Ndërlidhjet

“Kosova duhet të tregojë se respekton ligjin ndërkombëtar dhe këtë mund ta bëjë duke mos u dhënë imunitet individëve që dyshohen se kanë kryer krime të rënda”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, analisti ndërkombëtar, njëherësh, drejtor i Asociacionit Ndërkombëtar të Avokatëve, Mark Ellis.
Ai thotë se pandëshkueshmëria për ata që kanë kryer krime, pengon ecjen e Kosovës përpara, sikurse që pengon edhe njohjet e reja.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ellis, një vit më parë, ju sikurse edhe shumë kosovarë, ishit optimist për një valë të re njohjesh, pas vendimit të GJND-së mbi pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, situata në Kosovë mbetet pothuaj e njëjtë. Si e shpjegoni ju këtë fakt?

MARK ELLIS
Pikë së pari, mendoj se vendimi i GJND-së ishte një vendim kundërthënës. Për mendimin tim, ai ishte vendim i duhur. Por, opinioni tjetër ishte se vendimi i GJND-së ka shkuar shumë larg, dhe natyrisht gjithmonë ka pasur hezitim te disa shtete për të njohur Kosovën si shtet të pavarur.

Janë vetëm shtatë shtete që e kanë njohur Kosovën, që nga vendimi i GJND-së. Kështu që nuk vihet në dyshim se ky është një proces i ngadalshëm. Jam i bindur se me kalimin e kohës, një numër më i madh i shteteve do ta njohin Kosovën.

Mendoj se ky është një proces nëpër të cilin do të kalojë Kosova dhe do të varet shumë se si Kosova do të reagojë ndaj çështjeve, se si do të shihet në sytë e ndërkombëtarëve, si të bëhet shtet funksional dhe partner i rëndësishëm i komunitetit ndërkombëtar. Mendoj se Kosova mban në duart e saj të ardhmen e njohjeve të reja.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ellis, shumë thonë se dialogu me Serbinë ka bërë që të ngecin njohjet e reja, sikurse edhe proceset e integrimeve. Por, të paktën deri më tash, nuk ka afat për përfundimin e dialogut?

MARK ELLIS
Mendoj se dialogu është shumë i rëndësishëm. Mendoj se është një hap shumë i rëndësishëm që të ketë dialog mes Kosovës dhe Serbisë pavarësisht çështjeve që po diskutohen, për shembull lëvizja më e lehtë në mes të dy vendeve, se çfarë dokumente do të përdoren.

E kuptoj se këto shihen si çështje kundërthënëse, por përderisa ka dialog, negociata mes Kosovës e Serbisë, këtë e konsideroj si hap shumë pozitiv. Mendoj se presioni i BE-së që të arrihen marrëveshje tjera është i rëndësishëm.

Prandaj për mua nuk është e befasishme që me negociata do ketë arritje në disa fusha, dhe nuk do ketë sukses në të tjerat. Por, e rëndësishme është që të vazhdohen negociatat.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendet Bashkimin Evropian, i cili ka rolin e ndërmjetësit në bisedime. Megjithatë, si e shihni qëndrimin e BE-së karshi Kosovës, që mban qëndrim neutral ndaj statusit, ndërkohë që pesë shtete të këtij unioni nuk e njohin Kosovën?

MARK ELLIS
Mendoj se këtu, hapi më i rëndësishëm që duhet të ndërmarrë Kosova është që të vazhdojë të zhvillojë veten si një shtet funksional e i pavarur dhe të shihet si partner i mirë i komunitetit ndërkombëtar.

Me kalimin e kohës, shtetet do ta kuptojnë këtë dhe përfundimisht do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Por, sërish, ky është një proces që nuk ndodh brenda natës. Mendoj se Kosova është në këtë rrugë të sigurimit të njohjeve tjera, por kjo do ndodh me kalimin e kohës.

RADIO EVROPA E LIRË
Aktualisht në Kosovë po zhvillohet një debat i nxehtë në lidhje me imunitetin e deputetëve, që po hetohen nga EULEX-i. Si avokat, si mendoni se duhet zgjidhur ky problem?

MARK ELLIS
Dua të them se ky është shembulli perfekt ku Kosova mund të japë maksimumin dhe të lëvizë shpejt drejt dhënies fund të pandëshkueshmërisë për secilin individ, që akuzohet se ka kryer krime lufte.

