Ndërlidhjet

Breivik deklaron se "s'është fajtor"


Anders Behring Breivik
Anders Behring Breivik

Ndërsa Norvegjia po mbante zi për viktimat e sulmeve të dyfishta që lanë 76 persona të vrarë, norvegjezi 32 vjeçar i arrestuar në lidhje me masakrën, u dërgua në gjykatë për të shpjeguar motivet e tij.

Edhe pse Anders Behring Breivik ka pranuar se i ka kryer sulmet, ai nuk është deklaruar se është fajtor sot në gjykatën e Osllos, po është përpjekur të shmanget nga hetimi penal.

Kim Heger, gjykatësi i Gjykatës së Qarkut të Osllos, tha se ka mjaft prova për të akuzuar atë se ka pasur për qëllim që të kryejë akt terrorizmi.

Me gjithë faktin se i akuzuari njeh rrethanat aktuale, ai nuk është deklaruar fajtor. Nga ajo që gjykata e ka kuptuar, i akuzuari beson se është dashur të kryejë këto sulme, për ta shpëtuar Norvegjinë dhe Evropën Perëndimore nga, në mes tjerash, marksizmi kulturor dhe nga marrja prej myslimanëve”, ka thënë Heger.

Heger urdhëroi që Breivik të qëndrojë në praburgim për tetë javë dhe atë në qeli, ndërsa vazhdojnë përgatitjet për seancën gjyqësore.

Heger po ashtu ndaloi mediat që të merrnin pjesë në seancën dëgjimore, për të penguar kështu Breivikun që ta përdorë gjykatën si një platformë politike, për të transmetuar ideologjinë e tij ekstreme të krahut të djathtë dhe anti-myslimane.

Objektiv i sulmeve ishte që t’u jepej ‘një sinjal i mprehtë’ njerëzve. I akuzuari dëshironte që të nxisë humbje sa më të mëdha në Partinë Laburiste me qëllim që të kufizojë rekrutimin në të ardhmen. I akuzuari ka shpjeguar se Partia Laburiste e ka çuar në dështim vendin dhe popullin dhe se çmimi i tradhtisë së tyre ishte ai që e paguan dje”, ka shpjeguar Heger.

Avokati i Breivikut tha se klienti i tij dëshironte që t’i tregojë vendit dhe botës se përse ndërmori sulmet me bomba në Osllo dhe në ishullin Utoja, në kampin veror për të rinjtë e Partisë Laburiste.

Ai zyrtarisht akuzohet se ka qëlluar për vdekje 68 njerëz në ishullin Utoja, shumica nga ta adoleshentë.

Ai po ashtu akuzohet se ka vrarë tetë njerëz në të njëjtën ditë në sulmin me bomba afër ndërtesave të qeverisë në Osllo, duke sjellë shifrën e të vdekurve në të dy rastet në 76.

Zyrtarët kanë ulur shifrën e të vdekurve nga 93 sa ishte raportuar të jetë më parë.

Zëdhënësi i policisë Ojstein Maland tha se një person më shumë ka vdekur në shpërthimin që ndodhi në Ollso, por më pak kanë vdekur, nga ç’janë raportuar, në ishullin Utoja.

Ai tha se shifrat e gabuara janë shfaqur për shkak se policia dhe ekipet e shpëtimit janë fokusuar që të ndihmojnë të mbijetuarit dhe qw tw sigurojnw zonën.

Ai megjithatë, tërhoqi vëmendjen se shifra e të vdekurve mund të rritet sërish, ndwrsa kërkimet për trupat po vazhdojnë.

Sipas avokatit, Geir Lipeshtad, Breivik justifikon vrasjet.

"Ai (Breiviku) thotë se beson që veprimet ishin barbare, porse në kokën e tij ato ishin të nevojshme”, ka thënë Lipeshtad.

Sipas prokurorit të rastit, Kristian Hatlo, Breivik ka thënë gjatë hetimeve se është i përgatitur që të kalojë pjesën tjetër të jetës së tij në burg.

Ndryshe, është raportuar se Breivik në seancën e sotme me dyer të mbyllura, ka thënë se ka punuar me “dy celula tjera në organizimin” e sulmeve. Policia, thuhet se është duke i hetuar pretendimet.

Para seancës së sotme gjyqësore, viktimat janë kujtuar sot me një minutë heshtjeje në tërë Norvegjinë. Mijëra lule janë hedhur jashtë katedrales kryesore të Osllos.

Breivik është përshkruar si fundamentalist i krishterë i krahut të djathtë, me pikëpamje anti-myslimane. Hetuesit janë duke hetuar manifesti 1,500-faqesh që është postuar në internet, e që përshkruan planifikimin e sulmit.

Shefi i policisë ka konfirmuar se Breivik e ka publikuar manifestin vetëm disa orë para se t'i kryente sulmet.

Trakti i shkruar në anglisht përshkruan planifikimin e tij për vrasjet.

“Vrasjet do të tërheqin vërejtjen për manifestin Deklarata Evropiane e Pavarësisë“, ka shkruar Breivik.

Ai ka sulmuar atë që e ka quajtur “kolonizim islamik i Evropës Perëndimore” .

Norvegjia ka qenë e hapur ndaj imigrimit dhe për këtë është kritikuar nga Partia e Progresit, anëtar i së cilës për një kohë ka qenë edhe Breivik.

Partia Laburiste, kampin rinor të së cilës e sulmoi ai, mbështet multikulturalizmin për të akomoduar komunitetet e ndryshne etnike.(a.i)
XS
SM
MD
LG