Ndërlidhjet

logo-print

Pak përparime në Raportin e Progresit


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Vonesat në konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve të lira i kanë kushtuar Kosovës me ngecje të theksuara në përmbushjen e sfidave të parapara në kuadër të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian.

Aktualisht, institucionet e Kosovës po nxitojnë të zënë hapin në përmbushjen agjendës ligjore që është kërkuar nga Brukseli, duke anuluar edhe pushimet e verës.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku thotë se koha e humbur gjatë muajve të parë të vitit do të reflektojë në përmbushjen e shumë sfidave të Raportit të Progresit, duke parashikuar se disa nga këto sfida do të mbeten për t’u përmbushur edhe vitin vijues.

Duhet të pranojmë që Kosova këtë vit ka pasur pak kohë për të adresuar sfidat që dalin nga Raporti i Progresit. Megjithatë, që nga prilli e këndej ne kemi adresuar në mënyrë intensive dhe dinamike sfidat që dalin nga Raporti i Progresit. Tashmë në Kuvend kemi proceduar 54 ligje, shumica prej të cilëve ndërlidhen drejtpërdrejtë me sfidat që janë identifikuar në Raportin e Progresit. Unë besoj që progresi i shënuar do të identifikohet, por shumë sfida do të mbeten për t’u adresuar edhe në vitin e ardhshëm”, thotë Çitaku.

Ndërkohë, edhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, deputet i LDK-së, thotë se humbja e tre muajve të punës së institucioneve për shkak të zgjedhjeve, është reflektuar dukshëm në përmbushjen e sfidave nga Raporti i Progresit.

Mund të them që pak ose shumë pak është arritur që gjatë kësaj periudhe kohore të realizohet një numër i madh i sfidave që janë evidentuar në Raportin e Progresit të vitit të kaluar. Ka shumë arsye, por një nga kryesoret është vonesa në konstituimin e legjislaturës së katërt. Praktikisht ne kemi humbur tre mujorin e parë duke mos u angazhuar absolutisht në asnjë segment të zbatimit të saj”, thekson Haziri.

Përveç miratimit të ligjeve dhe harmonizimit të tyre me standardet evropiane, një sfidë më vete për Kosovën mbetet zbatimi i tyre.

Ministrja Vlora Çitaku thotë se ligjet e arrijnë efektin vetëm nëse zbatohen. Por ajo i jep përparësi rivendosjes së marrëveshjes stend baj (stand-by) me FMN-në, para zbatimit të ndonjë ligji të caktuar.

Në disa raste, FMN ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se po miraton ligje të cilat nuk mund t’i mbulojë në kuptimin financiar.

Miratimi i ligjit në vetvete nuk është i mjaftueshëm pasi që pas miratimit kërkohet edhe implementimi. Disa ligje kanë edhe kosto të papërballueshme financiare dhe realisht unë do të pranoj që për Komisionin Evropian, në këtë pikë, rivendosja e marrëveshjes stend baj (stand-by) me FMN-në është shumë më i rëndësishëm sesa implementimi i ndonjë ligji të veçantë”, thotë Çitaku.

Çështja e sundimit të ligjit, që ndërlidhet drejtpërdrejtë më zbatimin, mbetet një nga sfidat kryesore, thotë në anën tjetër, deputeti Lutfi Haziri.

Sundimi i ligjit është një nga sfidat më të mëdha që ka Kosova, është edhe me pjesën e zbatimit të ligjeve, apo të respektimit të ligjeve. Numri i madh i ligjeve është miratuar, por nuk zbatohen apo kanë vështirësi serioze të zbatohen. Ne për shembull kemi pranuar një letër ankese nga Avokati i Popullit i cili vet e kualifikon institucionin e Avokatit të Popullit si të rrënuar tashmë në Kosovë. Me vet faktin që kemi një vlerësim të tillë nga brenda, ju mund ta imagjinoni se sa dhe çfarë vlerësimi do të kemi nga Brukseli”, thekson Haziri.

Gjatë vizitës së fundit në Kosovë, drejtori për Ballkanin Perëndimor i Komisionit Evropian, Pier Mirel pati deklaruar se sivjet Kosova ka shënuar pak përparime, duke paralajmëruar një Raport të Progresit me më shumë sfida i cili do të lëshohet më 12 tetor.

Raportet e Progresit janë një lloj matësi i përparimeve që Komisioni Evropian i merr parasysh për vendet që aspirojnë integrimet evropiane.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG