Ndërlidhjet

logo-print
Publikimi i shkaqeve të vdekjeve në Kosovë për vitin 2008 – 2009, është hulumtimi i dytë që është bërë në Kosovë për këtë çështje.

Hulumtimi mbi shkaqet e vdekjeve në Kosovë është realizuar përmes hulumtimit kuantitativ, që përfshinë një mostër prej 1.150 familjeve që kanë pasur raste të vdekjes në tri vitet e fundit, dhe hulumtimit kualitativ që ka përfshirë diskutime në grupe.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani thekson se ky hulumtim do të mundësojë që zhvillimi i shërbimeve mjekësore të jetë më adekuat.

Edhe në Kosovë si në shumicën e shteteve të Bashkësisë Evropiane, dy grupet më të shpeshta të vdekjeve janë sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundjet malinje, sëmundjet kanceroze. Megjithatë, nevojitet një specifikim më i saktë këtyre shkaqeve, në mënyrë që edhe zhvillimi i shërbimeve mjekësore të jetë me adekuat”, thotë ai.

Një problem tjetër që paraqitet në këtë hulumtim mbi shkaqet e vdekjes është edhe regjistrimi i vdekjeve.

Situata aktuale me regjistrimin e vdekjes në Kosovë, është mjaft e dobët.

Edhe përkundër përpjekjeve që janë bërë në periudhën e pasluftës, që ka të bëjë me regjistrimin e vdekjeve, ministri Agani theksoi se ende numri i vdekjeve të cilat regjistrohen mbetet i vogël.

Edhe përkundër faktit që paraqesin obligim ligjor dhe janë të përcaktuara dhe modifikuara në shumë akte ligjore dhe nënligjore, megjithatë, në shumë raste mbesin të parealizuara dhe të pazbatuara, e po ashtu kur janë në pyetje edhe shkaqet e vdekjes”, shprehet Agani.

Ndërkohë, sipas ligjit mbi Regjistrat e Gjendjes Civile për vdekjet që kanë ndodhur brenda territorit të Kosovës, duhet të regjistrohet brenda 30 ditëve, përderisa ato vdekje që kanë ndodhur jashtë territorit, afati për regjistrim është 60 ditë.

Në anën tjetër, edhe kryetari i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, vlerëson se hulumtimi mbi shkaqet e vdekjes është mjaft i nevojshëm për zhvillimin e mjekësisë në Kosovë.

Ky hulumtim ka për qëllim të mbledhë të gjitha të dhënat e shkaqeve të vdekjes në Kosovë dhe të nxjerrë në pah të gjitha ato mangësi të cilat do të mund të evitohen në mënyrë që të bëjmë planifikimet për t’i evituar shkaqet e vdekjes që tash janë evidente në Kosovë. Shkaqet e vdekjeve në Kosovë janë sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundjet e kancerit të të gjitha llojeve”, sqaron ai.

Përpunimi i informacione për shkaqe të vdekjes, sipas zëvendësministrit të Administratës Publike, Nexhmedin Kastrati, krijon mundësi të gjëra për analiza mjekësore në fusha ku është fokusuar interesimi i tyre.

Enti i Statistikave të Kosovës do të vazhdojë në të ardhmen të publikojë të dhëna për vitin 2009 – 2010, por për të realizuar këtë hulumtim të rëndësishëm statistikor, është e nevojshme që mjekët në spitale dhe nëpër ambulanca të bëjnë përshkrimin e shkaqeve të vdekjes së pacientit”, bën të ditur ai.

Ndërkohë në hulumtim thuhet se arsyet kryesore që do të mund t’i bënin njerëzit që të regjistrojnë faktin e vdekjes së personit në familjen e tyre, janë thjeshtësimi i procedurave, shpërndarja e informacionit mbi regjistrimin e vdekjes si dhe mundësimi i asistencës sociale për shpenzimet e varrimit.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG