Ndërlidhjet

logo-print

Jahjaga: Aksioni i policisë - veprim i qëlluar


Aksioni i Policisë së Kosovës për të marrë nën kontroll pikat 1 dhe 31 të vendkalimeve kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, "është një veprim i qëlluar që ka përkrahjen e plotë të popullit dhe të gjitha subjekteve politike në Kosovë, por edhe përkrahjen ndërkombëtare, sepse është e drejtë sovrane dhe legjitime e shtetit që të ketë kontroll në mbarë territorin e vet”.

Kështu thuhet në deklaratën e presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Presidentja ka potencuar se ka pasur shpresë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por “pasi në raundin e fundit të bisedimeve Serbia u tërhoq pa asnjë shkas duke vënë në rrezik edhe tri marrëveshjet për të cilat dy delegacionet u pajtuan, më nuk kishte asnjë alternativë tjetër përveç që Republika e Kosovës me mjete legale e ligjore të shtrijë autoritetin e pushtetin në tërë territorin".

“Dialogu është e vetmja rrugë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë si dy vende sovrane që në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian e kanë të ardhmen e përbashkët”, thuhet në deklaratën e presidentes, e cila gjithashtu ka bërë të ditur se i ka shprehur përkrahjen institucionale kryeministrit të Kosovës për këtë veprim të cilësuar nga ajo si i domosdoshëm.
XS
SM
MD
LG