Ndërlidhjet

"Embargo", gabim i madh


Pika doganore në Merdare
Pika doganore në Merdare

Zyrtarë shtetërorë serbë kanë reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për masat e reciprocitetit, që nënkupton ndalimin e hyrjes së produkteve serbe në Kosovë, duke thënë se me këtë, Prishtina shkel marrëveshjen e CEFTA-s.

Por, vendimi i Prishtinës, në fakt është marrë, pikërisht për shkak se Serbia dhe Bosnja kanë shkelur CEFTA-n, duke mos lejuar hyrjen e mallrave të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq tha se Beogradi nuk do të përgjigjet me masa të njëjta, por e quajti embargon, provokim.

Ky akt i njëanshëm i administratës së Prishtinës ka efekt të rëndë dhe kompleks në procesin e bisedimeve në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Të gjithë ata që kanë këshilluar Prishtinën për të ndërmarrë këtë akt, kanë bërë një gabim të madh. Të vësh çfarëdo sanksioni, sanksione tregtare, të cilat në fund i dëmtojnë qytetarët e thjeshtë, mendoj se nuk është morale, është absurde, se është kundër parimeve evropiane”, ka thënë Tadiq.

Problemet më CEFTA-n kanë lindur në dhjetor të viti 2008, kur Serbia dhe Bosnja e Hercegovina kanë bllokuar mallrat e Kosovës, pasi nuk kanë njohur vulat e Republikës së Kosovës, të cilat tanimë zëvendësonin ato të UNMIK-ut.

Qeveria e Serbisë, ndërkaq ka thënë se do ta ndërkombëtarizojë problemin e bllokimit të mallrave serbe në Kosovë.

Zëdhënësi Millivoje Mihajlloviq, tha ekzekutivi serb do t'i parlajmërojë edhe Kombet e Bashkuara, edhe Bashkimin Evropian për embargon kosovare.

Ai ka vlerësuar se vendimi është i njëanshëm dhe bie ndesh me marrëveshjen e CEFTA-s, si dhe pamundëson furnizimin e banorëve serbë në jug të Kosovës.

Ndërkaq, ministri për Kosovën në Qeverinë Serbe, Goran Bogdanoviq, ka thënë se pasojat e vendimit do t’i ndjejnë qytetarët.

Pasojat e këtij vendimi do t’i ndjejnë të gjithë qytetarët e Kosovës, si serbët ashtu edhe shqiptarët. Ne jemi të gatshëm jo vetëm për vulat doganore, por edhe për problemet tjera, që të gjejmë kompromis dhe mendoj se jemi afër zgjidhjes. Nëse ju nuk respektoni marrëveshjen e CEFTA-s, atëherë mos prisni që shtetet tjera në rajon të sillen ndryshe. T’ia lëmë këtë dialogut. Për këtë dhe kemi insistuar që të bisedohet në Bruksel, dhe pres që në shtator të kemi marrëveshje, e cila do t’i kënaq edhe njërën edhe palën tjetër”, ka thënë Bogdanoviq.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Bozhidar Gjeliq ka shfaqur shpresën se ky vendim nuk do të pranohet nga Bashkimi Evropian.

Pasojat e para të embargos janë vërejtur në kufirin kosovaro-serb në Merdare, ku raportohet se janë formuar kolona prej disa kilometrash me kamionë dhe transportues tjerë, të cilët janë ndaluar të hyjnë në Kosovë.

Prodhuesi serb, Dragoslav Iliq, drejtor i kompanisë “Prolom Vode”, ka thënë se janë prekur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, sikurse edhe partneri i tyre në Kosovë. Ai ka thënë se tash duhet kërkuar alternative për të plasuar mallin serb në Kosovë.

Konsideroj se ky veprim është i paqëndrueshëm dhe rezultati përfundimtar do të jetë në dëm të tyre. Sa për ne, po mendojmë për disa zgjidhje alternative, që do të mundësojnë konsumatorëve tanë në Kosovë të mos mbeten pa produktet tona”, ka thënë Iliq.

Sipas të dhënave të Odës Ekonomike të Serbisë, në gjashtë muajt e parë të vitit 2011, nga Serbia në Kosovë kanë hyrë mallra në vlerë prej 202.8 milionë dollarë, që është një rritje prej 15 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Shkëmbimi tregtar në vitin e kaluar mes Kosovës e Serbisë ka arritur vlerën e 395 milionë dollarëve, prej të cilave Serbia ka futur në Kosovë mall në vlerë prej 390 milionë dollarësh, ndërsa Kosova vetëm 4 milionë dollarë.

Në anën tjetër, ekonomisti nga Oda Tregtare e Bosnjes, Dujko Hashiq, ka thënë se vendosja e taksave doganore ndaj prodhimeve boshjnake, do të pasohet me humbje për prodhuesit e këtij vendi.

“Ndërprerja e eksporteve do të thotë një humbje e madhe me të vërtetë për sipërmarrësit vendas në Bosnje, ku vlera vjetore e eksportit është rreth 80 milionë euro. Bosnja ekporton një gamë të gjerë të produkteve si barna, çelik, cigare, produkte të mishit, mobilje dhe të tjera. Ne do të ankohemi te Sekretariati i përgjithshëm i CEFTA-s”, ka thënë Hashiq. (a.i)
XS
SM
MD
LG