Ndërlidhjet

NI: Vdekja e shtetit të Bosnjës


Pamje e Sarajevës

Pamje e Sarajevës

"National Interest"

Shkruajnë: Morton Abramowitz dhe James Hooper


Marrëveshja e Dejtonit e ka shndërruar Bosnjën në një kuazi-shtet me ndarje etnike dhe ngjarja vendimtare që e ka përcaktuar ndarjen etnike ishte dështimi për të ndalur eksodin e qindra mijëra serbëve nga Sarajeva në entitetin serb të Bosnjës ose në vetë Serbinë.

Sarajeva multietnike tash është vetëm histori. Republika Serbe e Bosnjës në parim kërkon pavarësi ose më së paku një shkallë të gjerë autonomie. Kroatët e Bosnjës kanë pasaportë kroate dhe shumë prej tyre po zhvendosen në Kroaci ose gjetkë. Janë vetëm boshnjakët ata që janë të vendosur ta mbajnë shtetin e tyre në lëvizje.

Të gjitha palët etnike – kush më shumë e kush më pak – kanë kontribuuar në këtë gjendje në të cilin është Bosnja sot, e cila edhe 10 muaj pas zgjedhjeve, akoma nuk ka një qeveri qendrore.

Bashkimi Evropian është shndërruar në lojtar kryesor në Bosnjë dhe në fakt në Ballkan, duke zëvendësuar kudo amerikanët përveç në Kosovë, dhe ofron numër më të madh forcash paqeruajtëse.

Se a do të ketë sukses karota e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për të bashkuara këtë shtet, mbetet të shihet, posaçërisht nëse kihet parasysh fakti se shumë zëra evropianë duan t’i japin fund zgjerimit të BE-së pas hyrjes së Kroacisë.

Një nga faktorët kryesorë që do ta përcaktojë të ardhmen e Bosnjës, ndonëse shumë kush mund ta kontestojë këtë, është ajo se çfarë do të ndodhë në Serbi dhe në Kosovë.

Mbështetja serbe është thelbësore për të mbajtur të gjallë vullnetin e Republikës Serbe për t’u pavarësuar nga Bosnja.

Presidenti serb, Boris Tadiq, deri më tash ka bashkëpunuar me kryeministrin e Republikës Serbe, Milorad Dodik, por nuk i ka mbështetur publikisht deklarimet për shkëputje.

Nacionalistët në Serbi ndërkaq, i kanë kushtuar një vëmendje të posaçme bashkimit të Republikës Serbe me Serbinë, ndërkohë që lidhja me Kosovën dobësohet.

Sa për Kosovën, agjenda territoriale e Beogradit është zvogëluar dhe përqendruar në përpjekjet për të marrë pronësinë edhe ligjore mbi veriun, gjë që shpreson ta bëjë në bisedimet aktuale me Kosovën.

Kjo nuk është e pranueshme për Kosovën, e deri më tash as për Brukselin dhe Uashingtonin.

Shkëputja e veriut të Kosovës do të hapë në mënyrë të mprehtë çështjen se kujt i takon Republika Serbe e Bosnjës.

Në Bosnjë gjërat nuk do të ndryshojnë, përderisa të mos zgjidhet edhe përfundimisht çështja e Kosovës.

Në vend se të bëjë trysni mbi Tadiqin për Kosovën dhe Republikën Serbe në Bosnjë, Bashkimi Evropian duket se beson se mbështetja e fuqishme për një politikan që shikon më shumë kah Perëndimi, për fillimin e bisedimeve për hyrjen e Serbisë në BE dhe për negociatat e vazhdueshme Kosovë – Serbi, nuk do ta mundësojnë vetëm një pozicion të fuqishëm të Tadiqit në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, por beson se të gjitha këto do të ndryshojnë edhe politikat e tij mbi Bosnjën e Kosovën.

Në fakt, për shkak të ndasive të brendshme të BE-së për pavarësinë e Kosovës, ky bllok ka nguruar t’i dërgojë një mesazh të qartë Beogradit se Serbia nuk mund të hyjë në BE pa i zgjidhur kundërshtimet që ka mbi sovranitetin e Kosovës.

Bashkimi Evropian meriton shansin për të ndihmuar ta bëjë Bosnjën një shtet të vërtetë.

Por kjo do të varet më pak nga bindja dhe premtimet për anëtarësim, e më shumë nga fuqia e kontrollimit të tensioneve etnike në Bosnjë, menaxhimi i vendosur i procesit të anëtarësimit të Serbisë në bllokun evropian dhe shmangia nga minat tokësore në negociatat e vazhdueshme Kosovë – Serbi.

Dhe ndërkohë që Bosnja zhytet dukshëm në një status të konfliktit të ngrirë, nuk duhet pasur shumë optimizëm se diplomacia e Bashkimit Evropian do të dëshmohet të jetë e transformueshme. (a.i.)
XS
SM
MD
LG