Në këtë pikë do ta shihja Kosovën si partnere të mirë të komunitetit ndërkombëtar. Jam i shqetësuar se nëse Kosova vazhdon të mbështesë pandëshkueshmërinë dhe t’i japë imunitet individëve që pretendohet se kanë kryer këto lloje krimesh, do t’i dëmtojë shanset që shtetet tjera ta njohin atë.

Prandaj, mendoj se ky është shembulli më i mirë, ku Kosova mund të bëjë gjënë e duhur dhe të sigurojë se nuk do të ketë pandëshkueshmëri për deputetët në Kuvend apo zyrtarët qeveritarë, të cilët kërkohen për krime lufte.

RADIO EVROPA E LIRË
Për këtë çështje ka pasur presion të madh ndërkombëtar. Si e shihni këtë presion?

MARK ELLIS
Mendoj se ai është korrekt, i duhur dhe mendoj se duhet të ketë presion ndërkombëtar. Mendoj se pozicioni i Kosovës këtu për kah çështja legale, është i dobët.

Është fakt se ligji ndërkombëtar është zhvilluar që nga Lufta e Dytë Botërore dhe vendimi për Gjykatën Ndërkombëtare, Tribunalin e Hagës për Krimet e Luftës në Jugosllavi, Tribunalin për Krimet në Ruandë, përçon mesazh të fuqishëm se po shfaqen parime legale që përcaktojnë se ata që janë në pushtet, përfshirë edhe krerët e shtetit nuk mund të pretendojnë pandëshkueshmëri për krimet ndërkombëtare që kanë kryer.

Kështu që sipas mendimit tim, është e rëndësishme për Kosovën që t’i pranojë parimet e fuqishme të ligjshmërisë, të cilat sigurojnë se ka llogaridhënie për ata që kanë kryer krime dhe jo të sigurojnë pandëshkueshmëri për ata që kanë kryer krime.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se pozicioni i Kosovës aktualisht është i dobët. Çka e bën të dobët këtë pozicion?

MARK ELLIS
Nëse i shihni zhvillimet e ligjit ndërkombëtar, por edhe statutet e tribunaleve ndërkombëtare, është e qartë se ligji ndërkombëtar ka lëvizur drejt pozicionit, për të cilin flet qartë se llogaridhënia aplikohet për të gjithë individët, në veçanti ata që janë në qeveri dhe parlament.

Këto parime janë të mishëruara në të gjitha statutet ndërkombëtare, në statutet e gjykatave ndërkombëtare. Prandaj, sugjerimi se Kosova nuk i respekton këto qëndrime, dhe në vend të kësaj siguron pandëshkueshmërinë për anëtarët e qeverisë dhe të parlamentit nuk është në konsistencë me ligjet aktuale ndërkombëtare. Në këtë pikë mendoj se Kosova është në anën e gabuar të debatit, në anën e gabuar të parimeve të kësaj çështjeje.

Ajo duhet të vihet në anën e duhur, duke siguruar se nuk do të ketë pandëshkueshmëri për anëtarët e qeverisë apo parlamentit, për të cilët pretendohet se kanë kryer krime lufte apo krime tjera serioze ndërkombëtare si krime kundër njerëzimit, gjenocid apo tortura.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër, zoti Ellis, Kosova që nga fundi i vitit të kaluar ka parë shumë raporte negative, siç ishte ai i senatorit Dik Marti, në të cilin akuzohet edhe vetë kryeministri i Kosovës. Duke pasur parasysh këto raporte, çfarë duhet të bëjë Kosova për të përmirësuar imazhin?

MARK ELLIS
Ky është një proces dhe është e rëndësishme që për të siguruar njohje nga numër i madh shtetesh, Kosova duhet të shihet si partnere e rëndësishme e komunitetit ndërkombëtar dhe një shtet i pavarur që i bindet parimeve ndërkombëtare.

Një nga këto parime është që të sigurohet se anëtarët e qeverisë janë sjellë para drejtësisë, nëse akuzohen se kanë kryer krime.

Mendoj se është e rëndësishme për Kosovën që të përgjigjet ndaj çdo kritike të komunitetit ndërkombëtar në mënyrën e duhur, duke u përpjekur që të zgjidhë këto çështje, sepse kjo është e vetmja mënyrë përmes së cilës Kosova do të njihet nga një numër më i madh shtetesh. Kjo është mënyra e duhur.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG