Ndërlidhjet

Fuqizohet ligji që ndalon burkan

  • RFE /RL

Një grua myslimane e veshur me burka.

Një grua myslimane e veshur me burka.

Nga e shtuna, në Belgjikë do të jetë i ndaluar mbulimi i fytyrës në vende publike. Ligji i miratuar me shumicën dërrmuese të Parlamentit do të shqetësojë vetëm një pjesë të vogël të grave myslimane që mbulojnë fytyrën. Por, ai shihet si shenjë i nervozizmit në rritje me Islamin, në vendet e Evropës Perëndimore.

Belgjika është bërë vendi i dytë evropian, pas Francës, që ka ndaluar mbajtjen e vellos që mbulon fytyrën në publik.

Parlamenti belg ka miratuar ligjin në prill të 2010-ës, me 149 vota për dhe vetëm 1 kundër, por për shkak të rënies së qeverisë dhe zgjedhjeve jo-bindëse që lanë vendin me një qeveri kujdestare, zbatimi i tij është shtyrë deri më tash.

Ligji nuk përmend në mënyrë specifike burkën, por ai ndalon mbulimin e fytyrës në publik për shkaqe sigurie.

Shkelësit e tij do të përballen me gjoba prej 137.5 eurosh deri në shtatë ditë heqje lirie.

Peter Dedeker është ligjvënës i qendrës së djathtë, përkatësisht Aleancës së Re Flamande.

Mendoj se duhet t’i mbrojmë parimet tona themelore të iluminizmit. Burrat dhe gratë janë të barabartë në të gjitha aspektet. Përveç kësaj, një gjë e tillë bëhet edhe për shkaqe sigurie. Ne nuk e dimë kush është prapa asaj veshjeje. Mund të jetë çdokush, ata mund të bartin çdo gjë me vete. Njerëzit thjesht ndjehen të pasigurt kur ndodhen në mesin e njerëzve me burka”, thotë Dedeker, për të shtuar se ai mbështet lirinë fetare brenda kufijve.

Natyrisht, njerëzit kanë lirinë e fesë. Ne nuk kemi asgjë kundër Islamit për shembull. Por, unë nuk mendoj se burka është vlera kryesore e Islamit, nuk mendoj. Përveç kësaj, është çmenduri që gratë të fshehin fytyrat e tyre, trupin e tyre, sepse disa burra nuk mund të kontrollojnë veten”, shprehet Dedeker.

Deputetja e Partisë Demokristiane, Len Dirik, pajtohet.

Çdonjëri ka të drejtë të ketë një fe dhe të besojë. Por, ka dhe kufizime. Kufizimi për ne në Belgjikë është mbulimi i fytyrës”, thotë ajo.

I vetmi person që kishte votuar kundër ligjit është Eva Brems, ligjvënëse nga Partia e Gjelbër.

Brems, e cila është ligjëruese e ligjit për të drejtat e njeriut, thotë se është e bindur se legjislacioni shkel të drejtat themelore të njeriut.

Ky qëndrim, shton ajo, mbështetet edhe nga Këshilli i Evropës dhe grupet e të drejtave, përfshirë Amnesty International.

Brems shpreson se disa prej grave të prekura myslimane, do ta sfidojnë vendimin në gjykatë.

Shpresoj se dikush do ta kundërshtojë këtë ligj para Gjykatës Kushtetuese dhe në këtë mënyrë të anulohet”, thekson ajo.

Brems është e shqetësuar edhe me mënyrën se si është miratuar ligji, pa u mbajtur seancë dëgjimore me anëtarët e komunitetit mysliman apo me shoqërinë civile.

Ajo vë në dyshim kushtetutshmërinë e ligjit dhe thotë se është hartuar keq.

Ligji është hartuar shumë keq. Është një ligj shumë problematik edhe nga këndvështrimi legal. Nëse zbatohet në mënyrë rigoroze, do të përfundojë me situata qesharake, ku njerëzit në organizimin e lojërave për fëmijët, të veshur si palaço, do të dënohen”, thotë Brems.

Aspekti më goditës i ligjit është se ai prek një komunitet.

Rreth 600 mijë banorë të popullsisë 11-milionëshe në Belgjikë, janë myslimanë. Shumica e tyre janë nga Afrika e Veriut, ku kultura e grave të mbuluara është e rrallë.

Vlerësimet e ndryshme tregojnë se 28 nga 200 gra në gjithë vendin veshin “veshjen e ndaluar”.

Pavarësisht kësaj, Mustafa Kastit, imam në xhaminë më të madhe të Brukselit, thotë se ligji mund të ketë pasoja negative për komunitetin mysliman në Belgjikë.

Na vjen keq për miratimin e këtij ligji, i cili rrezikon stigmatizimin e komunitetit mysliman edhe më shumë. Ai po ashtu rrezikon forcimin e klimës së frikës, klimës së islamofobisë, që duket të ketë lëshuar rrënjë në shumë vende perëndimore”, thotë Kastit.

Sipas tij, toleranca ka qenë gjithmonë një shenjë dallues i shoqërisë dhe politikave belge.

Shoqëria belge është e njohur të jetë një shoqëri shumë tolerante,. Është po ashtu shoqëri e kompromisit. Politikat belge kanë qenë gjithmonë të shoqëruara me kërkimin e një kompromisi absolut. Çdonjëri mundohet të marrë pjesë, por pa rrezikuar frymën e komunitetit dhe sigurinë e qytetarëve”, thotë Kastit.

Brems pajtohet, me gjithë faktin se një gazetë belge e ka krahasuar kundërshtimin e saj ndaj ligjit me mbrojtjen e nazistëve.

Teoria ime pas kësaj është se nuk kemi të bëjmë me një çështje të islamofobisë në rritje. Bëhet fjalë për tension të shoqërisë me Islamin dhe me multikulturalizmin në përgjithësi, që përpiqet të gjejë një mënyrë për të manifestuar veten”, thotë Brems. (v.t.)
XS
SM
MD
LG