Ndërlidhjet

Norvegjia në zi

  • RFE /RL

Në kujtim të viktimave, Osllo 24 korrik 2011.

Në kujtim të viktimave, Osllo 24 korrik 2011.

Norvegjia po mban zi për 93 personat e vrarë në ishullin Utoja dhe nga shpërthimi në Osllo.

Të paktën 85 persona u qëlluan për vdekje në takimin rinor të Partisë Laburiste në Utoja, vetëm pak orë pasi shtatë persona humbën jetën nga shpërthimi i bombës në ndërtesat qeveritare në Osllo. Një i plagosur, nga mbi 90 të tillë, ka ndërruar jetë në spital, ndërsa edhe më tej figurojnë disa të zhdukur.

Në komentet e para që nga arrestimi, përmes avokatit, sulmuesi Anders Bering Breivik ka thënë se motivet e tij dëshiron t’i shpjegojë në gjykatë, në seancën dëgjimore që mbahet të hënën.

Avokati Geir Lipeshtad nuk ka dhënë detaje në lidhje me motivet e mundshme që mund ta kenë çuar Breivikun në shkaktimin e dhunës.

“Ai (Breiviku) thotë se beson që veprimet ishin barbare, porse në kokën e tij ato ishin të nevojshme”, ka thënë Lipeshtad.


Anders Bering Breivik
Avokati ka cituar Breivikun të ketë thënë se ka “sulmuar shoqërinë norvegjeze, meqë ka dashur ta ndryshojë atë”.

Ushtruesi i detyrës së shefit të policisë në Osllo, Sveinung Sponhajm, ka konfirmuar se Breivik do të flasë në gjykatë, por nuk ka bërë të ditur nëse seanca do të jetë e hapur për publikun.

Sponhajm ka thënë se i dyshuari Anders Bering Breivik e ka pranuar përgjegjësinë për të dyja incidentet, por është përpjekur të distancohet nga hetimi penal.

“Ai ka pranuar se është përgjegjës për sulmin me bombë dhe vrasjen e njerëzve në ishull”, ka thënë Sponhajm.

Policia norvegjeze tha se i akuzuari për organizimin e sulmeve në Norvegji thotë se ka vepruar i vetëm. Autoritetet e rendit janë në verifikim të pretendimeve të dëshmitarëve, të cilat sugjerojnë se bëhet fjalë për një ose më shumë sulmues.

Policia ka arrestuar disa persona gjatë një bastisjeje në një shtëpizë në veri të Osllos, por i ka lëshuar më pas, pasi nuk ka gjetur lidhje me sulmet e së premtes.

Dhuna më e keqe në Norvegji, që nga Lufta e Dytë Botërore, ka vënë në shok shtetin paqësor prej 4.8 milionë banorësh.

Mbreti Harald dhe kryeministri Jens Stoltenberg ishin në mesin e pjesëmarrësve në meshën e zisë, të mbajtur në katedralen e Osllos.

Kryeministri ishte i emocionuar ndërsa fliste për viktimat, disa nga të cilat i kishte njohur personalisht.

“Secili nga ata që humbëm, është tragjedi në vetvete. Bashkë, ata janë një tragjedi kombëtare”, ka thënë Stoltenberg.

Njerëzit e përlotur kanë hedhur lule dhe qirinj jashtë katedrales.

Ushtarë të armatosur dhe me jelekë anti-plumb kanë bllokuar rrugët që çojnë në distriktin qeveritar.

Policia thotë se Breivik u është dorëzuar policëve, kur ata kanë arritur në ishullin e vogël të Utojas, 42 kilometra karg Osllos, pasi që kishte qëlluar mbi të paktën 85 persona, kryesisht të rinj, që po merrnin pjesë në kampin veror të organizuar nga Partia Laburiste e Norvegjisë.

Rreth 650 persona ishin në ishull, kur Breivik i veshur me uniformë të policisë, hapi zjarr mbi ta.

Policia tha se i është dashur një orë për të arritur në ishull që kur mori sinjalin, për të ndaluar masakrën më të keqe në kohërat moderne, të kryer nga një person i vetëm i armatosur.


Osllo, 22 korrik 2011.
Breivik është përshkruar si fundamentalist i krishterë i krahut të djathtë, me pikëpamje anti-myslimane. Hetuesit janë duke hulumtuar nëse ai është autor i një manifestoje 1,500-faqesh që është postuar në internet, e që përshkruan planifikimin e sulmit.

Shefi i policisë ka konfirmuar se Breivik e ka publikuar manifeston vetëm disa orë para se t'i kryente sulmet.

Trakti i shkruar në anglisht përshkruan planifikimin e tij për vrasjet.

“Vrasjet do të tërheqin vërejtjen për manifestin 2083 - Deklarata Evropiane e Pavarësisë“, ka shkruar Breivik.

Ai ka sulmuar atë që e ka quajtur “kolonizim islamik i Evropës Perëndimore” .

Norvegjia ka qenë e hapur ndaj imigrimit dhe për këtë është kritikuar nga Partia e Progresit, anëtar i së cilës për një kohë ka qenë edhe Breivik.

Partia Laburiste, kampin rinor të së cilës e sulmoi ai, mbështet multikulturalizmin për të akomoduar komunitetet e ndryshne etnike.

Breivik akuzohet për terrorizëm. Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me maksimumin e dënimit prej 21 vjetësh heqje lirie. (a.i.)

Lexoni edhe këtë:
Rritet numri i viktimave
XS
SM
MD
LG