Ndërlidhjet

Sfidat e qeverisë së re


Ndërtersa e Qeverisë së Maqedonisë

Ndërtersa e Qeverisë së Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë ka nisur seancën dy ditore për zgjedhjen e Qeverisë së re të Maqedonisë, që e formojnë partitë, VMRO-DPMNE dhe BDI. Programi i punës së ekzekutivit të ri, bazohet në 5 shtylla, kryesisht të sferës së ekonomisë. Analistët nga ana tjetër kanë dhënë vlerësime të ndryshme për sfidat e qeverisë së re. Sllobodan Çashule, pret rezultate, veçmas në ekonomi, ndërsa Alajdin Demiri, thotë se qeveria do të vazhdojë me politikën e izolimit të vendit.

Zgjidhja e kontestit rreth emrit për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, zhvillimi ekonomik si dhe mbyllja e çështjeve që prekin raportet ndëretnike, duhet të jenë sfidat kryesore të qeverisë së re, për miratimin e së cilës, sot ka nisur debati në Kuvendin e Maqedonisë.

Kështu vlerësojnë analistët, Sllobodan Çashule dhe Alajdin Demiri.

Por, ata janë të ndarë në qëndrime nëse këto sfida do të arrijë t’i menaxhojë ekzekutivi i ri që përbëhet nga partitë, VMRO-DPMNE dhe BDI, partnere këto edhe në qeverinë e deritanishme.

Çashule shpreson në rezultate në sferën e ekonomisë, ndërsa shprehet me ton optimist rreth raporteve ndëretnike pas mbylljes së çështjeve të ndjeshme siç, shprehet ai, për gjuhën, flamurin dhe amnistinë.

Unë shpresoj se qeveria do të kuptojë se pas eliminimit të disa çështjeve të caktuara politike të cilat rëndonin si hipotekë, ekonomia dhe jeta më e mirë e qytetarëve do të jenë shumë më të rëndësishme për Maqedoninë në këto momente".

"Pra, besoj se vendosja e kuadrove të rinj dhe zgjerimi i qeverisë me ministri të reja të sferës ekonomike do të jenë në funksion të prioritetit kryesor të qeverisë, zhvillimin ekonomik të vendit”, thotë Çashule duke shtuar se këtij qëllimi strategjik të qeverisë do t’i ndihmonte edhe mbyllja e kontestit rreth emrit që po ashtu e sheh si sfidë për qeverinë e re.

Eliminimi i kontestit me Greqinë dhe anëtarësimi i vendit në NATO dhe BE, kanë për qëllim përforcimin e ekonomisë dhe zhvillimin e Maqedonisë”, thotë Çashule duke i dhënë rëndësi edhe kandidaturës së Teuta Arifit, si zëvendëskryeministre për çështje të integrimit.

Por, analisti Alajdin Demiri nuk pret asgjë konkrete nga qeveria e re.

Madje ai thotë se kabineti i ri do të vazhdojë me politikën e izolimit të mëtejmë të vendit.

Kjo qeveri do të jetë qeveri e blerjes së kohës për arsye se nuk ofron asnjë mundësi për nxjerrjen e Maqedonisë nga kriza apo rirreshtimin e Maqedonisë drejt zhvillimit. Në aspektin e euro-integrimeve Maqedonia dhe kjo qeveri nuk ka vizion, që do të thotë se do të udhëheqë një politikë të izolimit apo vetizolimit".

"Sa i përket investimeve edhe kësaj radhe Maqedonia hynë në zonën e errët që do të thotë në zonën e përjashtimit të investimeve”, thotë Demiri duke kritikuar edhe pozicionin e BDI-së, e cila, në qeveri hynë, siç shprehet ai, me mbylljen në mënyrë skandaloze të çështjes së gjuhës dhe të flamurit duke pranuar zgjidhje nënçmuese për këto çështje të ndjeshme.

Ndryshe, programi i qeverisë së re i paraqitur nga mandatari Nikolla Gruevski, bazohet në 5 shtylla kryesore:

Zhvillimin ekonomik dhe zvogëlimin e papunësisë si parakusht për përmirësimin e jetesës së qytetarëve; integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE; luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit; sundimin e së drejtës; reformat në gjyqësor dhe administratën publike.

Kësaj radhe, Gruevski, në programin qeveritar, ka përmendur edhe kujdesin që do t’i kushtojë marrëdhënieve ndëretnike përmes zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Sipas BDI-së, pjesë e programit të punës së qeverisë është edhe platforma zgjedhore e kësaj partie, e cila kryesisht ka të bëjë me investime infrastrukturore në zonat e banuara me popullatë shqiptare.
XS
SM
MD
LG