Ndërlidhjet

Dialogu për liberalizim do të zgjasë


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Përmbushja e detyrimeve që dalin nga procesi i riatdhesimit është detyrë e institucioneve të Kosovës dhe ky është obligim i të gjitha komunave të vendit, ka vlerësuar kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi.

Në takimin që ka pasur me kryetarët e komunave, ai ka kërkuar që të përmbushin këto detyrime në mënyrë që Kosova të vlerësohet pozitivisht nga Komisioni Evropian në përmbushjen e kritereve për integrim.

Kryeministri Thaçi, ka thënën se vlerësimi pozitiv do të ishte shumë i rëndësishëm për jetën e qytetarëve të Kosovës.

Rëndësia e këtij misioni qëndron në faktin se vlerësimi me të cilin do të dalë ky mision, do të përcaktojë vendimin e Bashkimit Evropian për hapat e mëtejmë në kuadër të dialogut për liberalizimin e vizave. Ne besojmë se një vlerësim pozitiv nga ky mision do të mundësonte fillimin e këtij procesi unifikues dhe shumë të rëndësishëm për jetën e përditshme të qytetarëve tanë”, u shpreh Thaçi.

Kjartan Bjornson, udhëheqës i Komisionit Evropian në Kosovë, ka rikujtuar zotimin e institucioneve vendore se ri-integrimi i të riatdhesuarve është prioritet kombëtar.

Duam të besojmë se është prioritet, jo vetëm pse rezultati do të përcaktojë nëse Komisioni Evropian do të propozojë nisjen e dialogut për vizat, por edhe për faktin se ekziston përgjegjësi e vërtetë dhe përkushtim për të riatdhesuar qytetarët e Kosovës”, ka thënë Bjornson.

Duke folur për komunikimin me mediat, zoti Bjornson tha se shpesh has në deklarata të zyrtarëve të cilët thonë se “Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizim vizash”.

Më lejoni ta përsëris edhe një herë, jemi duke folur vetëm për nisjen e dialogut mbi vizat dhe ky dialog mund të zgjasë”, ka thënë Bjornson, duke paralajmëruar ardhjen e një misioni me 12 shtator për të vlerësuar gjendjen aktuale.

Ai bëri thirrje që fondet e dedikuara për riatdhesim të shfrytëzohen me përgjegjësi dhe se çfarëdo shpërdorimi në këtë drejtim do të ketë, siç tha, pasoja dramatike.

Ndërkaq, Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme, ka theksuar se deri më tash Kosova ka plotësuar kushtet për udhërrëfyesin, por jo edhe për liberalizim të vizave.

Për liberalizim ende nuk i kemi plotësuar kushtet. Jemi në rrugën e mirë. Në shumë fusha kemi arritur një progres të konsiderueshëm me udhërrëfyesin vetanak, por të gjitha kushtet për liberalizim ende nuk i kemi plotësuar”, bëri të ditur ai.

Por, ministrja për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku, ka shprehur bindjen se institucionet e Kosovës do të përmbushin kriteret për liberalizim të vizave.

Janë dy momente të ndara. Momenti i parë është marrja e udhërrëfyesit. Edhe për të marrë udhërrëfyesin ka kritere. Ne i kemi plotësuar të gjitha kushtet për të marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Pas marrjes së udhërrëfyesit, është momenti i dytë, liberalizimi. Unë jam e bindur që pas marrjes së udhërrëfyesit, nëse punohet me këtë dinamikë çfarë është punuar deri më tash, në një afat rekord ne do të jemi në gjendje t’i përmbushim kriteret”, tha Çitaku.

Ndryshe, në takimin sotëm edhe kryetarët e komunave të Kosovës kanë marrë obligimin dhe janë zotuar se do t’i përmbushin detyrimet që dalin nga procesi i riatdhesimit.

Ata kanë thënë se komunat në vazhdimësi janë duke bërë përpjekje dhe kanë ndarë fonde për këtë qëllim, në mënyrë që të përmbushet ky kriter, i nevojshëm për integrimin.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG