Ndërlidhjet

logo-print

IHT: Agonia e Evropës dhe fati ynë kolektiv


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Shkruan: Joseph Stiglitz, laureat i Çmimit Nobel për ekonomi

Mbledhja e jashtëzakonshme e liderëve evropianë të enjten në Bruksel, për të shpëtuar Greqinë, do të vendosë edhe të ardhmen e euros. Nëse bëjnë atë që kanë bërë deri më tash, që kur nisi kriza në Greqi 18 muaj më parë, problemi vetëm sa do të zvarritet.

Reformat janë të nevojshme dhe ato po ndërmerren tashmë, por do të ishte papjekuri të mendohet se rezultatet do të shihen së shpejti, veçanërisht jo brenda një afati të shkurtër kohor të tregut miop të aksioneve.

Evropa dhe pjesa tjetër e botës, përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara, duhet të kuptojnë se sa shumë rreziqe ka, qoftë për ekonominë globale, qoftë edhe për paqen e sigurinë globale.

International Herald Tribune rikujton entuziazmin që ka përjetuar bota me zgjimin demokratik në Lindjen e Mesme, duke e ndërlidhur atë me tranzicionin drejt ekonomive demokratike të tregut të lirë në Evropën Lindore dhe ish-Bashkimin Sovjetik. Por, ky tranzicion është ende larg dhe drejtimi që shoqëritë në Lindjen e Mesme do të marrin, është ende i debatueshëm.

Madje, edhe në vendet ku reformat ekonomike u promovuan nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe sollën zhvillim, nuk ka qenë zhvillim i shpërndarë ekonomik. Papunësia mbeti në nivel të lartë, varfëria gjithashtu, privatizimet ishin të korruptuara dhe mundësuan ngritjen e një elite të re të kamurish.

Suksesi i arritur në Evropën Lindore kishte të bënte më shumë me integrimin e këtyre vendeve me Evropën Perëndimore nëpërmjet Bashkimit Evropian.

Në fakt, shikuar nga një këndvështrim global, kjo ka qenë një nga arritjet më të mëdha të bllokut evropian. Asgjë nuk e sforcon më shumë shpresën për një tranzicion të suksesshëm të vendeve që janë përfshirë nga pranvera arabe se sa lidhjet më të ngushta me një Bashkim Evropian stabil dhe prosperues.

Por, Evropa nuk mund të jetë stabile dhe prosperuese nëse pjesët e mëdha të këtij kontinenti janë në trazira ekonomike, me nivel të lartë të papunësisë në mesin e të rinjve. Si e tillë, nuk mund të shërbejë as si model për aspirim.

Nëse Evropa nuk mund të dëshmojë solidaritet thelbësor për të ndihmuar vendet në nevojë dhe nëse ato vende zhyten në recesion të stërzgjatur me papunësi të lartë, atëherë modeli evropian padyshim do të jetë tërësisht i zhvlerësuar.

Shpëtimi i euros nuk është vetëm çështje bamirësie apo solidariteti, është gjithashtu çështje e interesave vetjake.(a.v.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG