Ndërlidhjet

logo-print

Hamza: Kosova nuk do të ketë krizë financiare


Bedri Hamza

Bedri Hamza

Nëse proceset që janë në zhvillim e sipër, zhvillohen sipas dinamikës dhe planit të paraparë, unë nuk shoh arsye që Kosova të futet në krizë financiare brenda periudhës së ardhshme makro-fiskale, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Financave, Bedri Hamza.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hamza, si vlerësoni gjendjen ekonomike në vend, në pjesën të dytë vitit dhe a e ka definuar Qeveria orientimin ekonomik të vendit?

BEDRI HAMZA

Qeveria e ka definuar zhvillimin ekonomik të vendit. Të gjitha veprimet janë duke u ndërmarrë që sektori privat të jetë bartës i zhvillimit ekonomik. Qëllimi ynë është që ne ta bëjmë Kosovën një vend më të përshtatshëm dhe më tërheqës për zhvillimin e biznesit vendor, por edhe atij nga jashtë.

Ne duhet të vazhdojmë që normat tatimore dhe politikat fiskale t’i bëjmë të favorshme për biznesin vendor dhe investitorët e jashtëm. Jemi duke punuar që t’i thjeshtësojmë procedurat, t’i shkurtojmë procedurat burokratike, administrative dhe ta thjeshtësojmë numrin e lejeve e licencave.

Dhe, në rritjen ekonomike që për vitin 2011 vlerësohet që të jetë 5.5 për qind, edhe sipas vlerësimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, kontribuues kryesor të jetë sektori privat, normalisht i mbështetur edhe në investimet publike. Investimet kapitale për këtë vit, në raport me vitin e kaluar, janë 26 për qind më të larta.

RADIO EVROPA E LIRË
Komisioni Evropian ka vënë në dispozicion për Kosovën një fond prej 203 milionë eurosh. Cilat janë mundësitë e Qeverisë për përpilimin e projekteve të kërkuara nga Komisioni Evropian, projekte këto të cilat mundësojnë edhe tërheqjen e fondit?

BEDRI HAMZA

Edhe në të kaluarën Komisioni Evropian është një ndër donatorët kryesorë që ka kontribuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe ka implementuar shumë projekte. Nuk është problem që të sigurohen projekte për mbulimin e kësaj shume prej 203 milionë eurosh. Kosova ka shumë nevoja, 203 milionë euro e mbulojnë një pjesë të nevojave të Kosovës. Dhe, institucionet e Kosovës, duke përfshirë nivelin lokal, komunat e Kosovës, por edhe nivelin qendror, ministritë kanë numër të mjaftueshëm të projekteve që t’i tërheqin këto investime në periudhën e paraparë kohore.

Ne kemi nevojë për investime edhe në infrastrukturë, kemi nevojë edhe në përmirësimin e furnizimit me ujë, në sektorin e shëndetësisë, arsimit, ambientit dhe shume nevoja tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, Komisioni Evropian ka caktuar sektorët, për të cilët duhet përgatitur projektet, siç është sektori i gjyqësisë, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit...

BEDRI HAMZA

Po, këto janë prioritete, dhe duhet të jenë edhe në të ardhmen prioritete të Qeverisë. Zbatimi i rendit dhe ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe dukurive tjera negative, të cilat janë pengesë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, janë prioritete të Qeverisë.

Dhe, në këtë drejtim, të gjitha institucionet që janë të përfshira në këtë, duhet të bëjnë punën e vet, por normalisht këtu kërkohet edhe përkrahja e qytetarëve që këto dukuri t’i luftojnë, mos t’i përkrahin dhe normalisht t’i denoncojnë dhe t’i paraqesin aty ku duhet.

RADIO EVROPA E LIRË
Në fillim të muajit qershor, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ndërprerë programin 18 mujor për marrjen e kredive të buta. Cilat janë pasojat për vendin?

BEDRI HAMZA

Me kemi programin monitorues nga stafi me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Dihet se programi Stand By Arrangement (SBA) ka qenë një program 18 mujor, i lidhur me mandatin e Qeverisë së kaluar.
Në Kosovë kanë ndodhur ngjarje, të cilat kanë çuar në zgjedhje të parakohshme dhe disa pika nga ai program, realisht, janë pamundësuar që të përmbushen. Një prej tyre ka qenë edhe vendimi për privatizimin e PTK-së, pastaj procedimi i buxhetit për vitin 2011, në fund të muajit tetor ose në fillim në të muajit nëntor.

Kemi pasur një mos-harmonizim të plotë me FMN-në sa i përket çështjes së pagave. Ndërsa, ne tash kemi ardhur në një situatë që kemi një program të ri me FMN-në, që quhet program i monitoruar nga stafi. Ky është një program gjashtëmujor dhe i ka dy rishikime. I pari pritet të ndodhë në fund të tetorit, eventualisht në fillim të muajit nëntor, që ne besojmë se do të jetë pozitiv. Banka Botërore, në bazë të këtij vlerësimi, fondet e premtuara për këtë vit mund t’i derdh në buxhetin e Kosovës.

Dhe, nëse vlerësimi i dytë është pozitiv, që pritet të ndodhë në fund të janarit, eventualisht në fillim të shkurtit, atëherë Kosova në këtë periudhë e ka rrugën e hapur që të ketë një marrëveshje të re Stand By me Fondin Monetar Ndërkombëtar, që i mundëson qasje në kreditë e këtij mekanizmi, por edhe në donacionet tjera. Dhe, pastaj, Kosova do të ketë një përmirësim të gjendjes financiare.
RADIO EVROPA E LIRË
Jeni optimist se mund t’i përmbushni rekomandimet e kërkuara nga ky fond, pas krijimit të marrëveshjes së re?

BEDRI HAMZA

Deri më tani kemi përmbushur qind për qind, të gjitha ato që janë kërkuar nga ne. Ne jemi duke punuar me përkushtimin më të lartë dhe disiplinën më të madhe, që t’i përmbushim këto rekomandime - nuk janë të lehta, kërkojnë një punë dhe disiplinë të madhe. Mirëpo, janë të mundshme dhe unë jam optimist se ne do t’i përmbahemi kësaj marrëveshjeje.

RADIO EVROPA E LIRË
Njohës të çështjeve ekonomike, tashmë, kanë shprehur shqetësime se në vitet e ardhshme Kosova do të ballafaqohet me krizë buxhetore. Frikoheni ju nga një krizë tillë, që Kosova mund të kalojë në një situatë sikurse vendet evropiane, të cilat tashmë po ballafaqohen me këtë krizë?

BEDRI HAMZA

Unë nuk mendoj se Kosova do të futet në krizë buxhetore. Kosova, sa i përket nivelit të zhvillimit ekonomik, asnjë nuk mund të jemi të kënaqur me këtë nivel, sepse në Kosovë është prezent papunësia, varfëria, deficiti i lartë tregtar, mirëpo Kosova ka indikatorë tjerë që janë mjaft pozitivë.

Rritjen ekonomike e ka më të lartin në mesin e vendeve të Evropës dhe mbi të gjitha, ajo që është më me rëndësi - nivelin e borxhit publik, Kosova e ka më të ulëtin në Evropë, që është vetëm 7 për qind e GDP-së, ndërsa shumica e vendeve tjera e kanë mbi 60 për qind në raport me GDP-në deri në 140 për qind.

Prandaj, kjo më tepër është krizë e shkaktuar nga borxhet, kurse Kosova në këtë drejtim nuk ka borxhe. Ka vetëm një kredi ndaj Bankës Botërore, të cilën është duke e kthyer me kohë dhe kjo kredi ka të bëjë me vitet ‘70-‘80 në periudhën e paraluftës. Në këtë drejtim, ekonomia e Kosovës nuk është e ngarkuar me borxhe. Të hyrat për këtë periudhë të vitit kanë performuar mirë. Në gjashtë mujorin e parë, në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, kemi një ngritje të të hyrave deri në 20 për qind, të hyra këto të cilat administrohen nga Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës.

Dhe, deri në ditën e sotme, ne kemi arritur që të mbledhim më shumë para sesa që kemi shpenzuar - do të thotë kemi rritje të parasë së gatshme. Aktualisht, ne kemi shtatë për qind të GDP-së, si bilanc bankar. Nëse proceset që janë në zhvillim e sipër, zhvillohen sipas dinamikës dhe planit të paraparë, unë nuk shoh arsye që Kosova të futet në krizë financiare brenda periudhës së ardhshme makro-fiskale.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur do të bëhet pagesa e shtesave të pagave retroaktive për mësimdhënësit, që është premtuar nga Qeveria?

BEDRI HAMZA

Ministria e Financave merret me ekzekutimin e listës së pagave. Ne ekzekutojmë listën e pagave në momentin që vjen e përgatitur nga ministritë përkatëse në Ministrinë e Financave.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG