Ndërlidhjet

logo-print

Marrëveshja ende s'është finalizuar


Pjesëtarë të ROSU, 26 korrik 2011

Pjesëtarë të ROSU, 26 korrik 2011

Një zyrtar i forcave paqeruajtëse të KFOR-it ka konfirmuar se “aktualisht policia po i kontrollon pikat kufitare në veri të Kosovës”.

“KFOR-i është atje për të siguruar një ambient të sigurt, por ne nuk kontrollojmë makinat apo kamionët”, ka thënë ky zyrtar, i cili nuk deshi t’i përmendej emri.

Ai ka konfirmuar gjithashtu se shumë nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës, që ishin në pikat kufitare në veri, tashmë janë kthyer në jug të Mitrovicës.

Sipas tij, marrëveshja për të cilën është folur gjatë ditës ende nuk është finalizuar dhe se bisedimet po vazhdojnë.

Marrëveshja ka të bëjë me tërheqjen e forcave speciale të policisë së Kosovës dhe zhvendosjen e barrikadave të vendosura nga serbët lokalë.


BE: “Duhet të kthehemi aty ku ishim..."

Përfaqësues të Bashkimit Evropian kanë thënë se aksioni i autoriteteve kosovare për të vënë nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të vendit, nuk ishte i dobishëm.

Aksioni nuk është bërë në konsultim me bashkësinë ndërkombëtare dhe BE-ja nuk e ka miratuar atë", ka thënë përfaqësuesi i BE-së për Kosovën, Fernando Gentilini.

Ndërkaq, Maja Kocijançiq, zëdhënëse e kabinetit të kryediplomates evropiane Ketrin Eshton, tha për Radio Evropa e Lirë, se BE kërkon që situata të qetësohet dhe të kthehet në gjendjen e mëparshme.

Është thelbësore që situata të qetësohet tani dhe të kthehemi ku kemi qenë. Misioni ynë për sundimin e ligjit, EULEX, është i gatshëm që t’i ndihmojë autoritetet e Kosovës në këtë drejtim", ka thënë Kocijançiq, për të shtuar se "dialogu është mënyra e vetme që të zgjidhet çështja e vulave të doganave dhe të rivendoset tregtia e lirë në të dy drejtimet".

E pyetur nëse kthimi në situatën e mëhershme nënkupton tërheqjen e njësive të policisë nga pikat kufitare 1 dhe 31, Kocijançiq, është përgjigjur:

Duhet të kthehemi në situatën që kemi qenë, në mënyrë që situata të qetësohet dhe që të rifillojmë punën tonë në kuadër të dialogut”.

Ajo gjithashtu ka thënë se Bashkimi Evropian ka potencuar se as vendimi për embargon nuk ka qenë i dobishëm dhe se duhet dhënë mundësi dialogut.

Veprimet e autoriteteve kosovare kanë ardhur pas vendimit për vendosjen e masës së reciprocitetit ndaj mallrave serbe.

Pikat kufitare në veri janë parë si pengesa kryesore në zbatimin e këtij vendimi, për shkak të mos-kontrollimit të mallrave që kalojnë nga Serbia në Kosovë.

Ndërkohë, EULEX-i, ka konfirmuar përmes një komunikate për media, se nuk ka qenë i përfshirë në aksionin e ndërmarrë nga njësitë speciale të policisë së Kosovës.

"Veprimet e njëanshme nga cilado palë nuk ndihmojnë aspak. Problemet duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore”, ka thënë EULEX-i.

Në anën tjetër, komandanti i KFOR-it gjenerali Erhard Byhler, i ka bërë apel të gjithë qytetarëve të Kosovës që të mos reagojnë me dhunë kundër situatës së tashme në veri.

Agjenci të ndryshme të lajmeve, kanë raportuar gjatë ditës, se KFOR-i po negocion me Qeverinë e Kosovës një marrëveshje për të tërhequr njësitë speciale nga pikat kufitare.

Por, nga zyra e kryeministrit, Bekim Çollaku, këshilltari i lartë politik i kryeministrit të Kosovës, tha për Radio Evropa e Lirë se nuk ka ndonjë marrëveshje lidhur me çështjen e pikave kufitare në veri të vendit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Asnjë lloj marrëveshje nuk ka deri më tani. Është çështje sundimit të rendit dhe ligjit, asgjë më shumë e as më pak”, ka thënë Çollaku.

KFOR përmes njoftimit për media bën të ditur se pasi që është informuar mbi situatën, i ka alarmuar një numër të konsiderueshëm njësish që të ndërhyjnë nëse është nevoja.

Qeveria e Kosovës ka thënë se me aksionin e ndërmarrë dje, synon të shtrijë sundimin e ligjit edhe në pjesën veriore, që deri tash është kontrolluar nga strukturat paralele serbe të financuara nga Beogradi zyrtar.

Qeveria, me gjithë se nuk është konsultuar me EULEX-in, në lidhje me aksionin, thotë se qëllimi është i njëjtë me mandatin që ka ky mision ën Kosovë- vendosjen e sundimit të ligjit.

E pyetur, se përse nuk u mbështetën autoritetet kosovare, duke pasur parasysh qëllimet e përbashkëta, Maja Kocijanciq nga Bashkimi Evropian, u shpreh:

"E shpjegova se ky (aksion) nuk është ndërmarrë në konsultime me ne. EULEX-i, nuk ka marrë pjesë në të. Ne edhe për vendimin për embargon, kemi thënë se ai nuk ishte i dobishëm dhe se duhej dhënë shansi dialogut, aq më tepër se ishim afër një marrëveshjeje për vulat doganore”, ka thënë Kocijanciq.

Ajo ka thënë se nuk di se si do të zhvillohen gjërat, dhe nëse veprimi i autoriteteve të Kosovës do të pasohet me konsekuenca.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG