Ndërlidhjet

Thaçi: Veprimet nuk janë kundër serbëve


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi

Qëllimi i vetëm i aksionit i cili u ndërmor në veri të Kosovës, për të rivendosur kontrollin në pikat kufitare, është vendosja e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, ka theksuar kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi.

Ai ka thënë se ky aksion nuk duhet kuptuar si veprim i nxitur dhe provokues.

Vendimin për aksionin e policisë në veri të vendit ai e ka quajtur të domosdoshëm dhe të drejtë.

Vendimi i mbrëmshëm ka qenë jo i lehtë, por i drejtë. Ka qenë vendim dhe veprim i domosdoshëm. Në fund të fundit, si kryeministër, kam përgjegjësi morale, kushtetuese dhe ligjore, të marr vendime të rënda. Por është e rëndësishme që këto vendime të jenë të drejta”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri Thaçi ka theksuar se Qeveria e Kosovës nuk mund të qëndrojë indiferente dhe përjetësisht të tolerojë që një pjesë e territorit të vendi të jetë, siç ka thënë, vrimë e zezë jo vetëm e Kosovës, por edhe e Evropës.

Ne nuk mund të tolerojmë përjetësisht që sovraniteti ynë të cenohet. Ne nuk mund të lejojmë që një pjesë e atdheut tonë të përdoret dhe të shfrytëzohet si vend-kalim për mallra të kontrabanduara”, tha Thaçi.

Kryeministri i Kosovës ka shprehur publikisht admirimin për forcat e rendit dhe angazhimin e tyre, ndërkaq që i ka ftuar qytetarët e vendit për mirëkuptim, qetësi dhe gjakftohtësi.

Ai ka bërë thirrje për forcimin e unitetit qytetar e politik, duke thënë se Qeveria e Kosovës nuk do të bëjë kompromis me askënd për sigurinë dhe për të drejtën kushtetuese dhe ligjore të vendit.

Ndërkaq, ai i ka bërë thirrje Beogradit që ta ndryshojë qasjen e deritashme ndaj Kosovës.

Më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës t’i bëj thirrje Beogradit që të reflektojë dhe të evropianizojë qasjen edhe me shtetin e Kosovës dhe rajonin. Bashkëpunimi i mirë është në interes të dy shteteve, është në interes të popujve tanë, është në interes të perspektivës euro-atlantike të dy shteteve tona dhe popujve, për paqe dhe stabilitet në rajon”, u shpreh ai.

Thaçi ka theksuar se Qeveria e Kosovës është e angazhuar për kultivimin e bashkëpunimin dhe partneritetin me Bashkimin Evropian dhe partnerët perëndimor, por pa i nëpërkëmbur interesat e vendit.

E kam thënë që partneritetin me miqtë tanë ndërkombëtarë duhet ta ruajmë si sytë e ballit, por kushtetuta dhe sovraniteti i vendit tim janë të shenjta për mua dhe shkojnë përtej çdo partneriteti dhe lojaliteti. Vendimi i mbrëmshëm i qeverisë është demonstrim i drejtpërdrejt i përcaktimit tonë për rend dhe ligj, demonstrim i qartë i përcaktimit tonë për luftimin e krimit dhe korrupsionit në çdo cep të Kosovës. Ky ka qenë përcaktimi im dje, sot dhe kështu do të mbetet përgjithmonë”, bëri të ditur kryeministri Thaçi.

Përmes deklaratës së tij, kryeministri Thaçi, u është drejtuar edhe qytetarëve serb që jetojnë në veri të Kosovës.

Veprimet e bëra sot dhe mbrëmë nuk janë kundër jush, por janë në shërbim të sigurisë suaj, janë në shërbim të paqes, stabilitetit dhe bashkëjetesës së gjithë qytetarëve në Republikën e Kosovës”.

Në anën tjetër, deklarata e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka nxitur reagimin e politikanëve serbë në veri të vendit.

Njëri prej liderëve të serbëve të veriut të Kosovës, Radenko Nedeljkoviq ka thënë se konstatimet e kryeministrit Thaçi, se aksioni i policisë nuk është i drejtuar kundër qytetarëve serbë në veri nuk qëndron si i vërtetë, i sinqertë dhe i saktë, duke pasur parasysh që njësiti special i policisë “ROSU” ka shkuar në veri për të realizuar vendimin e Qeverisë lidhur me bllokim e hyrjes së mallrave serbe në Kosovë.

Deklarata e tij se nuk do të tërhiqet dhe se do të vazhdojë të dërgojë njësitet në veriun e Kosovës, mendoj se është një lojë e rrezikshme, duke pasur parasysh që populli serb në veri të Kosovës, atë njësi e përjeton si njësi që është e drejtuar kundër tyre”, tha Nedeljkoviq.

Ai ka theksuar se qëndrimi i serbëve është i qartë dhe nuk do të lejojnë që njësiti “ROSU” të kryejë operacion dhe të marrë nën kontroll, siç i quajti ai, vendkalimet administrative në veri të Kosovës.

Unë jam i sigurt se reagimi i serbëve do të jetë identik ose edhe më i rreptë se sa që ishte, sepse serbët, pas të gjitha këtyre, do ta kuptojnë si një provokim të ri, ashtu sikurse ndodhi dje në orët e paditës në Zubin Potok, ku erdhi deri te përplasja me qytetarë. Në këtë rast, nga të dyja palët, ka të plagosur lehtë dhe rëndë disa persona”, theksoi Nedeljkoviq.

Ndryshe, si pasojë e plagëve të marra nga një sulm mbi Policinë e Kosovës në veri të vendit, pjesëtari i kësaj policie, Enver Zymberi, nga Dubovci i Vushtrrisë, mbrëmë ka ndërruar jetë.

Zymberi ishte pjesëtar i njësiteve speciale ROSU që nga viti 2000.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG