Ndërlidhjet

Dështimi i SHBA-së rrezikon stabilitetin global

  • RFE /RL

Kristinë Llegard

Kristinë Llegard

Në fjalimin e parë publik që nga ardhja në krye të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristinë Llegard tha se puna e Fondit duhet të fokusohet në borxhin sovran, në rritjen ekonomike dhe jostabilitetin shoqëror. Ajo u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të gjejnë një zgjidhje të shpejtë për rritjen e kufirit të borxhit, duke paralajmëruar se dështimi i Uashingtonit për të paguar borxhet, mund të ketë pasoja të zymta në rimëkëmbjen ekonomike globale.

Kristinë Llegard, e cila kishte fituar nota të larta në performancën e saj si ministre e Financave të Francës, ka shënuar rritje të shpejtë edhe në institucionin, që shpesh shihet si mundësi e fundit për shtetet në ankthe ekonomike.

Fondi Monetar Ndërkombëtar radhit 187 vende si anëtare dhe i ka ndihmuar ato me suksese të ndryshme që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Në fjalimin e saj të parë publik, në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë në Nju Jork, Llegard vuri në dukje problemet e borxhit sovran, rritjen ekonomike dhe jostabilitetin shoqëror si prioritetet e saj kryesore në fond – presidente e të cilit u zgjodh në fillim të këtij muaji.

Paraardhësi i saj, Domenik Shtraus Kan, u detyrua të japë dorëheqje, pasi u akuzua për sulme seksuale.

Llegard tha se problemet fiskale në Evropën jugore kanë zbuluar rreziqet e paraqitura nga një bashkim jo i duhur ekonomik dhe monetar. Ajo vuri në dukje se liderët e Eurozonës kanë arritur një marrëveshje të rëndësishme, duke përfshirë angazhimin për të financuar vendet e programit derisa ato të mund të rifitojnë qasjen në treg, për aq kohë sa masat e tyre të zbatohen në mënyrë efektive.

Sigurisht, jam me shpresë se ky veprim i guximshëm politik - i cili, sipas mendimit tim, është vërtet një ndryshim i madh në ndërtimin evropian dhe i cili shtron udhën për të rregulluar bashkimin monetar, që ishte vetëm në gjysmë i ndërtuar dhe jo i përcaktuar plotësisht – do të ndiqet edhe në Shtetet e Bashkuara”, tha Llegard.

Sa u përket mosmarrëveshjeve për rritjen e limit të borxhit në SHBA, ajo tha se çështja duhet të zgjidhet menjëherë. Në fakt, një goditje e rëndë fiskale në Shtetet e Bashkuara mund të ketë pasoja serioze edhe për pjesën tjetër të botës.

Sinqerisht, po qe se ndodh dështimi për të paguar apo degradimi i formës së Shteteve të Bashkuara, do të ishte një ngjarje shumë, shumë, shumë serioze jo vetëm për SHBA-të, por për ekonominë botërore në përgjithësi”, tha Llegard.

Ajo lavdëroi paraardhësin e saj në Fond, Domenik Shtraus Kanin, i cili ka dëshmuar rëndësinë e FMN-së gjatë krizës globale financiare.

Fondi ka qenë i dallueshëm dhe është kthyer në biznes. Drejtori paraprak, Domenik Shtraus Kan, ka bërë punë të mirë në rivendosjen e FMN-së si një partner të besueshëm, si një burim të nivelit të lartë”, tha Llgeard.

Rritja e shpejtë e ekonomive në zhvillim ka qenë kritike për ruajtjen e rimëkëmbjes globale, tha Llegard.

Ajo paralajmëroi se disa nga këto ekonomi tani po tregojnë “shenja të tejnxehjes”. Nëse politikëbërësit presin gjatë për t’i adresuar problemet, Llegard tha se mund të rezultojë një ulje e rëndë.

Ajo tha se problemet sociale janë një shqetësim i madh edhe për ekonomitë e zhvilluara.

Sipas saj, të rinjtë po përballen me vështirësi në gjetjen e punës, ndërsa brezat më të vjetër po luftojnë për të mbrojtur shëndetin e tyre dhe përfitimet pensionale. Kombinimi i këtyre problemeve mund të rezultojë edhe me “përplasje gjeneratash”.

Kjo, sipas Llegardit, është arsyeja përse është aq i rëndësishëm fokusimi në llojin e duhur të rritjes ekonomike.

Mbi të gjitha, Fondi Monetar Ndërkombëtar pret rritje të drejtë të ekonomisë globale në të ardhmen e afërt – shndërruar në shifra rreth 4 deri në 4.5 për qind deri në vitin 2012.

Por, megjithatë, rimëkëmbja e çekuilibruar dhe rreziqet substanciale mbeten, tha Llegard. (v.t.)
XS
SM
MD
LG