Ndërlidhjet

Edhe reciprociteti ndan serbët


Kamionët që ngarkojnë mallra nga Serbia, presin para pikës doganore në Merdare.
Kamionët që ngarkojnë mallra nga Serbia, presin para pikës doganore në Merdare.
Masat e reciprocitetit ndaj Serbisë apo ndalimi i importimit të mallrave nga ky vend, të cilat i ka vënë në fuqi Qeveria e Kosovës, kanë nxitur reagimet e politikanëve serb të Kosovës.

Ata kanë mendime të ndryshme lidhur me pasojat eventuale që mund t’i ketë komuniteti serb për shkak të bllokimit të importit të mallrave serbe në Kosovë.

Politikania serbe nga Graçanica, Rada Trajkoviq, deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Listës së Përbashkët Serbe, vlerëson se masat e tilla do ta godasin gjithë popullsinë në Kosovë, e posaçërisht në mënyrë të fuqishme, siç thotë ajo, do ta godasin komunitetin serb që jeton në anën jugore të lumit Ibër.

Kjo për bashkësinë serbe është goditje e madhe. Nga ata që vënë embargo, unë gjithmonë pres që të mendojnë për katastrofat humanitare që mund t’i godasin bashkësitë më të rrezikuara e në Kosovë kjo është bashkësia serbe".

"Çdo qeveri e përgjegjshme që përpiqet ta përfitojë popullatën për vete, ajo mendon për pasojat që mund t’i ketë ajo popullatë. Në këtë rast, nuk është menduar fare për popullatën serbe në Kosovë. Kjo më dhemb shumë, sepse, me siguri që do të mbesin gjërat që janë në funksion të mbrojtjes së shëndetit të popullatës dhe jo vetëm kaq”, thotë Trajkoviq.

Ajo thekson se si pasojë e, siç e quajti ajo, “embargos”, çmimet do të ngritën, si dhe do të sforcohet aktiviteti i kontrabanduesve.

Ndërkaq, sipas saj, serbët në veri të vendit janë të përjashtuar nga ky rrezik.

Marko Jakshiq, politikan serb nga veriu i Kosovës, vlerëson se nga ndalimi i importimit të mallrave serbe në Kosovë, siç thotë ai, më shumë do ta pësojnë shqiptarët se sa serbët.

Këtu në veri të Kosovës unë po shoh se kamionët po kalojnë. Do të thotë pikat doganore 1 dhe 31 nuk janë bllokuar dhe mallrat po hyjnë lirshëm në këto dy pika, nga Serbia në këtë hapësirë. Sa i përket jetesës së serbëve, unë mendoj se ata do ta kalojnë shumë më mirë se sa që do ta kalojnë shqiptarët".

"Këtë e them duke pasur parasysh se pozita ekonomike e serbëve mesatarë është në masë shumë më të mirë, më kualitative dhe më e pasur se sa ajo e shqiptarëve mesatarë. Çdo embargo, luftë ekonomike, apo çfarëdo lufte, gjithmonë i godet më shumë të varfrit se sa të pasurit”, tregon Jakshiq.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se ndalimi i importimit të mallrave serbe do të zbatohet në tërë territorin e Kosovës, pavarësisht se do të hasë në vështirësi në pjesën veriore të vendit.

Jakshiq thotë se qoftë Qeveria e Kosovës, qoftë EULEX-i , do ta kenë vështirë që t’i kontrollojnë pikat doganore në veri të Kosovës.

Edhe nëse kjo ndodhë, ndonëse do të jetë mjaft e vështirë që EULEX-i të niset me planin e saj për ndalimin e hyrjes së mallrave, prapë mendoj se çmimin e luftës ekonomike do ta paguajnë shqiptarët mesatarë të Kosovës. Këtë e them duke pasur parasysh marrëveshjen e CEFTA-s, por edhe të gjitha masat të cilat Beogradi i ka në dispozicion”, shprehet Jakshiq.

Ndërkaq, Rada Trajkoviq vlerëson se ndalimi i hyrjes së mallrave serbe në Kosovë do të shkaktojë dy efekte të cilat, sipas saj, janë të rrezikshme.

E para është e natyrës psikologjike, ku po përjetojmë vazhdimësinë e presionit mbi serbët. Ky akt, në esencë, i ngrit tensionet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve dhe disi sikur i militarizon njerëzit. Ndërkaq, përmes bisedimeve është dashur të ndodhë demilitarizimi i njerëzve".

"Unë shoh se serbët janë mjaft të brengosur. Natyrisht kur mungojnë artikujt, militarizimi i njerëzve është më i madh dhe ky është shans për tensione. Ndërkaq, kjo ju konvenon kontrabandistëve, sepse ata funksionojnë më së miri ku ka tensione”, thekson Trajkoviq.

Sidoqoftë, ajo ka theksuar se pret nga të dyja palët, Prishtina dhe Beogradi, që të jenë, siç ka thënë ajo, më të përgjegjshme dhe ta kuptojnë se e gjithë kjo situatë rrezikon të krijojë jo-stabilitet dhe fuqizim të kriminalitetit.
XS
SM
MD
LG