Ndërlidhjet

Qeveria monitoron zbatimin e reciprocitetit


Zyrtarë të qeverisë së Kosovës kanë vizituar sot pikat doganore me Serbinë për t’u informuar nga afër me zbatimin e masave të reciprocitetit që ka vënë qeveria në Prishtinë si kundërpërgjigje masave të ngjashme të qeverisë në Beograd ndaj mallrave nga Kosova.

Zëvendëskryeministri, Behgjet Pacolli, ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila dhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi kanë vizituar pikën doganore 1 dhe 31 në veri të Kosovës si dhe pikën kufitare më Mërdar.

Në zonën neutrale në veri, që nga vendosja e masave të reciprocitetit kanë mbetur 8 kamionë të cilët nuk janë lejuar të kalojnë në territorin e Kosovës.

Ministrja Mimoza Kusari-Lila me këtë rast tha se është duke u menduar se çfarë do të bëhet me këta 8 kamionë që kanë mbetur në këtë zonë neutrale.

Përderisa, ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi tha se Policia e Kosovës nuk do të lejojë që kamionët që kanë mbetur në këtë pjesë ta bllokojnë rrugën, ashtu siç është paralajmëruar ditë më parë.

Ai është zotuar se organet e rendit janë të gatshme të ndihmojnë në zbatimin e plotë të masave të reciprocitetit.

Zyrtarët qeveritar u informuan se nga vendosja e këtyre masave, ka rënë dukshëm importi përmes këtyre pikave doganore.
XS
SM
MD
LG