Ndërlidhjet

Obama apelon për kompromis

  • RFE /RL

Presidenti i SHBA, Barak Obama

Presidenti i SHBA, Barak Obama

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka bërë thirrje publike për ligjvënësit amerikanë që të bëjnë kompromis dhe të bien dakord për marrëveshjen e buxhetit, në mënyrë që të shmangin atë që do të ishte një dështim i paparë për të paguar borxhin. Por, përkundër thirrjes, nuk ka pasur shenja të menjëhershëm se bllokada politike lidhur me çështjen, do të zgjidhet para afatit të caktuar më 2 gusht.

Shtetet e Bashkuara janë afër dështimit për të paguar borxhin, meqë republikanët dhe demokratët kanë stagnuar në rritjen e kufirit legal të huamarrjes, vetëm një javë para afatit për të vepruar.

Në një fjalim televiziv nga Shtëpia e Bardhë, presidenti amerikan, Barak Obama, tha se dështimi do të dëmtojë rëndë kombin.

Fatkeqësisht, në javët e kaluara, anëtarët republikanë të Dhomës Përfaqësuese kanë thënë se e vetmja mënyrë për të cilën ata do të votonin, është që ne të tjerët të pajtohemi me qasjen e tyre vetëm për shkurtimin e shpenzimeve. Nëse kjo ndodh dhe ne dështojmë, nuk do të kemi para të mjaftueshme për të paguar të gjitha faturat tona – fatura që përfshijnë sigurimet sociale mujore, përfitimet e veteranëve, si dhe kontratat e qeverisë, të nënshkruara me mijëra biznese”, tha Obama.

Tregjet janë tronditur nga bllokimi i pagesës së borxhit, ku të dyja palët ofrojnë plane konkurruese, por që kanë pak gjasë të fitojnë mbështetjen e dy partive.

Çmimi i arit ka arritur majat më të larta në të gjitha kohërat, ndërsa dollari ka rënë në tregjet e këmbimit të huaj.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se dështimi për të rritur kufirin e borxhit në kohë, mund të çojë në çrregullime të normave të interesit, duke i rritur ato në mënyrë marramendëse.

I njëjti ka thënë se dështimi “do të ketë pasoja të rëndësishme globale”, për shkak të rolit të bonove të Thesarit amerikan në tregjet financiare botërore.

Obama paralajmëroi se dështimi do të ishte si një ngritje taksash për të gjithë amerikanët. Por, megjithatë, ai siguroi tregjet se mes republikanëve dhe demokratëve mund të arrihet ende marrëveshje.

U kam thënë udhëheqësve të dy partive se duhet të dalin me një kompromis korrekt në ditët e ardhshme, i cili mund të kalojë në të dy dhomat e Kongresit – pra, një kompromis që unë mund ta nënshkruaj. Unë jam i bindur se mund ta arrijmë këtë kompromis. Pavarësisht mosmarrëveshjeve, unë dhe liderët republikanë kemi gjetur gjuhë të përbashkët më herët. Andaj, besoj se anëtarë të duhur të të dyja partive do të lënë politikën mënjanë dhe do të na ndihmojmë të bëjmë përparim”, tha Obama.

Republikanët dhe Demokratët këmbëngulin se nuk do t’i lënë Shtetet e Bashkuara të dështojnë. Por, angazhimi i tyre nuk ka sjellë ndonjë plan kompromisi për të rritur kufirin e borxhit.

Republikanët janë të vendosur se nuk do të votojnë për një marrëveshje që përfshin rritjen e taksave. Lideri i Republikanëve në Kongres, Xhon Bohner, propozoi një plan të reduktimit të deficitit në dy faza, që do të niste fillimisht me 1.2 trilion dollarë kursime gjatë dhjetë vjetëve.

E dini, unë gjithmonë kam besuar se sa më e madhe të jetë qeveria, aq më i vogël është populli. Dhe tani, ne kemi një qeveri aq të madhe dhe aq të shtrenjtë, që po e dobëson popullin dhe po pengon ekonominë tonë të funksionojë me kapacitet të plotë. Dalja nga kjo krizë nuk është e komplikuar. Nëse ju shpenzoni më shumë para se që fitoni, ju duhet të shpenzoni më pak”, tha Bohner.

Analistët thonë se plani i Bohnerit ka gjasë të refuzohet nga Obama, sepse ai rrit kufirin e borxhit vetëm për disa muaj. Kjo do të thotë se çështja do të duhej të rishikohej në fillim të vitit 2012, duke e bërë politikën edhe më të vështirë për ligjvënësit, përpara zgjedhjeve të nëntorit 2012.

Demokratët duan të mbrojnë sigurimet shëndetësore nga reduktimet. Ata thonë se çdo shkurtim në programet e shëndetësisë për amerikanët e vjetër apo të varfër, duhet të balancohet me ndryshimet në kodin e taksave të Shteteve të Bashkuara.

Demokratët zyrtarisht kanë prezantuar planin e tyre konkurrues prej 2.7 trilionë dollarësh në zvogëlimin e deficitit gjatë dekadës së ardhshme, me një rritje të limitit të borxhit.

Edhe nëse rritet kufiri i borxhit, ka shqetësime se duhet bërë më shumë për të reduktuar deficitin. (v.t.)



XS
SM
MD
LG