Ndërlidhjet

logo-print
Mosmiratimi i Ligjit për skemat pensionale, të financuara nga shteti, ka bërë që pensionistët kosovarë të mos marrin pensione me rritje. Fadil Racaj, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se pensionet, në mënyrë retroaktive, do të merren pas miratimit të këtij ligji, duke llogaritur retroaktivitetin që nga muaji korrik i këtij viti.

Rracaj thotë se Ministria e Punës tashmë ka përgatitur projekt-ligjin dhe se duhet bërë vetëm rivlerësimi financiar nga Ministria e Financave, në mënyrë që të shkohet për shqyrtim në mbledhjet e ardhshme të qeverisë.

Sipas këtij projekt-ligji, pensionet bazike do të rriten nga 45 euro, sa janë aktualisht, në 50 euro, ndërsa pensionistët kontribut-pagues, që tani marrin 80 euro, do të marrin 101, eventualisht 116 euro.

“Është me rëndësi të përmendet fakti se Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dhënë pëlqimin për këtë projekt-ligj. Mendojmë dhe vlerësojmë se nuk do të kemi telashe rreth shqyrtimit dhe miratimit të tij nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës”, thotë Rracaj.

Por, përfaqësues të pensionistëve nuk pajtohen me projekt-ligjin në tërësi. Hamdi Tasholli, nga Organizata e Invalidëve të Punës, i cili njëherësh ka qenë edhe anëtar i grupit punues në përpilimin e këtij projekt-ligji, e quan atë diskriminues dhe johuman.

Tasholli konsideron se vlera e pensioneve mesatare në Kosovë duhet të jetë 60 për qind nga vlera e pagës mesatare.

“Nëse është rreth 400 euro rroga mesatare e të punësuarve në Kosovë, atëherë 60 për qind e saj do të ishte një mesatare prej 240 eurosh”, thekson Tasholli.


Qeveria e Kosovës
Mirëpo, Fadil Rracaj, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se mundësitë buxhetore lejojnë vetëm rritjen e caktuar të shumës.

“Është e vërtetë se ka pakënaqësi në mesin e pensionistëve, por, duke pasur parasysh gjendjen e gjithëmbarshme ekonomike të vendit tonë, mendoj se Qeveria e Kosovës ka bërë një progres në këtë drejtim, veçmas kur merret parasysh se pensionet, nga 1 korriku, do të kenë një rritje prej 80 në 101 apo 116 euro”, thekson Rracaj.

Anomalia më e madhe në këtë draft-ligj, sipas Tashollit, është te neni 29, ku bëhet fjalë për pensionistët invalidorë nën moshën 65-vjeçare dhe pensionet familjare.

Sipas këtij draft-ligji, shton Tasholli, pensionet për këto dy kategori pranohen nga 1 korriku i këtij viti, por ekzekutimi i tyre pritet të fillojë nga viti 2015.

“...atëherë, kur nuk do të ketë asnjë pensionist invalidor, për shkak të mortalitetit të tyre. Unë nuk di si kanë guxim të bëjnë një hap të tillë dhe të dalin me një propozim të tillë para Kuvendit”, shprehet Tasholli.

Përfaqësues të pensionistëve thonë se do të kërkojnë nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mos e votojnë draft-ligjin në fjalë. Në të kundërtën, Tasholli paralajmëron organizimin e protestave.

Lexoni edhe këtë:
Pensionistët kërkojnë 230 euro pension
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG