Ndërlidhjet

Në veri situatë e qetë, por e tensionuar


Pjesëtarët e forcave speciale të Kosovës, qëndrojnë në vendkalimin kufitar 1, në veri të vendit

Pjesëtarët e forcave speciale të Kosovës, qëndrojnë në vendkalimin kufitar 1, në veri të vendit

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka thotë se pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë prezent në pikat kufitare 1 dhe 31. Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi thotë se po zbatohet vendimi i Qeverisë së Kosovës për masat reciproke ndaj Serbisë. Millan Ivanoviq nga Këshilli Kombëtar Serb e ka kritikuar aksionin e policisë për marrjen nën kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31. Ndërkaq, eksperti për siguri Agim Musliu vlerëson se situata e sigurisë mund të eskalojë edhe më tutje.

Pas aksionit të njësive speciale të Policisë së Kosovës dhe futjes nën kontroll të vendkalimeve kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës, gjendja e sigurisë në këtë pjesë të vendit është relativisht e qetë por ende e tensionuar, njoftojnë zyrtarët e policisë së Kosovës.

Zëdhënësi kësaj policie, Arbër Beka, ka thënë për Radio Evropa e Lirë se gjatë operacioneve të sotme një pjesëtar i policisë ka marrë plagë të rënda nga armë zjarri, nga persona të paidentifikuar deri më tash.

Sa i përket gjendjes së sigurisë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës paraqitet të jetë relativisht e qetë tash, por edhe e tensionuar në të njëjtën kohë. Për sa i përket incidenteve të raportuara, rreth orës 14: 23 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në vendin e quajtur Baran, ku persona, deri tani të paidentifikuar, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të automjeteve zyrtare të policisë. Si pasojë e këtyre të shtënave është lënduar një zyrtar i njësiteve të specializuara të policisë”, tha Beka.

Sipas zëdhënësit Beka, polici i plagosur tashmë po kurohet në Qendrën Klinikën Universitare, por se gjendja e tij shëndetësore është e rëndë.

Beka ka shtuar se ka pasur të shtëna me armë zjarri edhe në disa pjesë tjera të veriut të Kosovës.

Ndërkaq, Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, i ka thënë sot Radios Evropa e Lirë se pas marrjes nën kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31 nga policia e Kosovës, puna ka vazhduar në këto pika, duke respektuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për masat e reciprocitetit ndaj Serbisë për qarkullimin e mallrave.

“Normalisht që vazhdon qarkullimi i lirë i qytetarëve. Por, kamionët dhe mallrat nga Serbia nuk lejohen të hyjnë. Po respektohet vendimi i qeverisë”, ka thënë Rexhepi.

Edhe zëdhënësi i policisë së Kosovës, Beka ka theksuar se në këto çaste pikat doganore janë nën kontrollin e policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës është prezente në pikëkalimet kufitare 1 dhe 31”, u shpreh Beka.

Në anën tjetër, ndaj aksionit të policisë së Kosovës, përmes së cilit është marrë kontrolli në pikat kufitare 1 dhe 31, kanë reaguar politikanët serbë në veri të Kosovës.

Millan Ivanoviq nga Këshilli Kombëtar Serb thotë se aksionet e policisë së Kosovës shpërfaqin, sipas tij, politikat e Qeverisë së Kosovës kundër serbëve.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës po bën veprime të njëanshme gjatë kohës kur po mbahet dialogu, gjë që i shkel principet e vetë dialogut.

Në momentin kur po bëhen bisedimet nën organizimin e Bashkimit Evropian, në anën tjetër institucionet e shqiptarëve po demonstrojnë gjaknxehtësi, njëanshmëri dhe po përpiqen që ta bëjnë integrimin e dhunshëm të territorit verior të Kosovës, ku serbët janë shumicë. Në këtë mënyrë, përmes ndihmës së mentorëve të tyre, po përpiqen ta rrumbullaksojnë shtetësinë e tyre”, tha Ivanoviq, duke shtuar se është e dukshme që aksioni i policisë së Kosovës ka qenë mirë i përgatitur.

Ndërkaq, eksperti për çështje të sigurisë Agim Musliu ka thënë se aksioni i Policisë së Kosovës ka qenë mjaft profesional dhe siç e quajti ai gjakftohtë.

Por, sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk guxon të tërhiqet prapa, pas aksionit të sotëm.

Ky aksion do të përfundojë. Nuk guxon të tërhiqet tash Qeveria e Kosovës, shteti i Kosovës, nga ky hap që e ka ndërmarrë, shumë i guximshëm dhe i rëndësishëm për Kosovën. E rëndësishme është që ky hap është ndërmarrë në momentin që janë pjekur kushtet për të ndërmarrë këtë aksion. Jo që nuk kemi mundur, jo që nuk kemi pasur kapacitete, por kushtet politike nuk kanë qenë të favorshme për neve”, theksoi Musliu.

Musliu thotë se situata e sigurisë mund të eskalojë ditët e ardhshme.

Situata mund të eskalojë sepse pakica serbe që jeton në këtë pjesë së Kosovës dhe janë të robëruar nga politika e verbëruar e Millosheviqit në vazhdimësi, të cilën tash e zbaton Tadiqi”, tha ai.

Ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi, ka paralajmëruar se prania e njësive speciale të policisë së Kosovës në veri të vendit do të vazhdojë, siç është thënë, për aq sa do të jetë e nevojshme dhe derisa të vendosen doganierët.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG