Ndërlidhjet

Kosova ka resurse për investime


Kosova konsiderohet vend jo i favorshëm për të bërë biznes.

Kosova konsiderohet vend jo i favorshëm për të bërë biznes.

Kosovës i duhen investime të huaja. Për t’i tërhequr këto investime, duhet të funksionojë shteti ligjor, si dhe të krijohen mekanizma adekuatë për krijimin e kushteve të favorshme për investitorët - kushte këto që deri tani nuk janë krijuar, u tha të mërkurën në një konferencë në Institutin “AAB- Riinvest", ku i pranishëm ishte edhe ish-presidenti i Kroacisë, Stepjan Mesiq.


Përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe ekspertë të çështjeve ekonomike, theksuan se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për investitorët e huaj dhe për këtë duhet që në Kosovë të ketë një demokraci dhe ekonomi të fortë, në mënyrë që Kosova të bëhet model stabiliteti në rajon.

Ish-presidenti i Kroacisë, Stepjan Mesiq, i cili ishte i pranishëm në konferencën e titulluar “Konteksti rajonal i investimeve të jashtme”, tha se Kosova ka resurse dhe kapacitete të jashtëzakonshme për tërheqjen e investimeve, por vetëm nevojitet një organizim më i mirë institucional.

Stjepan Mesiq

“Nëse shteti nuk funksionon, nëse institucionet nuk i kryejnë funksionet e tyre dhe nuk kemi shtet juridik, është e pamundur të realizojmë tërheqje të investimeve. Edhe ne në fillim kemi pasur probleme. Privatizimi është kryer në mënyrë kriminale. Dhe, ne u detyruam ta nxjerrim një ligj, me të cilin i kemi dënuar veprat e atyre që i keqpërdorën funksionet e tyre”, tha Mesiq.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Behxhet Pacolli, vlerësoi se promovimi i investimeve në Kosovë nuk është duke u bërë më mënyrë të duhur. Ndërkaq, sa i përket privatizimit të aseteve kosovare, u shpreh:

Privatizimi në Kosovë është duke u bërë ashtu si në Kroaci. Privatizimi i aseteve kosovare është kriminalizuar - e them këtë me shumë përgjegjësi. Privatizimi ka krijuar varfëri. Privatizimi e privoi nga e drejta e tij edhe atë njeri të biznesit, i cili kishte shansin të jetë një njeri i pasur dhe që do të punonte për mirëqenien e shumë njerëzve të tjerë”.

Në anën tjetër, Muhamet Mustafa nga Instituti “Riinvest”, pohoi se në një vend të pazhvilluar ekonomikisht, investimet janë të domosdoshme. Investimet, të cilat janë duke u bërë, sipas Mustafës, janë të pamjaftueshme.

Muhamet Mustafa

“Ne investojmë diku rreth 25 për qind të GDP-së, edhe po të kishim një qeveri efikase, me këtë nivel të investimeve nuk mund të adresojmë rritjen e ekonomike dhe zbutjen e papunësisë. Investimet në Kosovë duhet të rriten mbi 32 për qind të GDP-së. Investimet janë kushti kryesor për Kosovën, prandaj duhet t'i gjenerojmë investimet tek investitorët tanë dhe t’i tërheqim investitorët e jashtëm. Është çështja kryesore që duhet bërë institucionet e vendit”, theksoi Mustafa.

Kosova edhe në Raportin e fundit të Bankës Botërore “Të bësh biznes”, është kritikuar për ambient të pafavorshëm biznesor. Nga 22 qytete të shteteve të ndryshme të Evropës Juglindore, Prishtina kishte mbetur qyteti ku më së vështiri bëhet biznes.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari-Lila, tha se janë duke punuar në atë drejtim, por, siç tha ajo, për një përmirësim të ambientit biznesor duhet bashkëpunimi institucional.

“Përderisa nuk e vendosim agjendën zhvillimore si prioritet, duke i caktuar kriteret e zhvillimit dhe bashkëpunimit të përbashkët institucional, transparencës dhe luftës kundër korrupsionit, Kosova nuk do të mund të ketë ulje të të gjithë parametrave të varfërisë dhe papunësisë që i kemi sot”, tha Kusari-Lila.

Ndryshe, investimet e huaja në Kosovë gjatë kësaj dekade, e konkretisht, pas shpalljes së pavarësisë, janë konsideruar si një mjet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Mirëpo, në raportet e organizatave vendore dhe ndërkombëtare thuhet se në vitet e fundit, investimet e huaja kanë pësuar rënie të vazhdueshme.

Lexoni edhe këto:
Bizneset duan përmirësim të ambientit afarist
Ekonomia, shqetësim më i madh se politika
Investitorët duan stabilitet
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG