Ndërlidhjet

Ligjet e aprovuara në ekonomi në një masë të madhe, janë në pajtim më ligjet e Bashkimit Evropian, por fatkeqësisht kur këto ligje hynë në fuqi, nuk japin ndonjë rezultat konkret, pasi qe nuk gjejnë zbatim, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike dhe ligjvënësit kosovarë.

Ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se moszbatimi i ligjeve në ekonomi po krijon probleme të mëdha në funksionimin e sistemit ekonomik në Kosovë.

Mos-zabatueshmëria e ligjeve do të jetë një problem edhe për një kohë të gjatë në Kosovë.

Eksperti i ekonomisë Haki Shatri, thotë se moszbatimi i ligjeve ekonomike po ndikon në dinamikën e rritjes ekonomike dhe zhvillimit të gjithëmbarshëm ekonomik.

Kur ligjet hynë në fuqi dhe fillojnë të implementohen, po shihet se shumë pak po respektohen, dhe në këtë mënyrë po dëmtohet zhvillimi ekonomik , po dëmtohen bizneset dhe zhvillimi i gjithëmbarshëm ekonomik” , thekson Shatri.

Ligjvënësit e Kosovës, vazhdimisht kanë potencuar se numri i ligjeve ekonomike të miratuar nga Kuvendi i Kosovës është jashtëzakonisht i madh, por që një pjesë e tyre, që në kohën kur janë miratuar, kanë mbetur vetëm në sirtarët e kabineteve të ministrive.

Myzejene Selmani, anëtare e Komisionit për Tregti Zhvillim dhe Industri në Kuvendin e Kosovës, thotë se në zbatueshmërinë e ligjeve ekonomike kanë hasur probleme të shuma.

Gjatë draftimit të ligjeve duhet të kemi kujdes që ligjet të mos bëhen për një qeveri apo për një ministër, por të bëhen favor të qytetarëve. Edhe këtu shihet se nga mandati i kaluar ne kemi pasur disa ligje që tani, sipas raportit të Komisionit Evropian shihet se ligjet nuk janë ligje që duhet pasur Kosova, dhe prapë këto ligje janë në plotësim ndryshim”, tha Selmani.

Pothuajse në të gjitha raportet që hartojnë organizatat ndërkombëtare për Kosovën, vonesën apo moszbatimin fare të ligjeve, edhe me tej e konsiderojnë si problem tejet të madh.

Selmani tregon se vetëm gjatë vitit të kaluar janë miratuar 128 ligje në Komisionin për Ekonomi, sipas saj duhet të ushtrohet një kontroll më i madh për zbatimin e ligjeve dhe për eliminimin e hapësirave korruptive brenda tyre.

Eshtë një numër marramendës i ligjeve të miratuara, nëse fillojmë kështu, dhe të miratojmë ligje dhe të mos zbatohen, atëherë është shumë e kotë që një ligj të jetë funksional. Duhet të kemi kujdes, se asnjë qeveri e asnjë vendi nuk bën ligje në bazë apo materie, por merren ligje nga vendet e tjera, por ne ato ligje duhet t’i përshtatim me realitetin në Kosovë”, shprehet ajo.

Ligji për prokurimin publik në Kosovë është një nga ligjet që nuk ka gjetur zbatim.

Ish ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, thotë se në këtë fushë janë bërë keqpërdorime të mëdha

Struktura implementuese duke filluar nga zyrat e prokurimit nëpër organizata buxhetore, vetëm për një vit është konstatuar, sipas një vlerësimi në 800 milion euro, ka pasur 80 milion euro keqpërdorim, apo dhënie të kontratave për operatorë më të shtrenjtë derisa ka pasur operatorë me çmime më të volitshme”, thekon Shatri.

Ekspertët e ekonomisë pohojnë se vetë ligjet aktuale po e shkatërrojnë zhvillimin e komunitetit të biznesit.

Sipas tyre, një kompani nuk mund të ushtrojë veprimtarinë e saj, nëse i jepet hapësirë konkurrencës jolegale.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG