Ndërlidhjet

Bullgaria e Rumania - nevoja urgjente për reforma


Bashkimi Evropian tha se dy anëtaret e tij më të reja, Bullgaria dhe Rumania, duhet të bëjnë reforma urgjente në sistemet e tyre gjyqësore, si dhe të përshpejtojnë përpjekjet për të luftuar korrupsionin.

Në deklaratën e Komisionit Evropian, që është krahu ekzekutiv i BE-së, thuhet se lufta e Bullgarisë kundër krimit të organizuar duhet të përmirësohet ndjeshëm.

Të dy vendet iu bashkuan BE-së më 1 janar të 2007-ës. Ata kishin disa dobësi në reformën gjyqësore dhe në fusha të tjera, andaj edhe ishte krijuar sistemi pesëvjeçar i monitorimit.

Çdo vit përpilohet nga një raport, ndërsa finali do të lëshohet më 2012.

Raportet e këtij viti për të dyja vendet flasin për progres në zbatimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, por, megjithatë, kërkojnë zbatimin e reformave.

Presidenti i Rumanisë, Traian Bashesku, e quajti "të saktë" raportin, duke thënë se ai tregon progres, por edhe probleme që vazhdojnë të ndikojnë në besueshmërinë e vendit.

Në Sofje, kryeministri bullgar, Boiko Borisov, tha se raporti përmban "konkluzione të qarta dhe rekomandime të sakta".
XS
SM
MD
LG