Ndërlidhjet

logo-print

Kosova nuk kapitalizoi fitoren në GJND


Ndërtersa e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Ndërtersa e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Kosova nuk arriti të përfitojë në aspektin diplomatik nga mendimi pozitiv i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, vlerësojnë diplomatë dhe ish-diplomatë kosovar një vit pas këtij vendimi.

Ish-ministri i Jashtëm Skënder Hyseni thotë se mendimin pozitiv i GJND-së për pavarësinë e Kosovës nuk mund të zbehet asgjë, ndonëse për ngecjet në planin e njohjeve ai fajëson qeverinë për përfshirjen e saj në dialogun me Serbinë.

Ndërkaq zëvendësministri i Jashtëm Ibrahim Gashi, thotë se mendimi i GJND-së mbetet i një rëndësie historike për shtetin e Kosovës.

Ndonëse pajtohet me faktin që Kosova nuk arriti të përfitojë shumë në planin diplomatik nga favoret që krijoi ai mendim, zanafillën e ngecjeve, Gashi e sheh tek ish-qeveria e Kosovës dhe diplomacia e atëhershme kosovare.

Ne kemi pritur që do ta kapitalizojmë më shumë si shtet, mirëpo sikundër dihet kemi pasur një periudhë kur në momentin kur është dhënë ky mendim, ndoshta diplomacia kosovare dhe politika nuk kanë lëvizur shpejtë për të kërkuar një rezolutë pranë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, për ta legjitimuar këtë vendim, dhe atë që nuk e bëmë ne atë botë, e pati bërë Serbia me inicimin e rezolutës pranë OKB-së”, thotë Gashi.

Zëvendësministri Ibrahim Gashi rikujton momentin kur rezoluta serbe në OKB u transformua në njëfarë forme, në një rezolutë të Bashkimit Evropian atje, me të cilën edhe nisi epoka e dialogut Kosovë – Serbi, proces ky që mendohet se bllokoi në një masë njohjet e reja të shtetit të Kosovës.

Por, ish-ministri i jashtëm, Skënder Hyseni, thotë se mendimi i GJND-së është i një rëndësie të veçantë që nuk mund të matet vetëm me njohjet.

Kurse njohjet, sipas Hysenit, u ngadalësuan tej mase për shkak të dialogut Kosovë – Serbi, në të cilin, ai thotë se qeveria e Kosovës hyri totalisht e papërgatitur.

Njohjet i ka zvarritur, i ka ndalur pothuajse krejtësisht dialogu aktual me Serbinë. Natyrisht me të drejtë është pritur që pas një mendimi aq të qartë të GJND-së shtetet e ndryshme të botës do ta njihnin Kosovën dhe kjo do të ndodhte sikur të mos ishte ky dialog i cili ka filluar krejtësisht i papërgatitur dhe Qeveria e Kosovës ka bërë gabim strategjik që ka pranuar dialogun para se të fitonte të paktën edhe 20 njohje të tjera”, thotë Hyseni.

Në njëvjetorin e mendimit të GJND-së, Kosovës i erdhi njohja nga Afrika Qendrore, e cila shënoi njohjen e 7 pas këtij mendimi dhe të 77-ën gjithsej.

Zëvendësministri Ibrahim Gashi, thotë se ky numër nuk mund të jetë i kënaqshëm, pasi që njohjet dhe numrat janë jetikë për Kosovën, kur është në pyetje përfaqësimi i saj jashtë, dhe anëtarësimi në mekanizma e organizata ndërkombëtare.

Ne na duhen shumë më tepër njohje, dhe nëse i referohemi këtij fakti, Kosova ka pak njohje dhe vetëm 7 njohje pas mendimit të GJND-së janë sigurisht pak. Le të shpresojmë që bisedat dhe konkluzionet e para të dialogut për tri marrëveshjet e para, diplomacia jonë është duke i përdorur si argument, se bëhet fjalë për biseda teknike dhe se jemi në rrugët ë mirë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, dhe është duke u bërë një diplomaci dhe lobim shumë intensiv në shumë drejtime dhe përmes shumë mekanizmave”, thekson Gashi.

Ndërkohë, ish-ministri Skender Hyseni, thotë se Kosova nuk mund të bëjë asgjë më tepër përderisa, sipas tij, nuk ka diplomaci.

Ai kritikon ashpër politikën e jashtme të qeverisë Thaçi duke e cilësuar atë të pa-adresë dhe të ngatërruar në funksione e kompetenca.

Sot mund të thuhet që Kosova nuk ka politikë të jashtme fare. Kosova sot e ka bërë pikërisht atë që e kanë dëshiruar kundërshtarët e pavarësisë së saj, që ta lë Kosovën pa adresë në politikë të jashtme duke bërë aq shumë emërime, duke shpikur poste që merren me politika të jashtme dhe esencialisht, Kosova nuk ka adresë të qartë, dhe këtu është dështimi më i madh edhe në rrafshin njohjeve”, vlerëson Hyseni.

Para një viti, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pati dhënë mendimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në harmoni me të Drejtën Ndërkombëtare.

Pas këtij mendimi, zyrtarët më të lartë të shtetit por edhe analistët e mediat, patën paralajmëruar një bum njohjesh të reja dhe fuqizim të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG