Ndërlidhjet

Politizimi i sektorit civil


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Sektori i civil në Maqedoni vepron nën ndikimin e partive politike, vlerësojnë disa nga përfaqësuesit e OJQ-ve duke komentuar rastin e fundit me Komitetin e Helsinkit që publikoi një komunikatë pa dijen e drejtuesve të tij. Ekspertët thonë se ky rast, por edhe tjerët, kanë devalvuar punën e sektorit civil, i cili, duhet të jetë korrektues e jo përkrahës i partive politike.

Rasti i fundit me Komitetin e Helsinkit në Maqedoni ka ngritur debate të shumta nëse sektori civil po humb rolin dhe besimin për shkak të ndikimeve politike në punën e tyre.

Një komunikatë e publikuar nga Komiteti i Helsinkit kundër vendimit të Kuvendit për mbylljen së rasteve të Hagës, përmes interpretimit të ligjit për amnisti, ka çuar në dorëheqjen e Kryetarit të saj, Osman Kadriu, pasi njoftimi për shtyp ishte bërë pa dijen e tij dhe të organeve tjera.

Kjo, sipas tij, lë për të dyshuar përfshirjen e politikës apo anëtarëve të saj në skemat e partive, në veçanti të atyre opozitare, që po ashtu kundërshtonin zgjidhjen e ofruar.

Osman Kadriu, thotë se ky rast, por edhe raste tjera të mëparshme vetëm sa dëshmojnë pohimet për involvimin e politikës në punën e sektorit civil.

Nuk është për t’u habitur se në shumë organizata edhe pse janë joqeveritare, duam ose nuk duam të pranojmë se në brendinë e tyre, në detyrat e tyre, në kompetencat e tyre, prekin edhe çështje politike dhe disa prej tyre edhe politizohen, dhe këtu vjen në shprehje qëndrimi se përkrahin opsionin e njërës parti politike apo se përkrahin opsionin e partisë tjetër politike”, tregon Kadriu duke shprehur indinjatë për atë që i ka ndodhur.

Edhe komunikologu Sead Xhigall, vlerëson se organizatat joqeveritare në të shumtën e rasteve janë viktima të partive politike.

Një pjesë e tyre, thotë ai, janë dorë e zgjatur edhe e partive në pushtet, duke realizuar qëllimet e tyre partiake, ndërsa të tjerat janë viktimë e situatave të këtilla.

Duam apo jo, organizatat joqeveritare, janë pjesë e luftës që po zhvillohet në veçanti mes partive të mëdha politike. Pra, partitë pushtojnë sektorin civil dhe nuk e lënë të marrë frymë duke i diktuar se si duhet të punojë”, thekson Xhigal.

Me qëllim përmirësimin e punës së OJQ-ve, sipas ekspertëve, është më se e nevojshme të punohet në ngritjen e imazhit dhe të kodeksit etik të sektorit civil.

Një nga autorët e hulumtimit të qendrës maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar, Aleksandar Kërzhalevski, thotë se në opinion ndodhë që të përzihen termet “veprim politik dhe partiak”, i organizatave joqeveritare.

Puna që bëjnë organizatat joqeveritare në pjesën më të madhe të tyre ka të bëjë me aktivitete politike. Madje edhe shoqata për mbrojtjen e ambientit jetësor është politike, por, nuk duhet të ketë përzierje të aktivitetit politik dhe partiak. Pra, OJQ-të, sipas funksionit veprojnë politikisht, por kjo nuk nënkupton që të jenë edhe partiake”, thotë Kërzhalevski.

Sipas ekspertëve, OJQ-të duhet të jenë korrigjuese të punës së partive politike, në veçanti, të atyre në pushtet, që edhe bartin përgjegjësinë.

Sikur edhe në rastet e kaluara, ashtu edhe rasti i fundit me Komitetin e Helsinkit është shfrytëzuar nga partitë për të akuzuar njëra tjetrën për ndikime ndaj sektorit civil.

Në Maqedoni vlerësohen se ekzistojnë rreth 9 mijë organizata joqeveritare, por vetëm 9 për qind e tyre punojnë aktivisht.

Puna e OJQ-së në veçanti vjen në shprehje gjatë fushatave zgjedhore, kur shumë prej tyre dalin organizojnë aktivitete të ndryshme, apo sondazhe mbi popullaritetin e partive politike duke favorizuar njërin apo subjektin tjetër politike.
XS
SM
MD
LG