Ndërlidhjet

Kryeministri britanik i jep llogari parlamentit

  • RFE /RL

David Kameron

David Kameron

Kryeministri britanik, Dejvid Kameron, u është përgjigjur pyetjeve të ligjvënësve në lidhje me skandalin e perandorisë mediatike të Rupert Mërdokut. Ai ka hedhur poshtë pretendimet se personeli i tij është munduar të pengojë hetimet mbi skandalin e përgjimit, skandal ky që tashmë ka përfshirë jo vetëm mediat, por edhe policinë londineze, politikën, duke kaluar edhe përtej Atlantikut.


Kryeministri Dejvid Kameron ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike pretendimet se personeli i tij është përpjekur t’i pengojë hetimet mbi skandalin e përgjimit dhe korruptimin e policëve nga ana e News of the World, si dhe ka mbrojtur vendimin për punësimin e njërit nga ish-redaktorët e tabloidit.

Gjatë një seance të posaçme parlamentare, Kameron ka shpjeguar përse e ka punësuar Endi Koulsonin, ish-redaktorin e javores së Mërdokut News of the World, në postin e drejtorit të komunikimeve, në maj të 2010-s.

Kameron ka thënë se Koulson do të shpallet fajtor për mashtrim ndaj policisë dhe kryeministrit, nëse ka qenë në dijeni për përgjimet. Në një rast të tillë, ka shtuar Kameron, Koulson do të përballet me ndjekje penale.

“Në një retrospektivë të përkryer dhe me të gjitha ato që kanë pasuar, unë nuk do t’i ofroja punë Endi Koulsonit dhe mendoj se as ai nuk do ta pranonte atë. Por, vendimet nuk i merrni në retrospektivë. Ato i bëni në kohën e tashme. Ju jetoni dhe mësoni. Dhe, më besoni, unë kam mësuar”, ka thënë Kameron.

Lideri i Partisë Laburiste, Ed Miliband, ka ftuar kryeministrin të kërkojë falje, pasi, sipas tij, ai ka injoruar në vazhdimësi raportet dhe paralajmërimet për Kulsonin.

“Ka qenë një përpjekje e qëllimshme që të fshihen faktet për z. Kulson”, ka thënë Miliband.

Kameron ka siguruar për hetime të pavarura.

“Nuk duhet të ketë dyshim: Ky hetim publik është aq i fuqishëm sa të jetë i mundur. Është plotësisht i pavarur dhe lordi Leveson do të mund të mbledhë dëshmitë nën betim”, ka theksuar Kameron.

Para parlamentarëve britanikë, Kameron ka pranuar se edhe konservativët në pushtet, por edhe laburistët, kanë dështuar që të ndjekin zhvillimet kryesore në rastin e përgjimit.

Javorja News of the World, në bazë të provave të gjetura, ka përgjuar mesazhet me zë të mbi 4,000 njerëzve, përfshirë figurat publike, familjarët e ushtarëve britanikë të vrarë në luftë e të tjerë.

"Kjo ka lëkundur besimin e njerëzve në media dhe vlerën e asaj që ata bëjnë. Është lëkundur besimi në polici dhe mundësitë e tyre për të hetuar veprimet e ndaluara të mediave. Është lëkundur besimi në politikë dhe mundësitë e politikanëve që të merren me këto çështje”, është shprehur Kameron.

Një ditë më parë, shefi i gjigantit “News Coropration”, Rupert Mërdok, dhe ish-shefja për Britaninë e kësaj kompanie, Rebeka Bruks, kanë kërkuar falje para një paneli parlamentar britanik në lidhje me skandalin e përgjimit të telefonave.

Skandali ka përfshirë edhe policinë londineze, me pretendimet se ata kanë ndarë informacione për gazetarët në këmbim të pagesave apo favoreve.

Shefi i Skotland Yardit, Pol Stivenson, ka dhënë dorëheqje, pas zbulimit se kishte lidhje me ish-redaktorin e News of the World, Neil Uallis. Edhe asistenti i tij, Xhon Jets, që kishte refuzuar të hapte hetimet për skandalin e përgjimit në vitin 2009, ka dhënë dorëheqje, po ashtu.

Skandali tashmë ka kaluar Atlantikun dhe është bërë çështje e hetimeve të FBI-së në SHBA, ku kompania e Mërdokut ka në pronësi disa media, përfshirë Fox Broadcasting dhe The Wall Street Journal.(a.i)
XS
SM
MD
LG