjes me të kaluarën dhe të kthimit të faqes për një të ardhme më të mirë evropiane”, thuhet në deklaratën e diplomatëve të BE-së.

Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Audronius Azubalis, i cili është kryetar i radhës i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ka përgëzuar Beogradin për arrestimin e Haxhiqit dhe Mlladiqit.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, tha se “ky arrestim do të lejojë mbylljen e faqes më të dhimbshme të historisë së fundit në Evropë. Ai tha se Aleanca mbetet e përkushtuar për lehtësimin e sigurisë në Ballkan.

Ngjarjen e sotme e ka mirëpritur dhe presidenti Kroacisë, Ivo Josipoviq.

Arrestimi është vonuar. Drejtësia është e ngadalshme, por është e arritshme. Shpresoj se Prokuroria e Hagës dhe gjyjata do të bëjnë një gjykim të drejtë. Është mirë që Qeveria e Serbisë më në fund po bashkëpunon plotësisht me Hagën. Është mirë për drejtësinë. Është mirë për marrëdhëniet tona fqinjësore dhe, mbi të gjitha, është mirë për vetë Serbinë”, ka thënë Josipoviq.

Haxhiq i ka shpëtuar arrestimit në vitin 2004, pasi, siç thuhet, ishte informuar nga kontaktet brenda organeve të sigurisë.

Me arrestimin e Haxhiqit, Tribunali i Hagës ka realizuar kapjen e të 161 të dyshuarve për krime lufte.

Tadiq ka thënë se arrestimi i ish-komandantit të serbëve në Kroaci shënon fundin e një procesi të gjatë.

“Serbia do të vazhdojë me përmbushjen e obligimeve të saj ndërkombëtare dhe, në të njëjtën kohë, dua të konfirmoj se me arrestimin e Goran Haxhiqit, ne kemi përmbushur detyrimin tonë ligjor dhe obligimin moral”, ka deklaruar presidenti serb, Tadiq. (v.t.)
XS
SM
MD
LG