Ndërlidhjet

Gjykatësi nuk pranoi të komentojë deklaratën e Breivikut


Një zyrtar i lartë i gjykatës në Oslo, nuk pranoi të komentojë deklaratën e vrasësit masiv norvegjez, i cili ka thënë se organizata e tij ka edhe dy celula të tjera.

I pyetur nga gazetarët të sqarojë deklaratën e vrasësit, Geir Engebretsn përsëriti vendimin e gjykatësit, Kim Heger, i angazhuar në rastin Breivik.

Heger ka thënë se i akuzuari, ka bërë disa deklarata sot që kërkojnë hetime të mëtutjeshme, përfshire këtu edhe pohimin se organizata e tij ka edhe dy celula të tjera.

Anders Behring Breivik, norvegjezi 32 vjeçar, që ka pranuar se ka kryer sulmet e së premtes nga të cilat mbetën të vdekur 93 persona.

Gjykatësi vendosi që të mbajë seancë të mbyllur, sipas kërkesës së policisë.

Seanca zgjati rreth 35 minuta.

Prokurorët thanë se do të kërkojnë 8 javë paraburgim për Breivikun, masë kjo që mund të zgjatet para nisjes së procesit gjyqësor.

Më herët, norvegjezët mbajtën një minutë heshtje, ndërsa vendi po kujtonte viktimat.

“Në kujtim të viktimave, deklaroj një minutë heshtje kombëtare”, ka thënë kryeministri Stoltenberg.

Shtatë njerëz vdiqën nga shpërthimi jashtë ndërtesës së qeverisë të premten në Oslo, ndërsa pak orë më vonë, 86 të rinj u mbytën nga të shtënat në ishullin e Utojës.

Breivik, që raportohet se ka lidhje me grupet anti-islamike të krahut të djathtë, ka pranuar se i ka kryer sulmet.
XS
SM
MD
LG