Ndërlidhjet

I mirëpritur dhe shqetësues


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Qeveria e Kosovës e plotësoi kërkesën e komunitetit të biznesit për aplikimin e masave reciproke ndaj produkteve të Serbisë dhe vendosjen e taksave doganore prej 10 për qind për mallrat e Bosnjës dhe Hercegovinës, thotë Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit.

Ai thotë se nga ky vendim, Serbia përveç se do të ketë humbje financiare, do të kuptojë se Kosova funksion si shtet i pavarur.

Shahini, tregon se që nga viti 2008 kur Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, nuk e respektuan marrëveshjen CEFTA, e deri në fund të vitit 2010, prodhuesit kosovarë kanë humbur 40 milion euro, ndërsa importi i produkteve serbe, në tregun kosovarë ka qenë shumë i lartë.

Nga viti 2007 kur edhe është në funksionalizim CEFTA, e deri në fund të vitit 2010, janë 1 miliard euro import nga Serbia. Dhe gjithmonë po flasim për shifra zyrtare, të importuara dhe që iu janë nënshtruar taksave të TVSH –së në Republikën e Kosovës”, thotë Shahini.

Problemet më Marrëveshjen për Tregti të Lirë me Evropën Qendrore, kanë lindur në dhjetor të viti 2008, kur Serbia dhe Bosnja e Hercegovina kanë bllokuar mallrat e Kosovës.

Kjo ka ndodhur pasi në shkurt të po këtij viti, Kosova ka shpallur pavarësinë e saj dhe rrjedhimisht vulat e UNMIK-ut janë zëvendësuar me ato të Republikës së Kosovës.

Këto vula nuk i njeh as Serbia, as Bosnja.

Por, edhe në vendimin e të mërkurës, të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, për parimin e reciprocitetit në marrëdhëniet tregtare, thuhet se nuk njihen vulat doganore dhe të administratës tatimore të Republikës së Serbisë, dhe ndalohet importi i të gjitha mallrave të përcjella me dokumente që përmbajnë këto vula.

Doganat e Kosovës, tashmë kanë filluar të zbatojnë një vendim të tillë.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në këtë institucion, tregon se deri në mesditë Kosova ka kthyer mbrapa 20 kamionë serbë.

Që prej fillimit të zbatimit të këtij vendimi, ne kemi kthyer parapa 20 ngarkesa, dhe nuk kemi pasur asnjë problem deri më tani. Një pjesë janë kthyer dhe një pjesë po qëndrojnë, për shkak se importuesit po thonë se kanë paguar një lloji takse në Serbi. Por, sidoqoftë vendimi i qeverise është i prerë dhe ky vendim do të zbatohet deri në fund”, shprehet Stavileci.

Por, Agim Shahini, thotë se kompanitë serbe do të mundohen që të gjejnë rrugë alternative për futjen e prodhimeve të tyre në tregun kosovar.

Si rrugë alternative për qarkullimin e mallrave, Shahini përmend Malin e Zi, Maqedoninë dhe Shqipërinë

Produktet e Serbisë do të jenë prapë në Kosovë, por përmes shteteve të tjera. Sepse Malit të Zi nuk mund të ia ndalojmë që të eksportojë prodhimet e Serbisë në Kosovë. Mallrat e Serbisë do të shkojnë në Mal të Zi, Shqipëri, Maqedoni dhe do të futen prapë në Kosovë, por me dokumente të vendeve që ne nuk kemi asnjë problem me shkëmbime tregtare. Republika e Kosovës me këtë rast, sipas CEFTA-s, obligohet të respektojë këto dokumentacione”, bën të ditur Shahini.

Edhe Muhamet Sadiku, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se Serbia dhe Bosnja me vite e kanë dëmtuar ekonominë kosovare, kështu që vendimi i qeverisë, sipas tij ka qenë i mirëpritur.

Megjithatë, Sadiku, dyshon se ky vendim mund të zbatohet në gjithë territorin e Kosovës.

Ai shpreh shqetësim për rritje të kontrabandës nga pjesa veriore e Kosovës.

Duke pasur parasysh që një pjesë të kufirit të vet, në pjesën veriore, institucionet e Kosovës nuk e kontrollojnë dhe as që kanë qasje. Ky vendim rrezikohet që në mënyrë të plotë të zbatohet në të gjitha pikat doganore të Kosovës . Por, kjo vërtet do të shtojë edhe presionin e ekonomisë joformale duke ofruar “mundësinë” për një invazion joformal të importeve të Serbisë, në tregun e Kosovës”, shprehet Sadiku

Vendimi është bazuar në faktin se kanë dështuar arritjet e marrëveshjeve për njohjen e vulave doganore të Kosovës dhe për këmbimin e lirë të mallrave, në procesin e dialogut me Serbinë, në Bruksel.
XS
SM
MD
LG